Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Në historinë e marrëdhënieve që individët vendosin me kohën, njerëzit, ngjarjet dhe historinë një rëndësi të madhe ka rrugëtimi që zgjedh njeriu, qoftë si individ, qoftë dhe si personazh (personazh në kuptimin e gjerë të fjalës), i cili në shoqëri dhe në kohë merr rol. Kjo marrëdhënie, e individit me kohën dhe shoqërinë nuk e ka penguar kurrë identifikimin e tij pavarësisht sistemeve politike dhe institucioneve që kanë drejtuar vendin. Jo më kot, gjatë 45 vjetëve, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria nisi një kurs krejtësisht të ri politik, vendi, fushat e ndryshme të dijes dhe të veprimtarisë njerëzore sollën në vëmendjen dhe në shërbimin e shoqërisë jo pak njerëz të rëndësishëm për kauzat e zhvillimit historik dhe kombëtar të vendit.
Dialektika na ka mësuar se zhvillimi është sfidë e përplasjeve dhe diversitetit, madje dhe më keq akoma. Në këtë paradigmë, dhe pas tridhjetë vitesh të një vendi të lirë, të iniciativës dhe të konkurrencës, Shqipëria vazhdon të ketë një plejadë njerëzish të elitës letrare, sociale, kulturore, studimore, të dijes shkencore dhe fushave të tjera, të cilët janë formuar para viteve ‘90, duke vërtetuar qartësisht se ardhja e tyre siç e shënuam që në krye të shënimeve, është e mundur të shfaqet në çdo kohë.
Po ashtu, në një këndvështrim tjetër mjaft të rëndësishëm, po aq sa zhvillimet dhe fryma e re që sollën vitet ‘90 në Shqipëri është kontributi i vyer, angazhimi dhe të qenit aktiv i një plejade intelektualësh dhe studiuesish, të cilët ishin formuar gjatë viteve 1945-1990 dhe pas viteve ‘90. Kjo plejadë intelektualësh, poetësh, shkrimtarësh, studiuesish, historianësh dhe shkencëtarësh përbënte një taban të fortë dhe mjaft të shëndetshëm për zhvillimet e reja në të cilat po futej vendi. Në të gjithë historitë e zhvillimit, jo vetëm në vendet e vogla, ku kjo shtresë intelektuale ka kaq shumë rëndësi, por dhe në vendet me potencial të madh intelektual dhe teknologjik, visari i trashëguar intelektual është mjaft i rëndësishëm dhe jetik në ritmet e zhvillimit social.
Poeti, romancieri, estetologu, eseisti, politologu dhe analisti Bedri Islami është pjesë e këtij fondamenti të rëndësishëm intelektual që Shqipëria trashëgoi në vitet ‘90, ku krahas një tradite të mirë u krijuan mundësitë për ide të rejadhe prurje të reja bashkëkohore perëndimore dhe në Shqipëri. Bedri Islami, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Xhevdet Shehu, Moikom Zeqo, Shaban Murati, Artan Fuga dhe disa emra të tjerë të njohur të dijes përveçse nuk kishin kompleksin me të kaluarën, ata u ndjenë mirë në zhvillimet dhe horizontet e reja që koha solli për ta. Kjo mundësi ishte një moment i rëndësishëm, për shkakun e bagazhit intelektual, por dhe krijues, i cili duke u gjendur në rrethanat e reja kulturologjike, politike dhe të marrëdhënieve sociale, do të përbënte një urë kalimi, por dhe një rrugëvazhdim i vlerave të rëndësishme që përçonte dhe përçon puna e tyre krijuese, intelektuale dhe studimore. Bedri Islami kishte një lidhje me kujtesën dhe kronikat letrare të kohës, dhe atë të para viteve “40, të shekullit të kaluar.
Bedri Islami është romancier (“Ditët e një qytet”- roman, “Portat që flasin”- roman, “Vrasja e Lulit të vocërr”- roman, “Nata pa të nesërme”- roman); poet (“Sytë e Margaritës”- poezi, “Vetmi akujsh”- poezi, “Itaka e munguar”- poezi); publicist: (“Ajo që doja të thosha”-publicistikë, “E fshehta e hapur e Kosovës”- publicistikë, “Shansi i fundit”- publicistikë, “Lëvizja – lindja e përgjakur”- publicistikë, “Dhjetori i vrarë”- publicistikë) dhe monografist (“Enigma e një vrasje të trefishtë”- monografi, “Përjetësia e dyfishtë”- monografi dhe “I vërteti Ali Ahmeti”- monografi), por dhe një libër jashtëzakonisht aktual dhe i gjerësishëm, me një sens të theksuar analitik- studimor i natyrës letrare, i titulluar “Fjalëkryqet e letërsisë”.
Bedri Islami është njëri nga autorët interesantë në kulturën shkrimore, letrare, historike, publicistike shqiptare, pasi jeta dhe krijimtaria e tij lidhë nyje të rëndësishme të letërsisë dhe të kohës, simbolikën dhe etapat historike shqiptare. Përveçse ai është një profil i njohur në letrat shqipe, jeta e tij mbart një kumt të rëndësishëm për shqiptarët dhe letërsinë më të mirë të kohës. Natyrshëm ka një lidhje të fortë, një seri gjetjesh dhe gjendjesh që plotësojnë njëra tjetrën dhe që pleksen në prozë, poezina dhe krijimtaria e Migjenit, qyteti i Shkodrës, i cili është element bazik i gjithë nervit krijues të Migjenit, kultura qytetase, personazhet e tij, të cilët i gjeti në qytetin e Shkodrës, rrethinat e Shkodrës, por dhe në Pukën e largët e kudo tjerë dhe emancipimi i tij për të krijuar një komunikim të këtij niveli.
Shkodra mbetet një qytet në të cilin kanë qenë bashkë, madje deri në alkimi e kaluara dhe e tashmja, që do të thotë kultura e trashëguar, të cilën studiuesit e njohur vendas dhe të huaj e kanë emërtuar si kulturë, si qytetërim gati universale, një qytet ku askund më mirë nuk ka arritur të bëhen bashkë qytetërimi me jetën e përditshme, me historinë dhe politikën, me letërsinë dhe historinë, me të kaluarën dhe të tashmen. Në asnjë qytet tjetër më mirë dhe më besueshëm se sa në Shkodër, nuk ka arritur që kultura perëndimore të ketë prurjet e saja, po ashtu dija si themel ku shoqëria ka një lidhje kaq të fortë dhe vepruese. Metropoli i kulturës shqiptare, gjurmët e të cilit shkojnë thellë në historinë shqiptare, por dhe atë ballkanike, ka qenë një kronikë e shkëlqyer dhe e vazhdueshme, ku është pasqyruar dhe është reflektuar dija, kultura, njerëzit, shoqëria, zhvillimi, familja dhe individi, tregtia dhe humori, urbanizmi dhe tradita qytetase. Në këtë qytet me dinamizëm dhe ndjeshmëri të jetonin dhe të kumbonin personazhet migjeniane, njëri prej të cilëve është Zenel Islami. Prandaj nga Shkodra kurrë nuk janë pakësuar poetët, klerikët, luftëtarit, shkrimtarët, urbanizmi etj.
Ky qytet me peshën e kulturës tradicionale dhe me ritmin e zhvillimeve gjatë gjithë kohës duket se është mishëruar mjaft mirë në jetën dhe në profilin qytetar të Bedri Islamit. Shkodra ka mbetur dhe është mishëruar në të gjithë kronikën vertikale dhe gjendjet sublime të poetit dhe të prozatorit. Shkodranin tipik, shkodranin që ka mishëruar kohën e gjejmë brenda Bedri Islamit. Bedri Islami është i biri i një personazhi të përbotshëm të kronikës dhe syrit të mprehtë të krijimtarisë poetike dhe të prozës së Migjenit, poetit i cili iu shfaq qytetit të lashtë në njërën nga kohët më emblematike të tij. Zeneli, një personazh jetik në krijimtarinë e Migjenit është babai i poetit dhe prozatorit Bedri Islami. Një detaj i qytetit të dritës e dijes, i cili në njërën nga kohët epike u fliste njerëzve dhe të ardhmes përmes Lulit të Vocërr.
Mishëruar në një prozë plot nerv dhe në një zbulesë faqe për faqe, në tipa dhe karaktere interesante nga Bedri Islami është shkruar romani “Vrasja e Lulit të Vocërr”, e cila shpalon gjerësisht dhe të sendërtuar në motive të thella ekzistenciale jeta e babait të tij Zenel Islamit (alis Luli i Vocërr), që gjen zgjatimet e veta interesante dhe në prozën mjeshtërore të tregimtarit Nonda Bulka.
Pa dyshimin më të vogël, proza e Migjenit “Zeneli” mbetet një rrëfim gati profetik, ku ngërthehet koha dhe e ardhmja, për shkakun e thjeshtë ekzistencial, pasi Migjeni arriti të pleksë bashkë, të bëjë bashkë kumbueshëm, se mjerimi kumbon gjithmonë dhe kur nuk lëshon zë, jetën tragjike të qytetit dhe të njeriut, por pikërisht brenda këtij mjerimi ai arrinte të shihte në një lloj kuptimi dhe horizontet. Diku tek “Zeneli” Migjeni shkruan: “Mandej edhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka ma mirë mos e merr më qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thyejë qafën i dëshpëruem tue pa të vetët të dashtun tepër ultë tue mos mujt me i ndihmue…”, ku kupton se është një refleksion jashtëzakonisht komunikues në të gjithë mundësitë dhe anët e veta që të lejon një tekst në prozë. Një copëz jetë dhe gjendje të shkrimtarit dhe të personazhit, të cilët bashkohen në një realitet vërtet ekzistenciale, të beftë, gati kafkian. Zeneli është njëri nga përfaqësuesit tipik të kohës, pasi Migjeni e ka atë të mishëruar në të gjithë peizazhin social të qytetit që nga “Legjenda e misrit” tel “Poema e Mjerimit” apo “Bukurisë që vret”.
Në personazhin e Zenelit është mishëruar koha në të gjithë personazhin e tij, qoftë “Zeneli i parë” (“Profecia”, “Dy Zenelat” (Ngjarja ëndërrimtare) dhe “Zeneli i tretë” (Fataliteti idealist). Mishërimi i kohëve, një hapësirë mbi gjashtëdhjetë vjeçare në një personazh, të mos harrojmë, pasi Zeneli i Migjenit ka ardhur në kujtesën njerëzore dhe në frymën e letërsisë së shkruar (natyrisht të prozës) dhe nga një penë tjetër po kaq e thukët si ajo e Bulkës, në tabanin e të cilës qëndron “Luli i Vocërr”, Luli i mjerimit, për tu mbyllur me një fund tragjik, gjithsesi si një kronikë e tragjikut të madh të qytetit të Shkodrës- Migjenit. Romani “Vrasja e Lulit të vocërr’ përbën një “deltë” informuese të kohëve të një personazhi emblematik, por dhe të një populli. Është një roman i ndërtuar mjeshtërisht për t’i lejuar shkrimtarit një komunikim të kësaj gjendjeje, të një natyre dramatiko – tragjike, ku në fund të fundit flitet për fatin e njeriut në kuptimin thelbësor të mesazhit filozofik që autori kërkon të përcjellë përmes romanit të tij. Përmes një natyre dinamike të komunikimit dhe të spikatjes së karaktereve, janë shkruar dhe romanet e tjerë të Bedri Islamit, ku veçon mjaft krijimi i strukturave solide të komunikimit, përmes subjekteve dhe lëvizjes së brendshme të subjekteve.
Në profilin e Bedri Islamit ka një kontribut të rëndësishëm poezia. Ai ka shkruar poezi gjithmonë, një peozi që e ka ushqyer së brendshmi, duke i dhënë punës shkrimore të përditshme një natyrë lirike, një refleksion harmonik, një natyrë hulumtuese detajesh dhe dashurie për figura poetike dhe “shfrim” të ngrohtë shpirtëror. “Itaka e munguar” është njëri nga librat e tij poetik, i cili sjell një profil të një liriku, ku shquan dhe ruhet mjaft mirë një embrionim jetik mes ëndrrës dhe realiteti real. Shkodra të bën poet, sado pak poet të jesh, ajo të zgjon gjithë ndjesinë që njeriu mban brenda vetes për të thënë diçka.
E kësaj ndjesie dhe dehjeje nuk i ka shpëtuar as Bedri Islami; rrugët e rrugicat, sokakët, pragjet e shtëpive plotë lule, bliret, katedralja, dimrat e ftohtë, zonjat dhe zotërinjtë, shirat, gratë, vajzat, pjaca, e cila qëndron zgjuar nga muzika që derdhet nga dritaret e shtëpive, humori, qytetaria e përhershme, që janë shndërruar në një lloj “Itake”, ajo Itakë, e vetmja e cila e ktheu Odisen pas aventurës më dramatike dhe më tragjike të historisë së njerëzimit.
Në kujtësn e tij janë të vdekurit, ku natyrisht shfaqet dhimbja dhe pengu, janë rrugët, si një metaforë jetësore, është Kosova gjithsesi (“Vajtoca e Kosovës”), pra është një dhimbje që poeti kërkon t’i japë natyrë universale, e që për ta përmbyllur një “dashuri testamentare”.
Vargjet: “Trokiti nata mbi qepallat e lodhura,/ Heshtje kërkoj e heshtje më nuk ka,/ Ëndrra e hershme më sillet si pulëbardha,/ Vetmi shtrënguese, humbje në asgja./ I kujt është ky vend, ku po na bien ëndrrat?”- janë vargjet e poezisë “Ëndërr e vonë” e vëllimit poetik “Vetmi akujsh” i poetit Bedri Islami. Është një sentiment i thellë, një dhimbje deri në lëngatë e poetit Islami, i cili në emigrim, në Perëndim; krijon një lidhje dhe një raport kaq aktiv, kaq veprues, aq sa të kujton alkalinet gërryese të kimisë që gërryejnë pa mëshirë aty ku derdhen dhe ku gjenden. Është një metaforë e thjeshtë, të cilën e mbush me një lëndë po kaq shpirtërore pjesa tjetër e poezisë, që poeti e sjell përmes mungesë së nënës dhe mallit të saj, përmes vizatimit të pulëbardhave të trishtuara që kanë humbur rrugën, përmes kujtesës për shtëpinë e tij të madhe në Shkodër.
Në një poezi tjetër këtë largësi, në mos largësi, këtë mungesë të gjërave të rëndësishme të ekzistencës së tij si qenie shoqërorë, porti e shpalos përmes vargjesh të tillë:”E di që do të jem në ferr,/ Prej njëzetë vitesh e kam bërë vendin,/ Vetes s’mund t’ia fsheh,/ Brengën që po ma plas zemrën...”, duke e dëshmuar këtë libër si një libër dhembjesh, pasi në të vërshon një introdukt e madhe e gjërave të shenjta dhe të dashura që i ka lënë atje larg në vendin e tij. Një tipar i çuditshëm i poezisë së Bedri Islamit lidhet fort dhe me një përkujdesje të jashtëzakonshme me të njohurit. Në poezitë e Bedri Islamit ka një numër të konsiderueshëm poezish dhe refkesionesh, në të cilët gjen shokët dhe miqtë e tij, qoftë poetë, qoftë bashkëkohës, qoftë luftëtarë. Dhe me të drejtë, poezia e Bedri Islamit është e mbrujtur nga një kompleks cilësish, që nga tendencat për të krijuar një lloj komunikimi universal, angazhimi për të ndërtuar një metaforë besimi, pasi në jetën dhe përkushtimin e tij intelektual ka kaq shumë kontribute dhe prurje mbi Kosovën, luftën dhe persona të njohur të luftës së fundit, ndaj edhe metaforat e tij janë metafora të dhimbjes, unin poetik më së shumti që i gjen në jetën e shoqërisë dhe njerëzve që e rrethojnë. Shpesh fjala poetike është e thellë, e elaboruar mirë në fuqinë e leksikut që përcjell, tematikisht është i prirë të përcjellë përditshmërinë, ku në jo pak raste gjen vetveten dhe të kaluarën.
Bedri Islami ka një elegancë poetike të veçantë, duke qenë i aftë të gjejë poezinë në të gjithë zakontësinë e jetës dhe të marrëdhënieve që ai ka me kohën, njerëzit, shoqërinë, ajo e bën atë poetin që jeton dhe krijon pikërisht mes njerëzve. Poezia më e bukur në historinë e poezisë së përbotshme nuk lidhet më shumë me simbolikën që ajo përcjell, por me jetën e thjeshtë njerëzore që këndon.
Në punën shkrimore të Bedri Islamit një vend të rëndësishëm zënë dhe ngjarjet historike, politike, diplomatike dhe lufta që u zhvillua në Kosovë në vitin 1999. Natyrisht, çështja e Kosovës ka qenë komplekse dhe me rrënjë të thella nga e kaluara, madje që në vitin 1844, kur Ilia Grashanini publikoi për herë të parë dhe projektin e njohur “Nacertania”, projekt i cili kërkonte ta eliminonte nga gjeografia politike Kosovën dhe një pjesë të madhe të trojeve shqiptare në Veriun e Shqipërisë, madje dhe Shkodrën e Bedri Islamit. Bedri Islami, falë intelektit, studimeve, por dhe punës si gazetar për një kohë të gjatë, ka pasur mundësinë për të pasur një njohje të rëndësishme për zhvillimet në Kosovë para viteve ‘90. Kosova ka qenë dhe mbetet ndoshta çështja më e rëndësishme në punën e gazetarit, analistit dhe politologut Islami, pasi një pjesë e madhe e shkrimeve të tij merren me çështje shumë të rëndësishme, madje bazike të Kosovës.
Në librin, i cili i kushtohet posaçërisht Kosovës, i titulluar “Triada e Kosovës”, përveç ngjarjeve të luftës së vitit 1999 apo figurave të njohura të Kosovës, ka një parashtresë të rëndësishme mbi ngjarjet e vitit 1981 në Prishtinë, që me të drejtë ka qenë “dallëndyshja e parë” e lirisë së Kosovës. Ngjarjet e vitit 1981 kishin një bazë të rëndësishme politike mbi të cilën ato u zhvilluan. Duke pasur një kërkesë të qartë, studentët në Universitetin e Prishtinës dhe veprimtarët e shumtë që u përfshinë në të gjithë këtë valë protestash, jo vetëm iu kundërvunë regjimit totalitar dhe policesk të Beogradit, por i dhanë dhe sinjalin e qartë Perëndimit për zhvillimet e vazhdueshme dhe pse nën një përplasje të fortë me pushtetin gjakësor dhe ushtarak sllav.
Bedri Islami ka një analizë të imët për protestat e vitit 1981, duke i parë ato si një urë e fortë lidhjeje dhe komunikimi mbarëkombëtar deri në vitet 1998 – 1999, ku shpërtheu dhe Lufta në Kosovë dhe komuniteti ndërkombëtar u imponua që të merrej seriozisht me çështjen e njohur të Kosovës. Ai shkruan për këtë zhvillim të rëndësishëm në vitin 1981:”Nëse nuk do të kishte qenë viti 1981, Kosovës do t’i mungonte dhe tetori e nëntori i vitit 1989, e nëse nuk do të kishte qenë ky nëntor, vështirë se do të vinte pranvera e marsit 1998. Ka një lidhje të hershme mes tyre. Ajo që ndodhi në vitin 1981, solli përgatitjen në vitin për luftën e ardhshme...” dhe kjo shpjegohet në të gjithë elementët që patën protestat e vitit 1981. Në një analizë të thellë, përmes detajesh të holla në veprime, në komunikim, por dhe në personazhe të caktuara të kohës, lidhjet, “baticat dhe zbaticat” komunikuese dhe informative me Tiranën, i sheh si një fuqi mbrojtëse për Kosovën. Bedri islami sjell një këndvështrim të rëndësishëm për këto ngjarje, të cilët kanë rolin e vet të padiskutueshëm në ngjarjen madhore të vitit 1999, me çlirimin e Kosovës nga një pushtues i disafishtë dhe për një kohë të gjatë, si Serbia.
E shkruar me një stil elegant komunikimi, ku një vend të madh zënë detajet, rrjedha e ngjarjeve dhe e kontakteve përmes analizimit politik dhe diplomatik të koncepteve ka bërë që autori të përdorë konceptin e ditarit, ku ditët dhe ngjarjet rrjedhin njëra pas tjetrës. Kjo strukturë e arsyetuar prej tij, ka arritur të sjellë një tablo të gjerësishme veprimesh, personazhesh, konceptesh, por edhe si një ngjarje nga më të rëndësishmet të ndodhura deri në atë kohë. Pjesa më e madhe e eksponentëve të protestave të vitit 1981 do të jenë figurat e njohura të aksionit politik kombëtar për çështjen e Kosovës dhe në ngjarjet e mëvonshme. Ngjarjet e vitit 1981, studiuesi dhe polemisti Bedri Ismali i vlerëson për marrëdhënien që ajo krijoi në shtresat e popullsisë në Kosovë, pasi protesta shpërtheu në shtresën më nevralgjike, më të ditur dhe më të ndjeshme të shoqërisë, atë studentore dhe të trupës akademike të Universitetit të Prishtinës për të valorizuar më poshtë. Shoqëria njerëzore është emancipuar dhe ka bërë hopet e saja të rëndësishme aty ku ka qenë rinia studentore dhe trupa akademike.
Demonstratat e vitit 1981 sollën në skenën politike të Kosovës figura të reja, një frymë të re që nga Uksihin Hoti e të tjerë, të cilët do të shndërroheshin në të ardhmen në pika referuese të mendimit politik për të ardhmen e Kosovës. Në këtë rrjedhë, gjithsesi si një urë komunikimi të kohëve, ngjarjeve, të udhëheqjes politike dhe elitare studiuesi Islami ka afruar në librin e tij një vlerësim të imët për intelektualin e njohur Ukshin Hoti, i cili është një nga figurat emblematike të aksionit politik shqiptar në Kosovë, që nga viti 1981 dhe në vazhdim, fati i të cilit ka mbetur enigmatik në ngjarjet e viteve 1998-1999.
Ngjarjet e vitit 1981, pas ndalimit me dhunë dhe me përndjekje të vazhdueshme të tyre, pasuan në një propagandë të jashtëzakonshme të Beogradit për të ruajtur regjimin totalitar nga njëra anë, por dhe për të vazhduar gjuetinë e shtrigave mbi veprimtarët politik në Kosovë. Për këtë strategji të Beogradit, Bedri Islami shkruan se “… strukturat e regjimit ndërmorën një fushatë arrestimesh e burgosjesh kundër organizatorëve të demonstratave, ndërsa anë institucionet publike, veçanërisht në institucionet shkencore- akademike të Kosovës, nisi diferencimi ideo- politik ndaj gjithë atyre që në forma të ndryshme përkrahën kërkesat e studentëve…” Natyrisht, institucionet që u sulmuan më së shumti ishin Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik dhe Universiteti i Prishtinës, pra qendrat ku përgatitej dhe ekzistonte pjesa më e rëndësishme e elitës së dijes, kulturës dhe mendimit në Kosovë.
Kësaj propagande politike duhej t’i përgjigjej shtresa intelektuale e Kosovës. Elitës intelektuale të Kosovës i dilte për detyrë që të mbante në një nivel komunikimi të vazhdueshëm gjithçka që Beogradi fabrikonte përmes institucioneve të ideologjisë dhe të dhunës. Demonstratat duheshin mbrojtur, si një zhvillim i ri dhe i rëndësishëm në jetën e Kosovës. Mjafton për ta kuptuar këtë një intervistë e akademikut R. Qosja, i cili ndër të tjera thotë:”Me përjashtim të Ukshin Hotit nuk ka kuadër tjetër që ka mbrojtur demonstratat “(1981).
Ukshin Hoti mbetet njëri nga njerëzit më të afërt me ngjarjet e vitit 1981, por dhe më zhvillimet e mëvonshme, ideologu i lëvizjes politike në Kosovë, intelektuali i paepur, profesori në dijet e të cilit plekseshin dija, guximi, njohja, parashikimi, aktualiteti, e shkuara dhe e ardhmja, të interpretuara në zhvillimet e rëndësishme të Kosovës, kur ajo protestonte dhe ishte e detyruar të mos protestonte, kur asaj i vriteshin njerëzit dhe kur burgjet mbusheshin me veprimtarë, kur në skenë shfaqej një popull, i cili duhej orientuar. Ukshin Hoti ishte gjatë gjithë veprimtarisë dhe kontributit tij në syrin e armikut. Filozofia që përçon koncepti i tij, se “Sikur Republika të mos ekzistonte, duhej ta shpiknim”, përbën themelin e gjenialitetit dhe kontributit të tij të çmuar që nga dita kur ai u radhit në radhën e veprimtarëve të çështjes së Kosovës, deri në ditën e fundit, ku fati i tij mbeti enigmë.
Në librin “Triada e Kosovës” Islami i ka lënë një vend të gjerë Konferencës së njohur në Rambuje të Francës. Konferenca është një nga më të rëndësishmet. Faktori ndërkombëtarë ka kuptuar se në Kosovë ka një nyjë të fortë që duhej zgjidhur, kur në horizont ishte shfaqur dhuna verbale e makinës gjakatare të Millosheviqit, ndërsa lëvizja për çlirim në Kosovë ishte shfaqur përmes formacionit të parë ushtarak UÇK-së, i cili po rritej me një shpejtësi të madhe për shkakun e një konflikti të gjatë dhe barbar në rritje nga Beogradi. Ndërkohë për herë të parë, në një vend ku historia njihte me dhjetëra takime, konferenca dhe marrëveshje të rëndësishme për kontinentin dhe botën, SHBA-të kishin arritur të vendosnin në një tavolinë bisedimesh serbët dhe shqiptarët. Po ashtu për herë të parë Çështja e Kosovës po trajtohej nën kujdesin ndërkombëtar.
Studiuesi Bedri Islami e njeh në detaj Konferencën e Rambujesë, përbërjen e saj, çastet e shumta, njerëzit që u shfaqën dhe ata që nuk u shfaqën, ai din mirë dhe “sekrete” të saj, prandaj hapësira që kjo ngjarje zë në libër është e madhe dhe e shkruar me shumë kujdes. Ajo që bie në sy në pjesë të librit lidhet me gjendjen politike në Kosovë, opinioni politik, faktorët, një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe veprimtarësh, po ashtu dhe gjendja kritike. Një ndër zhvillimet e rëndësishme të saj është se në Konferencë kishte një përfaqësim, madje Hashim Thaçi ishte përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës, si përfaqësuesi i UÇK-ë.
Dalja e UÇK-së dhe referimet e shumta, madje dhe në Tiranë, për të si një “organizatë kriminale”, sipas arsyetimit të Beogradit, përbënte “thembrën e Akilit” në ballafaqimin me ndërkombëtarët, veçmas me amerikanët. Mbrojtja e UÇK-së në opinionin dhe përballë opinionit ndërkombëtar ishte njëra nga gjërat më të rëndësishme të konferencës, ashtu siç ishte dhe Marrëveshja. Delegacioni shqiptar ishte gjithëpërfshirës, një mundësi unitariteti për të kuptuar dhe rrugëtimin historik nëpër të cilën kishte kaluar Kosova.
Konferenca, ndoshta më shumë se çdo herë tjetër e kishte vënë Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare, ajo ishte shndërruar në një nyjë e komunikimit global. Kjo kishte shumë rëndësi. Si në një dramë, ku skenat ndryshojnë shpesh, përditë e për natë, Rambujea është vërtetë një skenë e tillë. Në këtë qasje të gjerësishme, ndoshta më e mira dhe më e sakta për këtë ngjarje diplomatike në historinë e para- luftës së Kosovës, Bedri Islami ka sjellë një informacion dhe opinion të jashtëzakonshëm për shumë shtete dhe politika evropiane lidhur me çështjen e Kosovës, figura politikanësh të vjetër dhe të rinj, qëndrime zyrtare dhe jo të njohura nga aktorët ndërkombëtarë, që nga SHBA-të, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, qëndrime dhe angazhime të përditshme të DASH-it, Sekretares Amerikane të Shtetit, Presidentit të SHBA-ve, pra ishte koha kur bota ishte “shkundur” nga apatia dhe mosmirënjohja e çështjes shqiptare.
Po ashtu, në kronikën e gjerësishme të Rambiuje-së spikasin karakteret e shumta njerëzore të politikanëve shqiptarë, komunikimi i Tiranës përmes përfaqësuesve politik, pikat e nxehta dhe momentet e rëndësishme të konferencës përballë diplomacisë hileqare dhe dhelparake të serbëve, kur diskutoheshin çështjet thelbësore të Marrëveshjes. Kështjella e ftohtë kishte shumë rëndësi jo vetëm për fatin e Kosovës e Gadishullin Ballkanik, por dhe të jetëve njerëzore. Në sy bie rritja e përditshme e çdo- ditshme e politikanit të ri Hashim Thaçi. Është thelbësore në këtë rast ajo që thotë presidenti Francës, Shirak, se :”Nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për t’i bërë armët të heshtin. Franca atëherë do t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit t’i jepte të drejtë NATO për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme…”
Në këto rrethana dhe vlera të rëndësishme, “Triada e Kosovës” është një libër që duhet lexuar vazhdimisht, sa herë flitet dhe shkruhet për luftën e Kosovës dhe shtetin e Kosovës.
Libri “Fjalëkryqet e letërsisë” ndoshta është libri më elegant dhe më i gjerësishëm i Bedri Islamit. Jo vetëm për gjerësisnë që ka një libër ku shkruhet për letërsinë, por për mundësinë e gjykimit, vlerësimit dhe ideve që sjell një poet, prozator, publicist, studiues dhe monografist. Në fund të fundit të gjitha kanë pjesën e vet tek një person që merret me letërsi. Bedri Islami siç dëshmojnë dhe bashkëkohësit e tij e ka lidhur jetën e tij, me letërsinë, me krijimin dhe me dëshirën për të shkruar letërsi.
Në profilin e tij ka një kontribut të rëndësishëm, lidhur me qëndrimin që ai ka për poetë, shkrimtarë, studiues, por dhe qëndrimin që ai ka për kohën në raport me shkrimtarët, procesin krijues dhe çështje të tjera, veçmas të letërsisë shqiptare. Eseja “Një dosje për Kadarenë” përveçse është një qëndrim për kohën, d.m.th raporti që sistemi kishte me shkrimtarin, por dhe qëndrimet e tij për letërsinë. Rrugëtimi i shkrimtarit Ismail Kadare në letërsi, krijimtaria e tij, teksti dhe mënyra e leximit të tij, mjetet dhe strukturat moderne të komunikimit që ai ka bërë me lexuesin dhe kohën përbëjnë një model hulumtimi, një model për të zbuluar qëndrimin e një shteti ndaj një shkrimtari, që i bie ndesh herë pas here, por që është e pamundur ta sundosh atë. Lidhur me këtë qëndrim, Islami e nderon shkrimtarin e madh, pasi ai “… si askush nuk e priste, solli dramën e një kombi në një perandori që e ngriti vetë, dhe, duke e ngritur si një piramidë,në secilin moment mund të përballej me zemërime faraonësh...”
“Një dosje për Kadarenë” është një lexim i rëndësishëm për letërsinë nga njëra anë, por është dhe një mundësi specifike për të krijuar një marrëdhënie më të brendshme me shumë nga veprat e autorit, në të cilët përdoret një simbolikë që lejon shtegtimin dhe në zonat e ndaluara. Islami e njeh mirë letërsinë moderne, rrymat dhe erërat që në letërsinë shqiptare vinin pikërisht përmes poetëve dhe shkrimtarëve të talentuar, të cilët shkruanin dhe në rrethana të pafavorshme. Eseja “Një dosje për Kadarenë” ndërton një raport të brendshëm të Islamit me letërsinë, ndërsa zbulon ajsbergun dhe rrugëtimin e vështirë, në tehun e thikës e anës së humnerës së shkrimtarit gjatë gjithë jetës. Ai ishte i përgjuar. Libri “Dosja K.” e një studiuesi dhe hulumtuesi të njohur, shpjegon qartësisht në ç’gjendje gjendej shkrimtari në Shqipëri, sa përgjim kishte ndaj tij, sa dokumente sekrete kishte ndaj tij, si vëzhgohej ai, si lexohej ai, sa i pasigurtë ishte ai? Por Kadare nuk ishte i vetëm, kohët më parë kishin treguar se atë e paraprinin dhe shumë të tjerë, por në fund të fundit dhe kjo ishte një luftë me të keqen. Ndoshta Bedri Islami e thotë më mirë këtë fondament:”E gjerë dhe jonjerëzore ishte detyra e Kadaresë, por nuk ishte më e vogël dhe fitorja e tij...”
Bedri Islami është një krijues aktiv, kurajes, i guximshëm dhe luftëtarë i të vërtetës. Në shtypin e ditës ai mbetet një polemist i shkëlqyer për çështje të rëndësishme dhe fondamentale të jetës moderne shqiptare.
Tiranë – Vlorë, qershor 2022