Nga Orgen Peci
Deklarata e qeverisë gjermane është një paralajmërim diplomatik i formuluar me kujdes, që i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës me një gjuhë që merr rëndësi të veçantë në këtë moment të krizës shqiptare. Pesha e saj qëndron te mënyra se si Berlini lidh kërkesat e qytetarëve shqiptarë me detyrimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën e publikuar nga Deutsche Welle, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, nuk u kufizua te thirrja për qetësi apo te keqardhja për përplasjet. Ai bën dy pohime me rëndësi politike.
Së pari, Shqipëria ka ende detyrime të rëndësishme për të përmbushur në fushën e shtetit të së drejtës. Së dyti, këto nuk janë thjesht kërkesa të Brukselit, por edhe kërkesa që vijnë nga vetë popullsia shqiptare. Pikërisht këtu qëndron thelbi i deklaratës.
Berlini nuk i paraqet protestat si një problem rendi publik, as si konflikt mes pseudo-opozitës dhe mazhorancës. Ai e vendos pakënaqësinë e qytetarëve brenda një problemi më të gjerë, funksionimit të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
Kjo është domethënëse, në rrethanat kur Rama po përpiqet t’i paraqesë protestat si rezultat të manipulimit politik, të ndërhyrjeve të jashtme apo të veprimeve të një pakice të dhunshme.
Kur një qeveri evropiane u kujton autoriteteve shqiptare se kërkesat për shtet të së drejtës burojnë nga vetë qytetarët, ajo i jep pakënaqësisë një dimension që shkon përtej konfliktit të ditës.
Pse është domethënës momenti kur vjen kjo deklaratë? Konteksti është vendimtar. Protestat në Tiranë janë zgjeruar në një lëvizje të fortë dhe të dhunshme kundër qeverisë, me kërkesa që përfshijnë përmirësimin e arsimit, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit.
Në këto rrethana, Gjermania mund të kishte zgjedhur një formulim krejtësisht neutral, duke bërë thirrje për qetësi dhe dialog. Në vend të kësaj, ajo e përqendron mesazhin te shteti i së drejtës dhe korrupsioni. Ky është një dallim i rëndësishëm.
Problemi nuk paraqitet te mënyra se si po zhvillohen protestat, por te arsyeja përse pakënaqësia qytetare është bërë kaq e fortë.
Fjalia më e rëndësishme e Gieses është ajo ku ai thotë se kërkesa të ngjashme ngre edhe popullsia shqiptare. Kjo e zhvendos diskutimin e anëtarësimit në BE nga një raport mes qeverisë dhe institucioneve evropiane te raporti mes qeverisë dhe qytetarëve të saj.
Berlini po i bën Ramës të qartë se anëtarësimi në BE nuk është më një objektiv që mund të matet vetëm me numrin e kapitujve të negociatave të hapur apo të mbyllur. Ai kërkon institucione që funksionojnë, dënim të korrupsionit dhe dorëzim pa mburojë politike të të akuzuarve tek drejtësia si dhe administrim të përgjegjshëm të pasurisë publike. Qytetarët protestojnë sepse besojnë se këto standarde nuk po përmbushen. Qeveria nuk mund të përgjigjet vetëm duke treguar progresin formal të negociatave. Ky është mesazh shumë i qartë në një tekst që në pamje të parë duket i drunjtë.
Për dhunën policore deklarata gjermane është më e rezervuar. Sipas raportimit të DW, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi. Ky është një mesazh i rëndësishëm, sepse shteti i së drejtës nuk testohet vetëm nga aftësia e autoriteteve për të ruajtur rendin. Ai testohet edhe nga mënyra se si ushtrohet ky pushtet.
Policia ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe pronën publike e private. Protestuesit, nga ana tjetër, nuk kanë të drejtë të justifikojnë dhunën, shkatërrimin e pronës apo sulmet ndaj punonjësve të policisë me pakënaqësinë politike. Por as dhuna e disa protestuesve nuk mund të përdoret për të justifikuar automatikisht çdo veprim të policisë.
Përgjegjësitë duhen përcaktuar individualisht dhe mbi bazën e provave.
Një shtet demokratik duhet të jetë në gjendje t’i bëjë të dyja: të ndëshkojë dhunën e paligjshme të protestuesve dhe të hetojë çdo rast të përdorimit të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga policia. Kjo është logjika e shtetit të së drejtës, jo një lëshim ndaj njërës palë.
Giese kujton gjithashtu se Mali i Zi kryeson procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria ndodhet pranë tij, por ka ende punë për të bërë.
Pra, mesazhi është se kriza e tanishme do të sjellë pasoja konkrete për procesin e integrimit, nëse Rama vazhdon t’i trajtojë pakënaqësitë si një problem komunikimi ose rendi publik. Deklarata është një shenjë se Evropa po humbet durimin me Ramën. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse kryeministri do ta lexojë këtë mesazh me realizëm, apo do të vazhdojë ta injorojë. Fundja, jo me kot dikush e këshilloi kohë më parë që të niste të mësonte gjermanisht.
DITA
