Nga Orgen Peci
Çfarë duhet të bëjë një shoqëri kur qytetarët kanë protestuar për muaj të tërë, kanë përdorur mjete paqësore, kanë kërkuar të dëgjohen dhe pushteti vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur?
Fatos Tarifa në shkrimin e publikuar në Dita ka një pikë të fortë. Dhuna nuk është provë e forcës politike dhe shkatërrimi i pronës publike nuk është program ndryshimi. Por argumenti i tij ka edhe një boshllëk, nëse nuk merr parasysh çfarë ndodh kur rezistenca paqësore nuk prodhon asnjë reagim politik?
Unë do ta ndaja çështjen në disa plane. Tarifa ka të drejtë për rrezikun e dhunës, por nuk i përgjigjet plotësisht problemit të efektivitetit të protestës Profesori propozon rezistencën paqësore si alternativë ndaj dhunës. Për këtë nuk ka ndonjë kundërshtim të domosdoshëm. Por në tekstin e tij, shembulli i studenteve të ulura në heshtje përpara Kryeministrisë ngre një pyetje të pashmangshme. A nuk është kjo, në thelb, ajo që protestuesit kanë bërë gjatë muajve të fundit, pa arritur ta detyrojnë qeverinë të ndryshojë qëndrim?
Protestuesit kanë dalë vazhdimisht në rrugë, kanë kundërshtuar projekte, kanë ngritur shqetësime për korrupsionin dhe kanë kërkuar përgjegjësi politike. Në këto rrethana nuk mjafton t’u thuash të protestojnë në mënyrë paqësore. Duhet të shpjegosh edhe se si mund të shndërrohet protesta në një forcë që pushteti nuk mund ta shpërfillë.
Paqja është një mënyrë veprimi. Nuk është, në vetvete, një mekanizëm që e detyron pushtetin të dëgjojë. Këtu duhet bërë dallimi midis dy pohimeve: 1- Dhuna mund ta dëmtojë kauzën e protestuesve. 2 – Rezistenca paqësore, në çdo rrethanë, është e mjaftueshme për të arritur qëllimet e tyre.
Pohimi i parë ka një bazë të fortë. I dyti nuk është një e vërtetë universale.
Historia njeh lëvizje paqësore që kanë fituar beteja të mëdha, por suksesi i tyre nuk ka ardhur thjesht sepse pjesëmarrësit kanë qenë paqësorë. Ka ardhur edhe nga krijimi i një kostoje politike për ata që refuzonin të përgjigjeshin.
Kur kryeministri i quan protestuesit «sorra» dhe «korba», dhe për atë që kundërshtohet paqësisht thotë “do bëhet se s’bën”, çfarë mesazhi merr shoqëria? Këtu hyn elementi që mungon në analizën e Tarifës. Përgjegjësia e pushtetit për mënyrën se si i përgjigjet kundërshtimit qytetar.
Në një demokraci, protesta nuk është një e drejtë që qeveria “ua lejon” qytetarëve. Ajo është një nga mekanizmat përmes të cilëve qytetarët kontrollojnë pushtetin. Kur një kryeministër u përgjigjet protestuesve me etiketime përçmuese, në vend që të trajtojë argumentet e tyre, debati ikën nga përmbajtja e kërkesave shkon te denigrimi i atyre që i parashtrojnë.
Kundërshtimet paqësore për Sazanin dhe Zvërnecin kanë vijuar për një kohë të gjatë. Rama ka vazhduar me planet e tij, pa u bindur nga asnjë kundërshtim paqësor publik. Atëherë lind një problem që nuk zgjidhet vetëm duke u kërkuar qytetarëve të jenë edhe më të qetë.
Rama nuk i ka dëgjuar realisht argumentet e tyre, nuk ka ofruar transparencë të mjaftueshme dhe vendimmarrja nuk u ka dhënë qytetarëve mundësi reale për të ndikuar.
Fakti që qeveria ka kompetencë për të marrë vendime nuk do të thotë se çdo vendim i saj është demokratikisht i mjaftueshëm vetëm sepse është marrë nga qeveria. Legjitimiteti demokratik nuk është vetëm e drejta për të qeverisur. Është edhe detyrimi për të dhënë llogari.
A mund të jetë dhuna reagim ndaj shurdhërisë së pushtetit? Kjo është pyetja më e vështirë, sepse kërkon të dallojmë shpjegimin nga justifikimi.
Kur njerëzit nuk dëgjohen, institucionet nuk u përgjigjen, vendimet merren pavarësisht kundërshtimit të tyre, zemërimi përshkallëzohet. Ky është një fenomen që duhet analizuar politikisht dhe shoqërisht, jo thjesht hajde ta dënojmë moralisht.
Por nga kjo nuk rrjedh se dhuna është e drejtë apo e dobishme. Dënimi i dhunës nuk e shfajëson qeverinë nga detyrimi për t’iu përgjigjur shkaqeve të protestës.
Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet reduktuar në këto dy pozicione, që ose je me protestuesit dhe pranon çdo veprim të tyre, ose je kundër dhunës dhe, rrjedhimisht, në anën e pushtetit.
Ka një pozicion të tretë, shumë më të qëndrueshëm. Të mbrosh të drejtën e protestës, të kundërshtosh dhunën dhe, njëkohësisht, të kërkosh llogari nga qeveria për arsyet që e kanë prodhuar konfliktin.
Ka edhe një problem në mënyrën se si Tarifa e përshkruan rininë. Tarifa duket se e mat pjekurinë politike të studentëve me aftësinë e tyre për të paraqitur një program të plotë alternativ për qeverisjen e vendit.
Por a është kjo një kërkesë e drejtë? Një student mund të identifikojë korrupsionin, mungesën e perspektivës, kostot e studimeve dhe arrogancën e pushtetit pa pasur domosdoshmërisht një projekt të plotë për zëvendësimin e sistemit politik. Edhe në këtë pikë, debati duhet të jetë më i nuancuar.
Po sikur pushteti të mos ndiejë asnjë kosto nga kundërshtimi qytetar? Kjo mbetet pyetja kryesore. Pushteti mendon se mund ta shpërfillë protestën pa humbur mbështetje, pa u përballur me presion institucional dhe pa paguar asnjë kosto politike. Çfarë përgjegjësie ka pushteti kur përballë tij ka muaj të tërë kundërshtimi qytetar dhe kur një pjesë e protestuesve beson se zëri i saj nuk ka asnjë ndikim mbi vendimmarrjen?
Paqja nuk do të thotë pasivitet.
DITA
