KOMENT LEXUESI:
Z.Thano! Shumë mirë jep analizën për të mos e mbrojtur një ministër apo deputet të korruptuar. Do të ishte kundër dëshirës së shumicës së shqiptarëve mbrojtja e një të korruptuari. Në këtë kontekst po ju pyes, z. Thano: Për znj. Balluku, dyshimi për korrupsion është mosbarazia në tendera. Në një garë ku marrin pjesë disa kompani, a do të fitojnë të gjithë? Jo! Për pasojë, të gjithë humbësit do të kontestonin vendimin. Çdo vendim (jo në shkencat ekzakte) është subjektiv dhe, për rrjedhojë, nuk mund të quhet krim. Do të ishte mirë që SPAK-u dhe GJKKO-ja të flisnin me shifrat e fituara nga kushdo pushtetar e jo në fund gjykimi të përfundojë me “shpërdorim detyre”.
Duke lexuar shkrimin tuaj me plot siguri për korrupsionin e znj. Balluku, pse GJK-ja nuk dha vendim, por me oportunitet? Të gjithë kur janë në tokë dinë të notojnë shumë mirë. Të gjitha këto paqartësi duhen plotësuar në legjislacion dhe për këtë nuk mendoj se jeni kundër. Z. Thano, po ta lexosh shkrimin e juristit z. Sokol Berberi për interpretimin e GJK-së, do të kuptosh këtë situatë të drejtësisë tonë. Referohu edhe këshillave të ndërkombëtarëve për paraburgimin dhe do ta kuptojmë akoma më mirë funksionimin e drejtësisë tek ne.
—-
Letër për shkrimin e kryeredaktorit: “Kur kryeministri thotë që pezullimi “paralizon institucionin”

PËRGJIGJE:
I nderuar,
Argumenti juaj duket i ekuilibruar në sipërfaqe, por në thelb prodhon një pasojë shumë të rrezikshme. E para, krijon dy kategori qytetarësh përpara ligjit. Ju thoni, kujdes me paraburgimin, kujdes me interpretimet, kujdes me diskrecionin administrativ.
Dakord. Por ky kujdes, për çudi, aktivizohet vetëm kur bëhet fjalë për pushtetin.
Le të jemi të qartë. Nëse përgjimet e publikuara për Ballukun tregojnë komunikime që ngrenë dyshime serioze për ndikim në procedura, për koordinim dhe favorizim, atëherë kemi më shumë se “subjektivitet administrativ”. Kemi indicie për deformim gare. Në çdo sistem penal normal, indicie të tilla hetohen deri në fund.
Ju kërkoni prova për përfitim financiar? Shumë mirë. Pikërisht për këtë ekziston procesi penal. Hetimi filloi me dyshim të arsyeshëm. Përse duhet bllokuar me Kuvend e procedura? Çfarë është Kuvendi? Gjykatë?
Paraja publike, qoftë një milion apo një qindarkë, nuk është statistikë. Është djersë. Është TVSH mbi bukën. Është taksë mbi rrogën, sakrificë e mësuesit, infermierit, punëtorit. Edhe abuzimi më minimal është shkelje e besimit publik. Edhe një qindarkë e vetme. Jo më dyshimi për miliona euro. Gjithsesi, korrupsioni nuk matet vetëm me shumën. Matet me deformimin e procesit.
Por po e çoj logjikën tuaj deri në fund.
Nëse i zgjedhuri duhet trajtuar me standard më të butë sepse “ka vota”, atëherë të jemi konsekuentë, të shpëtojmë edhe Saliun. Sepse edhe ai është votuar. Edhe ai ka qindra mijëra votues. Edhe ai përfaqëson sovranin.
Nëse vota e bën dikë “jo si ne të tjerët para drejtësisë”, atëherë kjo duhet të vlejë për të gjithë. Përndryshe nuk është parim, është preferencë politike. Apo jo? Këtu bie i gjithë konstruksioni moral.
Demokracia, i nderuar, nuk është vetëm shumicë. Është barazi para ligjit. Parlamenti është organi më i lartë politik. Por ligji është mbi parlamentin.E kam lexuar unë edhe atë juristin që përmend ti, po edhe shumë të tjerë që nuk hanë në çanakët tanë.
Drejtësia nuk është mbi sovranin, është mbi pushtetin, pikërisht që sovrani të mos tradhtohet.
Ndërkohë, realiteti është brutal. Një qytetar i zakonshëm si unë e si ti (nëse jeton këtu) duhet të përballet me masa të ashpra për shkelje të vogla. Edhe për një parkim së fundmi po na tregohet burgu. Ndërsa për pushtetin kërkohet kujdes i shtuar, filozofi, interpretim, kontekst. Ky nuk është standard juridik, miku im. Është pabarazi. I kuptoj pushtetarët sepse mbrojnë veten si rrufjanë. Po ti pse?
Po të bëj një pyetje unë në fund. Mbi të cilën dua të reflektosh.
Nëse Rama do të sillej ndryshe dhe do t’ia dorëzonte drejtësisë znj. Balluku me të njëjtën gjuhë me të cilën ka folur për të tjerët, a do të mendonit ju kështu sot?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë problemi nuk është parimi. Është pozicioni politik i momentit. Pyeteni veten me sinqeritet. Ajo që po mbroni sot, është një bindje e qëndrueshme për drejtësinë, apo është reagim i ndikuar nga qëndrimi i ndryshëm i KM?
Me të mira
Adrian Thano
Marrë nga podkasti i kryeredaktorit
