Rrezon Plana – Prishtinë
Një ditë më parë, Kosova ka pritur në Prishtinë ekipin e Izraelit, për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Por gjatë himnit të Izraelit, disa nga futbollistët e Kombëtares së Kosovës kanë ulur kokat ndërsa një pjesë e stadiumit ka protestuar. Në shumë raportime u tha se ata kthyen shpinën por kjo nuk është e vërtetë.
Sipas raportimeve të mediave kosovare dhe atyre ndërkombëtare përfshirë Associated Press, disa prej tyre ulën kokat dhe ky veprim i futbollistëve dhe i tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” lidhet me protestën ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Edhe mediumi izraelit Sport5 raportoi se katër futbollistë të Kombëtares së Kosovës nuk e respektuan protokollin e zakonshëm gjatë intonimit të himnit izraelit (“Hatikvah”), por në vend se të ktheheshin me shpinë, ata qëndruan me kokën e ulur.
Kthimi me shpinë ishte një gjest i përdorur më herët nga tifozët e kombëtareve të tjera në ndeshjet me Izraelin, si ata të Italisë, ndërsa ulja e kokës ishte ndjekur më parë edhe nga lojtarët e Irlandës.
Si ky qëndrim i disa lojtarëve, ashtu edhe fishkëllimat e shumta nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, u cilësuan si shenjë proteste dhe solidariteti lidhur me konfliktin dhe luftën në Gaza.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe vetë lojtarët nuk kanë dalë me një komunikatë zyrtare për të shpjeguar gjestin individual të këtyre futbollistëve. Megjithatë, ngjarja ka nxitur debate të ashpra në mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë, ku gazetarë dhe analistë të ndryshëm e kanë kritikuar këtë veprim si papjekuri dhe përzierje të politikës në sport, duke kujtuar se Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe se sportistët në fushë përfaqësojnë shtetin e tyre.
DITA
