Kryeministri Edi Rama deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Partia Socialiste është forca politike që mendon në radhë të parë për qytetarët me të ardhura të ulëta. Gjatë prezantimit të buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, ai u ndal te ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës ushqimore, duke e cilësuar këtë masë si një mbështetje për familjet shqiptare.
Rama paralajmëroi gjithashtu masa ndaj tregtarëve që mund të përfitojnë nga ulja e taksës pa e reflektuar atë në çmimet për konsumatorët.
“Ne mbetemi ata që ishim që në ditën e parë, besnikë të asaj që jemi, sa kohë i përkasim kësaj partie të mbledhur dhe fuqizuar ndër vite rreth atij trëndafili që është simboli ynë, që do të thotë se ne jemi partia që mendojmë në radhë të parë për ata që fitojnë më pak”, deklaroi kryeministri.
Por ndërsa Rama flet për mbështetjen e shtresave më të varfra, të dhënat e Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw) tregojnë një panoramë tjetër të shpërndarjes së të ardhurave në Shqipëri.
Sipas të dhënave për vitin 2025, 20% e popullsisë shqiptare me të ardhurat më të ulëta përfitonte vetëm 3.6% të totalit të të ardhurave të disponueshme, pas taksave dhe transfertave sociale. Kjo është përqindja më e ulët në Ballkanin Perëndimor.
Në Kosovë, e njëjta shtresë përfiton 6.6% të të ardhurave, në Malin e Zi 4.4%, në Bosnjë-Hercegovinë 4.3%, në Serbi 4.1% dhe në Maqedoninë e Veriut 4%.
Këto të dhëna evidentojnë pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave dhe ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e politikave fiskale dhe sociale për familjet më të varfra.
Një kontrast mes deklaratave politike dhe treguesve ekonomikë, ku mbështetja për më të varfrit duket më e madhe në fjalimet e kryeministrit sesa në pjesën e të ardhurave që u mbetet atyre.
o.p. / dita
