Rrjeti tepër sekret që Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përdor për komunikimet e saj të brendshme ka rënë nga sistemi, sipas gjashtë personave të njohur me çështjen. Rrjeti, i quajtur NSANet, u lejon punonjësve të komunikojnë informacione të klasifikuara brenda institucionit.
Deri në këtë pikë nuk ka asnjë provë për një sulm kibernetik, thanë burimet.Ndërsa agjencia po punon për të kuptuar shkallën e problemit, ajo ka vendosur orare të shkallëzuara të mbërritjes në punë për personelin, thanë burimet.
“Agjencia e Sigurisë Kombëtare përjetoi një rënie të përkohshme të shërbimit gjatë mirëmbajtjes rutinë të planifikuar,” tha agjencia në një deklaratë të martën pasdite.
“Ndërsa disa sisteme të brendshme u prekën, kapacitetet kritike për misionin mbeten plotësisht funksionale dhe aftësia jonë për të mbrojtur sigurinë kombëtare vazhdon. Infrastruktura e NSA-së është projektuar me shtresa të shumta rezervë për të ruajtur operacionet gjatë mirëmbajtjes së planifikuar ose ngjarjeve të papritura.”
Një burim i njohur me çështjen i tha CNN-it se rikthimi i rrjetit ishte në proces, por ende nuk kishte përfunduar.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi në Newsmax: “Nuk shohim asnjë provë që ky të ketë qenë një sulm kibernetik. Nuk ka asnjë krizë apo diçka të tillë për të cilën amerikanët duhet të shqetësohen.”

Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se një ndërprerje e NSANet nuk do të ndikonte në aftësinë e agjencisë për t’i komunikuar informacione urgjente të inteligjencës Presidentit Donald Trump, ndërsa ai po udhëton në Azi me avionin presidencial Air Force One.
Të dy burimet përshkruan sisteme të shumta rezervë dhe rrjete alternative që qeveria mund të përdorë për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin, i cili ndodhet aktualisht në Filipine përpara se të niset nesër drejt Kinës për bisedime me liderin kinez Xi Jinping dhe Presidentin rus Vladimir Putin.
NSANet është “më shumë një rrjet rrjetesh dhe nuk ka gjasa që të ekzistojë një ndërprerje e plotë duke pasur parasysh sistemet e shumta rezervë që janë në funksion,” i tha CNN-it një ish-zyrtar i lartë i NSA-së. “Mund të ndikojë në analiza dhe raportime, por për kërkesat me prioritetin më të lartë ata do të gjenin një mënyrë për t’i trajtuar ato. Pra, është alarmante, por me gjasë jo paralizuese.”
Një regjistrim zanor në kutinë postare të punonjësve të NSA-së të martën e përshkroi situatën si “kod i verdhë”, niveli i dytë më i lartë në një sistem me tre shkallë që përcakton nëse punonjësit e NSA-së duhet të paraqiten ose jo në punë në selinë e agjencisë në Fort Meade, Maryland. Regjistrimi udhëzonte personelin jo-emergjent të mbërrinte në punë në mënyrë të shkallëzuara dhe personelin emergjent të paraqitej si zakonisht. Gazeta The New York Times e raportoi e para këtë detaj.
Ndërprerja në agjencinë më të fuqishme të inteligjencës së Amerikës vjen menjëherë pas disa defekteve të mëdha teknologjike që kanë prekur linjat ajrore dhe korporata të tjera në mbarë vendin.
Të gjitha fluturimet në shkallë vendi u pezulluan për orë të tëra të premten pas një dështimi masiv të sistemeve, duke çuar në vonesën ose anulimin e mijëra fluturimeve. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e gjurmoi problemin tek një ruter i vetëm në Arkansas.
Ndërkohë, një ndërprerje masive javën e kaluar që preku produktet e Microsoft-it la njerëz në mbarë botën pa qasje në postën elektronike Outlook dhe takimet në Teams.
Dhe javët e fundit bankat dhe shërbime të tjera kanë përjetuar ndërprerje; të hënën mijëra klientë të Chase Bank raportuan se kishin vështirësi në përdorimin e llogarive të tyre online.
Nuk ka asnjë tregues se ndërprerjet e NSA-së, FAA-së apo Microsoft-it janë shkaktuar nga një sulm kibernetik. Por ato janë shembuj të qartë se si dështimet teknologjike mund të tronditin tregjet dhe potencialisht të kërcënojnë sigurinë kombëtare.
SHBA-ja ndan informacione të inteligjencës me një grup vendesh në atë që njihet si aleanca e shkëmbimit të inteligjencës “Five Eyes” (Pesë Sytë), e cila përfshin SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Zelandën e Re, Australinë dhe Kanadanë. Ky sistem i shkëmbimit të inteligjencës nuk është prekur si pasojë e ndërprerjes së NSANet, sipas një burimi nga një prej këtyre vendeve dhe një ish-zyrtari të inteligjencës amerikane.
Ndërprerja e së martës nuk ishte hera e parë që rrjetet e brendshme kompjuterike të NSA-së pësojnë çrregullime të konsiderueshme. Në vitin 2000, një defekt teknologjik në agjenci nxori jashtë funksionit kompjuterët për gati tre ditë dhe ndërpreu përpunimin e inteligjencës në Fort Meade, kishte deklaruar asokohe një zëdhënës i agjencisë.
Ky artikull me autor Kylie Atwood dhe Haley Britzky u përkthye në Dita nga faqja online e CNN
