Një buxhet prej 10 miliardë eurosh, i cilësuar nga kryeministri Edi Rama si historik, por një sallë Kuvendi thuajse e boshatisur. Kjo është panorama që ofroi Parlamenti shqiptar për një nga dokumentet më të rëndësishme financiare të shtetit për vitin 2027.
Pavarësisht rëndësisë që qeveria i ka dhënë projektbuxhetit, duke theksuar se për herë të parë ai arrin shifrën prej 10 miliardë eurosh, interesi i deputetëve për të ndjekur diskutimet në sallë duket krejt tjetër.
Si nga radhët e mazhorancës, ashtu edhe nga ato të opozitës, një pjesë e konsiderueshme e karrigeve janë bosh, ndërsa ministrat dhe deputetët që marrin fjalën prezantojnë shifrat dhe prioritetet financiare për vitin e ardhshëm përpara një numri të kufizuar kolegësh.
Pamja krijon një kontrast të dukshëm mes rëndësisë që i është dhënë publikisht këtij buxheti dhe pjesëmarrjes së ligjvënësve në diskutimet parlamentare.
Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur projektbuxhetin e vitit 2027 si një arritje të rëndësishme të qeverisjes së tij, duke vënë në dukje se për herë të parë financat publike arrijnë në nivelin e 10 miliardë eurove.
Projektbuxheti duhet të ishte njëkohësisht një nga instrumentet kryesore përmes të cilit Kuvendi ushtron kontrollin mbi politikat ekonomike të qeverisë. Pikërisht për këtë arsye, diskutimi i tij konsiderohet ndër momentet më të rëndësishme të veprimtarisë parlamentare
Por pamjet nga seanca tregojnë të kundërtën. Mungesat nuk janë kufizuar vetëm në njërin krah të politikës. Karriget bosh shihen si në anën e socialistëve, ashtu edhe në atë të opozitës, duke ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin me të cilin përfaqësuesit e zgjedhur e ndjekin këtë proces.
