DR. JORGJI KOTE
Dënimi i 4 liderëve të Ish UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka ringjallur debate dhe diskutime të shumta edhe mbi rolin e BE-së në Ballkanin Perendimor në gati 30 vitet e fundit, sidomos pas konfliktit në Kosovë.
Mirëpo, në këto debate vërehet prirja për ta trajtuar këtë ngjarje të trishtë të shkëputur nga dinamikat gjeopolitike të këtyre tre dekadave dhe interesat Realpolitike; gjithashtu, gabimisht vijojmë t‘i shohim BE-në dhe SHBA-të me syzet e viteve 90, duke shpërfillur ndryshimet tektonike që kanë ndodhur në strategjinë, sfidat dhe dinamikat e tyre demokratike. Këtë nuk e themi për të justifikuar dhe ca më pak për ta mbrojtur BE-në nga qortimet dhe kritikat e drejta për dështimet në Ballkan. Por i përmendim që nisur nga këto zhvillime gjeopolitike, nga pësimet të nxjerrim mësime lidhur me sjelljet dhe qëndrimet tona diplomatike në të ardhmen.
Meqenëse gjatë periudhës në fjalë jam marrë konkretisht me këto dosje si diplomat në Tiranë, në Berlin dhe në Bruksel dhe vitet e fundit si analist i pavarur diplomatik po në Bruksel, më poshtë po ndalem te hapat, sfidat dhe “psetë“ e dinamikave dhe dështimeve të BE-së në 3 dekadat e fundit, ndikimet në rajon dhe në secilin vend.
Dihen tashmë fillimet pozitive dhe premtuese në vitet 90 në Ballkanin Perendimor. Mirëpo, sa i takon sigurisë dhe stabilitetit rajonal, krahas arritjeve, ka patur shumë zhgënjime të mëdha; shkaktare kryesore ishte dhe mbetet Serbia, e cila pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë ndërmori 4 luftra vëllavrasëse; kulmi i atij agresiviteti arriti me spastrimin masiv etnik në Srebrenicë më 1993 – 1995 dhe në vitin 1999 me konfliktin e armatosur në Kosovë deri në pavarësimin e saj më 2008.
Ndërsa në vendin tonë me shpresa të mëdha për një asociim të shpejtë në BE, për të cilën Komisioneri i saj Van de Broeck erdhi në Tiranë më 1995, farsa dhe dhuna zgjedhore e majit 1996, shembja e shtetit më 1997 dhe rebelimi ndaj shtetit në shtator 1998 i minuan shpresat dhe pritshmëritë tona europianizuese.
Për pasojë, mbas atyre ngjarjeve negative kudo në rajon dhe sidomos pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, në fillimin e viteve 2000, SHBA-të, BE-ja, OSBE-ja dhe KiE-ja e ridimensionuan tërësisht strategjinë e tyre tërësore ndaj të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor nëpërmjet tre instrumenta madhorë – I pari ishte Procesi i Stabilizm& Asociimit për gjashtë vendet tona; natyrisht një kategori më e ulët se Marrëveshjet e Asociimit për shkak të gjendjes më të rënduar dhe me kushte me të forta me rezultatet e njohura.
Drejtimi i dytë ishte krijimi i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, një miniaturë e Aktit Final të Helsinkit; vetëm se në vend të “tri shportave“, Pakti kishte “tre tryeza“ me të njëjtat emra – demokracia dhe të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria. Pakti u nënshkrua në Samitin e tij të Sarajevës me praninë edhe të Presidentit Clinton më 30 korrik 1999. Më vonë, në vitin 2008 ai u kthye në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ( RCC) me seli në Sarajevë. Dhe së treti krijimi i shtetit të ri të pavarur të Kosovës dhe në vijim, fillimi i dialogut politik me Serbinë që vijon prtej 15 vitesh.
Veç sa sipër, për të qenë objektivë në analizat politike, do theksuar se ndryshe nga gjendja përpara viteve 2000, kur SHBA-të dhe veçanërisht BE-ja ballafaqoheshin me 1 – 2 konflikte ndërkombëtare dhe me kriza të brendshme, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe më tej, ato janë përfshirë në kriza të njëpasnjëshme politike, ekonomike, sociale, humanitare, diplomatike dhe ushtarake.
Ky historik i trishtë filloi më sulmet terroriste të datës 11 Shtator 2001 kundër kullave binjake në Nju Jork. Në vijim, SHBA-të dhe NATO ndërhynë ushtarakisht në Irak dhe në Afganistan që vazhdoi deri vonë. Pastaj Europën e mbërtheu kriza më e rëndë financiare, si pasojë e të cilës Italia, Greqia dhe Portugalia ishin në prag falimenti. Në vitin 2011 filloi Pranvera Arabe me mbështetjen e BE-së, e cila dështoi dhe një ndër pasojat e saj ishte krijimi i Shtetit islamik dhe lufta e tij kundër Perëndimit. Kulmet e asaj lufte ishin atentatet terroriste në Paris, Bruksel, Madrid, Londër, Berlin, etj, me pasoja tragjike, të cilat spostuan axhendat e tjera.
Dhe kur kjo luftë ishte në kulmet e veta, në Europë shpërtheu kriza biblike e azilit, kur mbi 1 milion refugjatë hynë në Europë dhe miliona të tjerë ishin gati. U desh ndihma e Turqisë, e cila strehoi 4 milion refugjatë dhe pengoi vërshimin e tyre.
Ndërkohë, pas aneksimit të pjesës lindore të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014, BE-ja me SHBA-të, Rusinë dhe Ukrainën u angazhua për miratimin e dy Marrëveshjeve të Minskut më 2016, plus Marrëveshjes tjetër të vështirë për paqe më Iranin.
Kështu erdhi pandemia COVID -19 me sfida dhe vështirësi të jashtëzakonshme për BE-në; krahas shumë masave të tjera dragoniane, për herë të parë në historinë e vet ajo miratoi me shumë vështirësi blerjen e përbashkët të një borxhi stratosferik prej 750 Miliard Euro, për t‘u ardhur në ndihmë vendeve më të prapambetura.
Dhe ende pa e marrë vehten nga pandemia e rëndë, më 24 Shkurt 2022 Rusia ndërmori agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës, çka krijoi një realitet dhe dinamikë krejtësisht të re gjeopolitike, tanimë me shumë të panjohura, sfida dhe kërcënime jetike edhe për BE-në, të cilat janë përshkallëzuar më tej në formën e Luftës Hibride ruse edhe kundër vetë NATO-s. Shto këtu vështirësitë e krijuara me Presidencën Trump, pretendimet madhore gjeopolitike të Kinës, Inteligjenca Artificiale dhe krizat e brendshme me forcimin e ekstremit të djathtë, sidomos në Francë dhe Gjermani dhe tablloja bëhet akoma më e zymtë.
Në këtë gjendje të mbingarkuar gjeopolitike për aleatët tanë dhe për pasojë edhe për Kosovën, pavarësia e saj dhe vendimi i GJND-së më 2010 që konfirmoi pajtimin e saj me të drejtën ndërkombëtare përkuan me fillimin e të ashtuquajturës “ diplomaci qetësuese” ( appeasement) të BE-së ndaj Rusisë dhe Serbisë, meqenëse kjo e fundit mbetet e lidhur ngushtë me Moskën dhe si vendi më i madh në rajon.
Thelbi i politikës qetësuese/paqtuese ka të bëjë me lëshime të ndryshme, më shqip, marrja me të mirë e armikut, agresorit, diktatorëve, me qëllim zbutjen dhe çtensionimin e situatës, për parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve luftarake prej këtyre të fundit. Për fat të keq, me këtë politikë të destinuar të dështonte, BE-ja i “ hipi kalit mbrapsht”, duke injoruar pësimet e saj të hidhura në fund – vitet 30, si pasojë e naivitetit politik të Kryeministrit britanik Çambërlen ndaj Hitlerit; ajo kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes famëkeqe të Munihut më 1938, nëpërmjet të cilës, për ta qetësuar dhe larguar Hitlerin nga kursi agresiv, i dhanë rajonin e Sudeteve në Çeki; por shumë shpejt ai sulmoi Poloninë dhe pastaj Bashkimin Sovjetik, duke ndezur kësisoj zjarrin e Luftës së II Botërore.
Liderët e BE-së nuk iu referuan as dështimit tragjik të diplomacisë qetësuese të Dërguarit Special të SHBA-ve, Syrus Vance dhe të BE-së për Bosnien, Lordi David Owen. Më 2 Janar 1993 ata shpallën me bujë “Planin e Paqes” për Bosnien. Emërimi i tyre pati një jehonë të gjerë ndërkombëtare nisur edhe nga profili i tyre i lartë politik. Lordi David Owen, ishte Ministër i Jashtëm në qeverinë e Callaghan më 1977-1980 dhe zv.President i Konferencës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë 1992 – 1995 i caktuar nga BE-ja. Ndërsa Syrus Vance ( 1917 – 2002) kishte shërbyer si Sekretar Shteti në Administratën e Presidentit Carter më 1977 – 1979; të dy artizanë të diplomacisë “qetësuese ose me kulaç”
Mirëpo, edhe pse tejet i favorshëm për Beogradin, të cilit i premtonte gjysmën e Bosnies, Milosevici e hodhi poshtë Planin, sepse oreksi i tij kriminal nuk kishte të ngopur. Për pasojë, në Qershor, Vance dhe Owen dhanë dorëheqjen, duke pranuar fiaskon e Planit të Paqes në Bosnie dhe diplomacisë së tyre (sh)qetësuese.
Dihen tashmë pasojat e dhunës dhe genocidit të pashëmbullt me mbi 100.000 boshnjakë të pafajshëm të vrarë, rrethimin e gjatë të Sarajevës, dëmet dhe shkatërrimet masive të ultranacionalistëve serbë nën hundën e trupave të OKB-së. Ata pushtuan edhe zonën nën administrim e OKB-së, duke përfshirë Srebrenicën, ndonëse kjo e fundit ishte shpallur zonë e mbrojtur me vendim të KS të OKB-së, duke ekzekutuar 8500 burra të pafajshëm boshnjakë Perëndimi u fut me trupat e tij. Vetëm nën trysninë ushtarake, pra të “ kërbaçit” Milosevic u ul në tryezë dhe nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Daytonit më 14 Dhjetor 1995.
Mirëpo çuditërisht, BE-ja, natyrisht me miratimin e SHBA-ve, jo vetëm nuk u tërhoq nga ky kurs i gabuar, por e institucionalizoi diplomacinë qetësuese me Serbinë dhe me Rusinë. Si shpërblim për strategjinë e saj qetësuese pro-ruse, Europa do të përfitonte ” dividentin e paqes” dmth tarifa të ulta të blerjes së naftës dhe gazit nga Rusia, me ndikime pozitive në ekonominë gjermane e sidomos në industrinë e saj të automobilave. Dihet tani se pas 24 Shkurtit 2022 ajo po e paguan “ si frëngu pulën” atë djall dividenti dhe diplomaci që po i del nga hundët!
Pikërisht në kulmin e diplomacisë qetësuese, për ta marrë me të mirë si Moskën dhe Beogradin dhe për një gjoja ekuilibër politik, kur aleatët tanë e quajtën “ të kopsitur” misionin e tyre ndaj Kosovës, BE-ja filloi dialogun politik Serbi – Kosovë.
Mirëpo edhe në politikë “oreksi vjen duke ngrënë”. Ndaj në këtë klimë tejet të favorshme për ta, Moska dhe Beogradi kërkuan hapur akoma më shumë nga BE-ja dhe SHBA-të. Një nga kërkesat e tyre në dukje dhe në parim e drejtë por me hile nga pas ishte që të nxirreshin përpara drejtësisë ata liderë të UÇK-së të lidhur me krimet sipas tyre të kryera në Kosovë. Terrenin që kjo kërkesë të mos binte “ në vesh të shurdhët “ e kishte përgatitur me kohë Prokurorja Carle del Ponte. Realizimi i kësaj kërkese u administrua nëpërmjet Senatorit zviceran, Dick Marti, i cili 10 vjet mbasi kishte mbaruar konflikti u kujtua dhe i paraqiti, natyrisht “ me porosi nga lart” Asamblesë Parlamentare të KiE-së raportin famëkeq me akuzat e njohura ndaj liderëve të UÇK-së. Raporti u diskutua dhe u miratua në Strasburg më 25 Janar 2011 me shumicë dërmuese votash; por si raport politik, me aludime të cilët duhej t’i nënshtroheshin gjykimit nga një gjykatë asnjanjëse, në emër të Kosovës me seli në Hagë. Aleatët tanë nuk donin tia prishnin qejfin Moskës dhe Beogradit.
Tani pretendimet se pse deputetët tanë në Strasburg e miratuan raportin/rezolutën nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë kuptim; edhe sikur ata ta pak deputetë që kishim në Strasburg të votonin kundër, asgjë nuk do të ndryshonte, se gjithçka ishte vendosur tjetërkund; vetëm se do të cënonim marrëdhëniet me aleatët tanë që kishin çliruar Kosovën dhe na donin vetëm të mirën por dhe drejtësi. Pastaj, të mos harrojmë se me 21 Janar 2011 në Tiranë u vranë 4 vetë në protestë e madhe të opozitës; ndaj, gjithë vëmendja e politikës sonë ishte te sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar mbi atë ngjarje tragjike.
Në vijim, po me mbështetjen e aleatëve tanë europianë lindi dhe u miratua ideja për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Realisht, edhe ajo, ca më tepër në rrethanat e mbi 10 viteve më parë nuk mund të kundërshtohej dot as me numra dhe as me logjikë politike nga deputetët tanë. Ca më tepër kur SHBA-të dhe BE-ja, partizanë të saj e kishin sqaruar se nuk bëhej fjalë për UÇK-në, por për të dhënë drejtësi për këdo. Dhe prapë ne nuk mund të dilnim dot kundër, se do te na bllokonin aleatët, nuk do çeleshin negociatat dhe Kosova nuk do të përparonte me njohjen e saj, krahas prishjes së imazhit si partnerë të të dy vendeve tona.
Natyrisht, me një linjë të tillë ideologjike, diplomacia europiane dhe ajo amerikane do të mbante qëndrime të njanshme të dukshme. Praktikisht, BE-ja e ka trajtuar Beogradin pothuajse në të gjitha rastet “si të nënës, ndërsa Prishtinën si të njerkës”; me Beogradin, ajo ka ndjekur diplomaci qetësuese/përkëdhelëse ose “ me kulaç” ndërsa me Prishtinën çuditërisht atë të shtrëngimit dhe të kërbaçit” me sanksione të njohura. Kjo u pa tani së fundi edhe me rastin e homazheve të kryekriminelit të luftës, Mlladiç, kur BE-ja u mjaftua me disa paralajmërime si ato kineze të 5 dekadave më parë, se tani me Kinën nuk bëhet më shaka. Pse? Sepse BE-ja dhe SHBA-të duan ta mbajnë Serbinë me çdo çmim në anën e tyre.
Prirja e lartpërmendur u shfaq edhe me rastin e dakordësimit të Marrëveshjes së të Ohrit në shkurt 2023; një kopje “fjalë për fjalë” e Marrëveshjes së vitit 1972 midis RFGJ-së dhe RDGJ-së dhe vetëm me shtesën e Asociaionit ; ashtu siç edhe pritej, pa asnjë rezultat, sepse ata “kanë vënë karrocën përpara kalit”, dmth Asociacionin famëkeq përpara njohjes nga Serbia të Kosovës. Nuk është parë ndokund që dy vende fqinj bëjnë 15 vite dialog dhe prapë nuk e njohin njeri tjetrin; ndërsa RFGJ-ja më 1973 e njohu menjëherë RDGJ-në “ de fakto” dhe lejoi anëtarësimin e saj në OKB brenda 6 muajve. Mirëpo, a mund të krahasohet Serbia me RFGJ-në, Vuçiç me Nobelistin emblematik Willy Brandt, politika paqësore dhe e ndjesës e RFGJ-së pas vitit 1945 me agresivitetin e Milosevicit dhe Vuçiçit përpara, gjatë dhe pas viteve 1990 dhe sot në pushtet? Ndaj Marrëveshja e Ohrit ka mbetur në letër, ndërsa dialogu midis tyre është i vdekur por i pakallur.
Lidhur me vendimin e Hagës për liderët e UÇK-së, pa dyshim që ai ka shumë politikë brenda tij, edhe pse është zbutur duke kaluar nëpër filtrat dhe kanalet gjyësore, duke hequr krimet kundër njerëzimit, trafikimin e qenieve njerëzore, etj.
Mirëpo, në pikpamje të Realpolitikës, me keqardhje theksojmë se me përjashtim të Kosovës dhe vendit tonë, ai dënim i kënaq të gjitha fuqitë e mëdha dhe palët kryesore – SHBA-të, BE-në, Rusinë, Kinën, Serbinë dhe të tjerë. E kundërta do të ndodhte në rastin e pafajësisë, çka vetëm se do të ndërlikonte edhe më tej rebusin gjeopolitik që edhe pa të është i tejet i ngatërruar. Veç sa sipër, do patur parasysh se nuk jemi më në vitet 90, kur BE-ja dhe SHBA-të mbronin me çdo çmim vlerat dhe parimet universale dhe të drejtën ndërkombëtare, pastaj edhe interesat; por sot po ndodh e kundërta dhe këtë e kanë thënë hapur Trump, von der Leyen, etj. Shkurt, SHBA-të dhe BE-ja kanë interesa më të mëdha ekonomike, etj me Serbinë.
Veç sa sipër, ndryshe nga 25 vite më parë, Kosova nuk është më në krye të axhendës gjeopolitike të aleatëve tanë të mëdhenj. Sa për fatin e 3 – 4 liderëve, me keqardhje e themi, por sipas Realpolitikës, ai është kalimtar. Siç e ka shprehur me një krahasim të gjetur ambasadori i famshëm amerikan Thomas Pickering “ ndryshe nga arkeologjia që zbulon të panjohurën, diplomacia mbulon të njohurën“! Kështu po ndodh edhe këtë radhë. Deklarata e qartë në mbështetje të vendimit të Hagës nga BE dhe SHBA e konfirmon këtë dukuri që do mbajtur parasysh nga ne.
Së fundi, ajo çka mbetet për t’u bërë nga ana jonë për fazën e apelimit të vendimit të Hagës i takon një shkrimi tjetër. Por fare shkurt, le ta themi se do hequr dorë një orë e më parë nga strategjia e deritanishme e dëmshme dhe dështake e Kryeministrit Rama, e cila nuk të shpie as te “ura e Beshirit”. Duke filluar nga fjalimi skandaloz më 12 Tetor 2022 përpara Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Strasburg, stigmatizimet e papranueshme ndaj Hagës, memecllëku i pafalshëm në OKB javën e kaluar mbi Kosovën kur Vuçiç nuk la gjë pa thënë kundër saj dhe deri te gafa e rëndë me qortimin e gabuar të Presidentit Biden; i cili jo vetëm ka bërë aq shumë për Kosovën për mbi 5 dekada edhe si Senator por nuk ka lidhje me këtë temë; mbasi më 2015 President ka qenë Obama, më 2017 dhe tani Trump. Ndaj, Rama mund të qortonte ata të dy, ndërsa Bidenit t’i uronte shëndet dhe jetë, se tumori po i përparon dita ditës.
Për pasojë, Rama është në konflikt interesi me këtë temë, ndaj do të bënte mirë t’ia linte dosjen diplomacisë tonë me goxha përvojë në këtë fushë, që të punojë me kanalet e saj diskrete, pa bujë dhe zhurmë, në bashkëpunim të ngushtë me Prishtinën zyrtare; nëse mundet të gjejnë dhe financojnë avoketër të zot, duke ndryshuar ndoshta edhe strategjinë e mbrojtjes: po ashtu, Prishtina t’i japi fund krizës institucionale, se vetëm kështu do të na dëgjojnë dhe besojnë, të shoqëruara, pse jo, me protesta dhe forma të tjera publike.
DITA
