Njoftimet dhe nga tregjet e kriptovalutave janë negative dhe mjaft dëshpëruese.
-Dy ditë më parë njoftimet janë se një kolaps i Bitcoin-it kërcënon San Salvadorin, të parin shtet ku kjo monedhë u ligjërua dhe u fut ne përdorim.
-Një lajm tjetër tronditës vjen nga bota e monedhave dixhitale: Manipuluan çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale”: Elon Musk, SpaceX dhe Tesla paditet për 258 miliardë dollarë përvetësime në gjykatën federale me pretendimet se Musk “manipuloi” drejtpërdrejt çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale” të qëllimshme të kryer përmes “Twitter”.
Padia pretendon se kriptomonedha- Dogecoin, që u lançua në vitin 2013, është një “ndërmarrje e paligjshme mashtrimi” e nxitur nga promovimi dhe manipulimi në “Twitter”.
Këto lajme vijnë në një kohë që tronditja në tregjet e kriptomonedhave po shtohet, çka dëshmohet edhe nga fakti se Binance, platforma më e madhe në botë dixhitale për tregtimin e kriptovalutave, ndërpreu përkohësisht pagesat në Bitcoin dhe vlera e Bitcoin ka rënë për më shumë se 10 për qind, ose nën 24 mijë dollarë për copë, që është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020.
Kjo tregon se kriptovalutën më të madhe e kanë goditur problemet makroekonomike, përfshirë edhe inflacionin e madh. Kështu, sipas analistëve, kjo tronditje vazhdon të thellohet me shpejtësi negativisht.
Tashmë, çmimi i Bitcoin është ulur 28% nga një javë më parë dhe tani është -67% nga nivelet më të larta që nga nëntori, duke pësuar një rënie të madhe drejt nën 21 mijë dollarë. Kapitali i tregut është ulur në 430 miliardë dollarë dhe dominimi i tij është zvogëluar me 2% brenda një dite.
-Ndërkaq, vijnë edhe shpërthimet me deklarime të miliarderit Bill Gate, i cili e përshkruan fenomenin që po ndodh si “100 % të bazuar në budallallëkun më të madh teorik”.
Ndërsa bilioneri Warren Buffett deklaroi se nuk do të ofrojë as 25 dollarë për gjithë sasinë e Bitcoin-it që qarkullon në botë. “Nëse ju më thoni, -theksoi ai,- që unë të bëhem zotërues i gjithë sasisë së Bitcoin-it që qarkullon në botë dhe ju ma ofroni atë për 25 dollarë, unë nuk do t’i blija ato, sepse çfarë mund të bëja me to? Në një mënyrë apo tjetrën do të më duhet t’jua shisja përsëri juve. Por me to ju nuk mund të bëni asgjë (ato s’kanë vlerë)”.
Pa dyshim që këto deklarime nuk janë thjesht kundërvënie ndaj Pronarit të “Amazon” (që këto kohë po anancon monedhën e vet dixhitale- Amazon) apo Elon Musk (tashmë i paditur për skemë mashtruese me kriptomonedha), por janë edhe një thirrje për “vigjilencë” për të gjithë investitorët, të mëdhenj e të vegjël, që kanë dhe po investojnë në tregun e kriptomonedhave. Dhe efekti psikologjik, pa dyshim, nuk mund të jetë i pakonsiderueshëm.
Kjo situatë dëshmon se dilemat dhe pikëpyetjet për të ardhmen e kriptomonedhave janë ende të pazgjidhura. Kush do të fitojë? Zhvillimi teknologjik i ndershëm apo manipulimi dhe mashtrimi? Le të presim dhe të shikojmë.
—-
Shkëputur nga një analizë e ekonomistit A.Angjeli, botuar në shtypin e përditshëm
a.d. / dita