Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Një lajm që pritej me kohë, por që erdhi krejt “papritur” mbrëmjen e një dite të shtunë, zgjoi vëmendjen e fjetur të qytetarëve të këtij vendi. Dhëndri i Sali Berishës u arrestua, ndërsa vetë Berishës, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar e kishin shpallur të padëshiruar në këto dy vende, iu ndalua tani edhe të dalë nga vendi i tij. Kuptohet lehtë se çdo të thotë kjo.
Nuk dua të flas për akuzat e ngritura ndaj njërit apo tjetrit. Ato i di kushdo. Janë bërë një histori që për vite me radhë rrefehet kudo e nga të gjithë në këtë vend. Dua vetëm të them dy fjalë për rëndësinë e kësaj ngjarjeje.
***
Disa ishin të bindur se do të ndodhte (ndër ta bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve). Disa e prisnin të ndodhte. Të tjerë besonin se mund të ndodhte, si një mundësi, por nuk e dinin sa kohë do të merrte. Disa dyshonin nëse mund të ndodhte. Një pjesë nuk shihnin asnjë mundësi, pra as nuk besonin se do të ndodhte.
Por ndodhi. Dhe në një kuptim real të fjalës, thuajse overnight, pra brenda natës, shumëçka ndryshoi në pritshmëritë e qytetarëve. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur me akronimin SPAK, provoi se është në gjendje – dhe e vendosur – të luajë atë rol, të munguar deri më sot, për ta vendosur drejtësinë në vendin e saj.
***
Në një kohë relativisht të shkurtër—dhe pas dy a tre vitesh dyshimesh e pritshmërish të papërmbushura—SPAK është bërë sot i vetmi institucion shtetëror që respektohet nga publiku dhe tek i cili qytetarët kanë besim. Kanë edhe shpresë. Nuk e kanë këtë besim te qeveria, as te parlamenti, as te mediat, madje ende as edhe te gjykatat.
Në këto 32 e vitet e fundit, edhe pse me një legjitimitet formal, këto institucione nuk arritën të fitonin sado pak besimin e qytetarëve, madje as nuk janë përpjekur ta bënin këtë.
Edhe pse ngritja dhe funksionimi i tyre kishin si parakusht procese formalisht demokratike, vullnetin dhe votën e qytetarëve, proceset u deformuan dhe vetë këto institucione, në pjesën më të madhe të kohës, kanë synuar e kanë vepruar jo në interesin e qytetarëve e jo për të mirën publike, por për interesat e njerëzve që i kanë drejtuar ato, për familjet e tyre dhe për atë pjesë të administratës publike që ka përfituar nga kjo.
***
E keqja që lindi bashkë me demokracinë dhe e deformoi këtë, gjeti terren për t’u zhvilluar e përhapur në kushtet e një shteti ligjor të dobët e në mungesë të ndëshkueshmërisë së njerëzve me pasuri dhe pushtet.
Sigurisht, janë dënuar keqbërës e kriminelë, por këta ishte lehtë t’i shtije në dorë e t’i nxirrje para drejtësisë. Të pushtetshmit, të pasurit dhe ata që kishin lidhje me ta ishin të pakapshëm, të pacënueshëm, të pandëshkueshëm. Këta ishin të mbrojtur. Të mbrojtur edhe nga ata që mision kishin zbatimin e ligjit.
Një dukuri e tillë pa dyshim nuk është vetëm shqiptare, as nuk është një dukuri kryesisht moderne. Në një vend demokratik të konsoliduar, siç është Britania e Madhe, kanë një shprehje ironike që thotë: “Drejtësia është e hapur për të gjithë, njëlloj si Hotel Ritz”.
Soloni, ligjvenësi i famshëm demokrat i Athinës së lashtë, e krahasonte ligjin me rrjetën e merimangës—“krijesat e varfra e të dobta ngecen në të, krijesat e mëdha e të fuqishme e çajnë rrjetën dhe dalin prej saj”.
Kjo ka ndodhur edhe te ne deri më sot. SPAK dhe gjykatat e reja që po ngrihen na japin arsye dhe shpresë të besojmë se mund të mos jetë edhe më tej kështu. Se më në fund, edhe në Shqipëri, askush nuk është mbi ligjin, dhe askush nuk është nën të, çka do të thotë se askush nuk është e s’mund të jetë i përjashtuar nga zbatimi i ligjit. Kjo e dallon shtetin ligjor demokratik nga një shtet autokratik, ose teokratik, nga një sulltanat, nga një oligarki dhe nga një diktaturë.
***
Dëgjova mbrëmë në një kanal televiziv dy “analistë” që komentonin lajmin e ditës. Çuditërisht, sikur të ishin marë vesh më parë, si njëri dhe tjetri e nisën “analizën” e tyre me fjalët cliché se, “natyrisht, arrestimi i çdo njeriu është një ngjarje që s’duhet të gëzojë askënd”.
Wait a minute! Një tjetër qytetar, që s’është “analist”, tha mbrëmë në TV se ai lajm ishte i shumëpritur dhe i mirëpritur (siç mendoj edhe unë vetë) dhe një tjetër pas tij tha: “NJË BRAVO E MADHE PËR SPAK-un” (siç do të thoja edhe unë).
Veprimet dhe rezultatet e kohëve të fundit të kësaj Strukture të Posaçme të ngritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë arrestimet e një numri zyrtarësh e funksionarësh të lartë, si dhe ngjarjen e mbrëmshme, meritojnë të përshëndeten e të përgëzohen. Ato janë ndëshkime të rënda (por tërësisht të merituara) për njerëzit e inkriminuar dhe për familjet e tyre, por duhen vlerësuar dhe kremtuar si një festë për demokracinë.
Kushdo mund ta ketë dëgjuar Berishën të shprehë—dhe të përsërisë me qindra herë—urrejtjen e tij për këtë strukturë të posaçme që lufton korrupsionin dhe krimin, duke e quajtur atë një “vegël” në duart e qeverisë apo të Edi Ramës dhe duke e deformuar në një mënyrë malinje akronim SPAK në SKAP.
Jo nga trimëria, por nga frika. Sepse, i trembur nga të gjitha zullumet që ai dhe familja e tij kanë bërë ndër vite dhe nga fatkeqësitë që Berisha, në krye të shtetit dhe të pushtetit ekzekutiv, i ka shkaktuar këtij vendi, ai ishte i bindur, qysh nga krijimi i saj, se kjo strukturë që deri dje e quante SKAP, realisht të KAP. Siç edhe ka ndodhur. Siç ndodhi edhe mbrëmë me të.
***
Duket se, më në fund, Shqipëria po bëhet një vend normal, një shtet ligjor. Jemi mburrur deri më sot se, të ndihmuar nga të amerikanët dhe nga Bashkimi Europian, ne kemi sot në këtë vend ligjet më të mira. Por edhe ligji më i mirë është shumë i keq dhe i padrejtë, nëse ai nuk zbatohet njëlloj për të gjithë, pasi, para ligjit, të gjithë—edhe qytetarët, edhe ligjvenësit, edhe drejtuesit e shtetit, edhe gjyqtarët—duhet të jenë të barabartë.
Ne s’duhet të harrojmë se, jo vetëm kushtetuta, por edhe ligje të tjera te ne janë ndryshuar jo thjesht nën ndikimin e transformimeve të mëdha e të shpejta që kanë ndodhur në realitetin politik, ekonomik e social të vendit. Shpesh herë, ligjet janë bërë ose janë ndryshuar në përputhje me interesat politike të çastit, duke pasqyruar raportet mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës dhe jo domosdoshmërisht interesat zhvillimore kombëtare afatgjata, sikur këto ligje të ishin shkruar mbi rërë për t’u fshirë me valën e re që sillte ndryshimi i partisë në pushtet.
***
A po fillojmë vërtet të jemi të gjithë të barabartë para ligjit? Edhe ai fermeri i varfër, edhe ai pensionisti që rron i vetëm e pa mbështetje, edhe mësuesi, edhe minatori, edhe shoferi i autobusit, edhe nëpunësi i thjeshtë i administratës, edhe kryetari i zgjedhur për të drejtuar bashkinë apo komunën, edhe deputeti, edhe ministri, edhe kryeministri, edhe kreu i shtetit?
Nëse po, nëse ia arrijmë kësaj dite, nëse kushdo në këtë vend është realisht i barabartë me këdo tjetër para ligjit dhe drejtësisë, mund të themi se e kemi hedhur hapin e madh, atë vendimtarin, për ta lënë pas të shkuarën e për ndërtuar të ardhmen e këtij vendi, të ardhmen për rininë e tij.
Nëse po e arrijmë këtë ditë, SPAK-ut dhe ligjit duhet t’i ruhemi të gjithë njëlloj. Edhe qytetarët që s’kanë asnjë funksion në administratën qendrore apo vendore. Edhe deputetët. Edhe anëtarët e kabinetit qeveritar. Edhe kreu i qeverisë. Edhe kreu i shtetit.
Edhe ata që ishin, edhe këta që janë. Të gjithë jemi njëlloj para ligjit si subjekte njerëzorë; të gjithë meritojmë të njëjtin ndëshkim ligjor për të njëjtën shkelje ligjore ose për të njëjtin krim.
Ligjërisht. Por moralisht më të dënueshme janë sjelljet dhe veprimet e atyre njerëzve, të cilëve ne, qytetarët e kësaj republike, u kemi besuar të hartojnë e të zbatojnë ligjet që administrojnë jetët tona dhe që janë përgjegjës për mirëqenien tonë.
***
Sa për SPAK-un dhe ata djem e vajza të drejtë e kurajozë që punojnë e rrezikojnë për të mirën e këtij vendi dhe për popullin tonë, punën dhe arritjet e tij duhet t’i shohim e t’i vlerësojmë me shpresë. Me shpresë dhe me mirënjohje.
Duke luftuar korrupsionin dhe krimin, SPAK na mbron nga të korruptuarit dhe kriminelët. Me këtë, jetët tona bëhen më të sigurta; qytetarët më kurajozë të denoncojnë korrupsionin dhe krimin kudo e në çdo nivel; funksionarët më të lartë dhe kushdo tjetër në hierarkinë e pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe gjyqësor më të vemendshëm ndaj respektimit të ligjit dhe më të trembur nëse veprojnë në kundërshtim me të.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.