Një prokuror dhe oficer anglez ndodhen në prokurorinë e Lezhës në lidhje me hetimet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Katër të arrestuarit para disa ditësh në Londër të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman.
Ndërsa në kërkim nga policia janë Harry Simpson dhe ekzekutori portugez Ruben Saraiva.
Ata ranë në pranga gjatë një operacioni të koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.
Anglezi Thomas Mithan
Anglezi Thomas Mithan ishte pjesë e skuadrës kriminale të cilët vëzhguan për disa ditë me radhë e më pas ekzekutuan, Ardian Nikulaj. Ai ka dhënë shenjat e para për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Nga deklarimi i tij që ka trajtën e një rrëfimi prej një të penduari të parë nga gjashtë personat, Thomas Mithan ka pranuar se përse kishte ardhur në Shqipëri dhe se çfarë duhet te bënte.
“Çfarë dreqin është kjo? Unë shkova në Shqipëri për pak ditë. Unë nuk doja të ngatërrohesha me atë histori prandaj u ktheva përsëri në Angli. Unë shkova me Harriet në Shqipëri por vendosa të kthehesha”, ka pohuar ai.
Mithan i tha gjykatës se ishte i gatshëm të vendoste 2.000 stërlina si garanci për lirim më kusht. Gjykatësja Neeta Minhas e refuzoi këtë kërkesë me argumentin se jemi përballë një krimi të rëndë për të cilin e kërkonte shteti shqiptarë.
Thomas Mithan do të prangosej në qytetin Bristol në Anglinë Jug Lindore pak pas arrestimit po në këtë qytet të Stephen Hunt ndërsa disa orë më vonë u arrestua Harriet Bridgeman.
Nga skeda e tij penale në prokurorinë angleze CPS, 49 vjeçari Hunt, momentin e arrestimit ishte në një program rehabilitimi për lënien e drogës. Thomas Mithan njihej edhe me emrin David i lindur në 8 Prill 1998. Në 29 Prill 2014 ai do të dënohej me shërbim prove për posedim dhe shpërndarje kokaine.
Britaniku Stephen Hunt
Policia në qytetin Bristol në jug-lindje të Anglisë, së bashku me disa oficerë të NCA, trokitën në derën e Steven Hunt mëngjesin e së shtunës. Ora shënonte 02:30 momenti kur e prangosën bazuar në Kartelën e Kuqe të Interpolit.
Steven Hunt 49 vjeç kërkohet të ekstradohet në Shqipëri si pjesë e skuadrës vëzhguese në vrasjen në bashkëpunim, të 19 prillit në Shëngjin të Ardian Nikulajt. Steven Hunt banues në Bristol, nuk ishte një emër i panjohur për policinë lokale të e Avon dhe Somerset.Historia e tij me krime të një rrezikshmërie jo të lartë, nis në vitin 1999 kur gjykata Bristol Magistrates Court e dënoi atë me 18 muaj burg, kthyer në shërbim prove për dëmtime kriminale dhe sjellje abuzive.
E njëjta gjykatë në vitin 2005 i dha një dënim përmes këshillimit për “kundërshti dhe rezistencë” ndaj arrestimit të policisë. Po ashtu skeda e tij penale tregon se në tetor të vitit 2014 është gjobitur nga gjykata për kundërshtim me forcë të arrestimit pasi ishte në gjendje të dehur.
Steven Hunt është baba i dy fëmijëve 18 dhe 15 vjeç. Në të shkuarën ka punuar si shofer kamioni dhe momentin e arrestimit rezultonte si i papunë. Kur u paraqit në gjykatën e ekstradimeve në Londër Steven Hunt përmes avokatit ofroi një garanci financiare prej 1000 stërlina për t’u liruar me kusht. Gjykatësja Neeta Minhas e refuzoi aplikimin për lirim me kusht.
Steven Hunt, Edmond Haxhia dhe Thomas Mithan do të paraqiten përsëri përpara gjykatës së ekstradimeve të premten e 5 majit.
j.l./ dita
