Një batutë e ish-presidentit Barack Obama lidhur me renovimet luksoze të Shtëpisë së Bardhë nga Donald Trump ka ndezur një debat publik dhe mediatik mes dy figurave kryesore të politikës amerikane në prag të zgjedhjeve të mesmandatit (midterms).
I gjithë sherri publik nisi kur Obama, gjatë një tubimi elektoral në mbështetje të kandidatëve demokratë, ironizoi përdorimin e tepruar të ngjyrës së artë dhe dekorimeve të reja në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti u shpreh me humor se modifikimet e bëra nga Trump e kishin kthyer rezidencën presidenciale në diçka që duket “sikur Saddam Hussein ka hapur një ‘Cheesecake Factory’”.
Përgjigja nga ana e Trump-it dhe rrethit të tij nuk vonoi. Gjatë një mitingu elektoral, Trump iu kundërpërgjigj me ton serioz kritikave, duke mbrojtur ndryshimet arkitekturore dhe duke theksuar se “Cheesecake Factory” është në fakt një kompani shumë e suksesshme. Madje, anëtarë të kabinetit të tij dhe aleatë politikë u përfshinë në këtë përplasje, duke e cilësuar komentin e Obamës si një fyerje për restorantin popullor dhe qytetarët që e frekuentojnë atë.
Në daljet e tij më të fundit në fushatë, Obama e rihapi temën duke thumbuar sërish administratën dhe Trump-in për reagimin e tyre disproporcional. Obama u shpreh para mbështetësve se rivalët e tij politikë mobilizuan të gjithë aparatin shtetëror për t’iu përgjigjur një batute për restorantin, në vend që të përqendroheshin te zgjidhja e problemeve ekonomike apo inflacioni.
Kjo përplasje ironike po shfrytëzohet nga të dyja kampet si pjesë e retorikës së ditëve të fundit të fushatës elektorale, ku demokratët akuzojnë kundërshtarët për mungesë serioziteti, ndërsa republikanët e përdorin për të sulmuar elitarizmin e drejtuesve demokratë.
m.aleksi / dita
