Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Demokracia, pleqëria dhe presidencialet amerikane!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Demokracia, pleqëria dhe presidencialet amerikane!
AnalizaLajmi i fundit

Demokracia, pleqëria dhe presidencialet amerikane!

Published: March 9, 2024
Shpërndaje

Nga Brukseli për DITA

Dr. Jorgji Kote

Zgjedhjet paraprake të ”Super të Martës” më 5 Mars konfirmuan se për herë të parë  në garën për Shtëpinë e Bardhë do të jenë dy kandidatët më të moshuar në historinë amerikane, Presidenti i tanishëm 81 vjeçar Joe Biden  dhe sfidanti i tij 77 vjeçar, ish presidenti Trump.  Pikërisht  mosha e tyre e avancuar është bërë shqetësimi kryesor tani që  fushata paraprake zgjedhore është në kulmet e veta në të dy krahët. Kjo nuk është thjesht çështje emrash dhe emocionesh të rastit, as mungesë respekti apo diskrimini për arsye moshe; kursesi, pavarësisht nga vërejtjet, rezervat dhe dyshimet, sërish respekti për të dy këta personalitete elitare amerikane është i madh. Por fjala këtu  është për një aspekt jetik dhe vitalitetin e demokracisë liberale perendimore; sidomos  për super shtetin më demokratik, ku demokracia lulëzon dhe rinovohet çdo ditë deri në majat më të larta. Dihet se  falë alternimit politik në Shtëpinë e Bardhë kanë ardhur vazhdimisht liderë relativisht më të rinj në moshë, me përvojën e duhur dhe me energji pozitive për të ardhmen.

- Publicitet -

Problemi është se dhe anketimet më të fundit tregojnë se 86 për qind e amerikanëve dhe një shumicë më e vogël dhe brenda kampit demokrat e shohim si shqetësim serioz moshën biologjike të dy kandidatëve; por shumica, gati 60 për qind e tyre  hallin më të madh e kanë me  Presidentin Biden; jo vetëm pse është 81 vjeç, por dhe për disa lapsuse dhe ngatërresa gjatë prononcimeve publike, të cilat kanë bërë xhiro dhe në rrjet. Ndonëse raporti i mjekut mbi kontrollin mjekësor dhe fjalimi tejet i rëndësishëm mbi gjendjen e vendit i mbajtur më 7 Mars ishin qetësuese, prapë ky shqetësim do ta shoqërojë Presidentin Biden  gjatë fushatës dhe më tej.

Ankthi politik shtohet kur mendon se Presidenti Biden përballet me 10 sfida, njera më e vështirë se tjetra, të cilat pritet të ”vulosin” presidencën e tij nëse fiton; mosha e madhe me telashet e veta, djali Hunter nën hetim, ministri i Mbrojtjes me tumor, Ministri i Sigurisë së Brendshme në proces shkarkimi, inflacioni që vazhdon të rritet, emigracioni i pandalshëm nga Meksika me 10.000 azilantë në ditë, bllokimi i ndihmave për Ukrainën nga republikanët, fushata kundër Trump, i cili dhe në anketimet më të fundit  kryeson,  agresioni rus ndaj Ukrainës dhe muajt e fundit shpërthimi i konfliktit tejet kërcënues në Gaza; ky i fundit  ka filluar qysh tani t’i kushtojë goxha fushatës së Biden. Me fjalë të tjera, ky i fundit përballet me kërcënime po aq të rrezikshme sa Kenedi me krizën e Kubës më 1962 dhe Bush me terrorizmin më 2001; me dallimin se Kenedi dhe Bush ishin shumë më të rinj.

Ndërsa te Trump shqetësimi më i madh ka të bëjë me 91 akuzat penale dhe civile të ngritura ndaj tij, kërcënimi për demokracinë dhe Aleancën Transatlantike.

Padyshim që Presidenti Biden gëzon respekt të madh falë personalitetit dhe  përvojës së tij mbi 5 dekada  si senator, 8 vjet si zv. President dhe 4 vjet më parë e  mundi në fushën e betejës zgjedhore “dinosaurin” Donald Trump. Falë kësaj përvoje ai ka një qetësi olimpike të admirueshme, faktor ky i rëndësishëm garancie.

Krahas moshës dhe shëndetit, shqetësimi tjetër madhor është pse në kushtet optimale të demokracisë amerikane nuk  dalin dy kandidatura të tjera fituese, kur atje ka patur dhe ka shumë personalitete rrezatuese nga të dy krahët politikë?

Më konkretisht, 64 vite më parë amerikan u zgjodh presidenti më i ri amerikan, emblematiku, Xhon Kenedi. Në atë kohë jashtë SHBA-ve pati mosbesim nisur nga mosha e tij e re; madje Hrushovi fërkoi duart nga gëzimi për shkak të mungesës së përvojë ushtarake të Kenedit. Mirëpo, u zhgënjye shumë shpejt, përballë shkëlqimit të Kenedit, kur ai e sfidoi Hrushovin në  krizën e raketave me Kubën dhe në ballafaqimin politik dhe ushtarak në Berlin në vitin 1961 mbas ngritjes së Murit të Berlinit. Ndonëse vetëm tre vjet si President, Kenedi mbetet më i riu dhe ndër më të mëdhenjtë presidentë amerikanë të të gjitha kohërave.

Në vitet 90 presidenti Bill Clinton mposhti Bushin historik, me respektin më të madh për të si veteran i luftës, porse “jashtë kohës” për sfidat dhe kërkesat e reja për SHBA-të. Clintoni përballoi me sukses ringritjen e demokracisë, lulëzimin e ekonomisë, ribashkimin gjerman dhe Europian, lejoi bombardimin e Serbisë nga NATO dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës bashkë me Bushin e ri.

Duke iu kthyer shqetësimit të lartpërmendur, praktikisht, liderë kalibri si Biden dhe Trump është  e pamundur t’i rrëzosh me votë dhe brenda partive të tyre, sikur nami të bëhet, për shkak të emrit, famës, lidhjeve, lobingjeve, pushtetit dhe pasurisë. Mirëpo ky tregon difektin demokratik të vetë sistemit në fuqi, kur gjithçka është vendosur qysh tani, pa lenë më asnjë hapësirë dhe mundësi për daljen dhe konkurimin e kandidatëve të tjerë. Ndaj, zgjidhja demokratike, sipas ekspertëve do të ishte që ata të hiqeshin vetë mënjanë dhe  t’u hapnin rrugën  më të rinjve.

Në fakt, kjo dukuri, kur liderë të mëdhenj të shteteve të mëdha demokratike nuk shkulen nga karrikja e pushtetit është vërejtur dhe më parë e gjetkë. Pushtetomania ka bërë që disa prej tyre të qëndrojnë të lidhur mbas karrikës  deri në prag të vdekjes së tyre. Në Gjermani, Konrad Adenauer, “ babai” i Gjermanisë demokratike qëndroi 14 vite Kancelar; megjithëse po i afrohej të 90-ve dhe me probleme shëndetëssore nuk largohej për kiamet e t’ia linte vendin zëvendësit të vet, ministrit legjendar të ekonomisë, Prof. Ludvig Erhard; krijuesi i ”mrekullisë ekonomike dhe shtetit social” gjerman. U dorëzua mbas shumë presionesh dhe vdiq 3 vjet mbas dorëheqjes në moshën 91 vjeçare!

Helmut Kohl, “babai” i ribashkimit gjerman”  më 1998, mbas 16 vite në pushtet  i injoroi  thirjet e bashkëpunëtorëve më të ngushtë që të mos kandidonte për të pestën herë; mirëpo ai vazhdoi në të tijën, duke humbur keq përballë social-demokratit Schroder; humbje e pritshme, sepse Kohli e kishte kryer misionin e nuk kishte ç’ti ofronte më Gjermanisë; ca më tepër që reformat ekonomike kishin mbetur në vend, si pasojë e ribashkimit dhe kërkohej një lider më pranë biznesit.

Ndërkohë, në Britaninë e Madhe Çurçilli emblematik në vitin 1945 humbi përballë laburistit Clement Attlee, sepse njerëzit donin paqe ndërsa Çurçilli ishte i luftës. Gjithsesi, ai nuk hoqi dorë dhe rifitoi në zgjedhjet e vitit 1951. Mirëpo mosha bënte të vetën, shëndeti dhe sëmundjet po, por ai nuk hiqte dorë dhe pse kishte kaluar të tetëdhjetat.   Puna arriti deri sa të dremiste në mbledhje, i binte të fikët deri sa pësoi goditje në tru. Në këto kushte, Mbretëresha Elisabeta II i shkoi për vizitë në shtëpi, çka sipas kodit mbretëror ishte ftesa e butë për të dhënë dorëheqjen, që ai e bëri të nesërmen. Vdiq pak vite më vonë, në moshën 91 vjeçare, i nderuar kudo. Gjithnjë duke iu referuar vetëm vendeve me sisteme demokratike pluraliste, kështu ka ndodhur dhe me Abedelaziz Buteflika në Algjeri; e dëgjoja  emrin e tij në radio  qysh i vogël në vitet 60 si ministër i jashtëm për 15 vite deri më 1978; pastaj nga viti 1999 – 2019, 20 vite rresht President i Republikës! U sëmur, pësoi hemoragji celebrale, u paralizua dhe prapë me “këmbë zvarrë“ derisa me pahir e çuan në shtëpi ku vdiq 2 vite më vonë në moshën 89 vjeçare!

Ndërsa 45 vite më parë, në dhjetor 1978, kur shkova me shërbim në Beirut, emri i parë që lexova në Gazeta ishte  Mishel Aouen, gjeneral dhe komandanti i ushtrisë libaneze.  U habita 3 – 4 vite më parë kur pashë se ishte ende president në moshën 89 vjeçare, megjithë skandalet në Beirut, korrupsionin dhe shkatërrimin e portit, ndonëse mezi mbahej në këmbë dhe e zinte gjumi nëpër mbledhje kur jashtë bëhej nami ai nuk tundej! Mezi u largua ditën e fundit të mandatit nga pallati presidencial, por sërish me pohimin se karriera e tij politike nuk kishte marrë ende fund!!!

Këto dhe të tjera raste, sipas politologëve dhe analistëve tregojnë se ndonëse këta njerëz të shquar dhe demokratë të mëdhenj kanë kontribuar jashtëzakonisht për sigurinë, paqen dhe demokracinë,  ata “ ngelen në klasë” kur vjen puna te rotacioni politik, sepse duan të gozhdohen në zyrë. U duket se bota  përmbyset pa ta, nuk jetojnë dot  pa pushtet, pa imazh, pa vëmendje publike! Mirëpo, kësisoj, ata vetë bëhen pengesë për përparimin e demokracisë, duke e “hipotekuar atë si pronë  të tyre!

Këtë të vërtetë e dëshmojnë dhe më shumë raste të tjera, kur presidentë dhe kryeministra po aq të mëdhenj, kanë ikur vetë kur u ka ardhur koha apo dhe më parë, duke u çelur rrugën  pasardhësve të tyre më të rinj dhe me përvojë premtuese.

Kështu, në SHBA, Carteri 100 vjeçar ka gati 50 vjet larg Shtëpisë së Bardhë, por falë misioneve të tij të paqes dhe ndërmjetësimit nëpër konflikte kudo në botë, ka fituar famë dhe më të madhe se kur ishte president! Madje, ka marrë dhe Nobelin për paqe! Po kështu Clinton dhe Obama tejet aktivë në SHBA dhe kudo në botë!

Në Gjermani, ish Kancelari Schmidt të cilin e larguan me një votbesim të dyshimtë që prej asaj kohe nuk përsëritet më u largua me dinjitet dhe nuk pranoi rikthimin.  Gjatë 34 viteve jashtë kancelarisë derisa u largua nga kjo botë, ai botoi 30 “ best seller” gjeopolitikë, e ftonin kudo në botë  të ligjëronte; të gjithë liderët gjermanë  shkonin për ta pyetur mbi zhvillimet politike. Konsiderohet “kancelari më i mençur dhe i zemrave” gjermane! Po ashtu, Angela Merkel, bëri të kundërtën e  Kohlit mbas 16 vite si kancelare; ajo më 2019 dha dorëheqjen nga kreu i CDU-së dhe njoftoi moskandidimin për të pestën herë si kancelare, edhe pse ishte vetëm 64 vjeç.

Në Londër, Zonja e Hekurt Thatcher, e cila në nëntor 1990, përballë revoltës së shumicës së  deputetëve të vet, edhe pse mund ta zgjaste pushtetin e saj, zgjodhi dorëheqjen me dinjitet,  duke mbetur  presidente nderi e Partisë Konservatore.

Edhe Kancelari i shquar austriak Franz Vranicki dha dorëheqjen në kulmin e suksesit të tij mbas 12 vitesh në krye të koalicionit të madh konservatorët e djathtë. Dy muaj më vonë, në mars 1997 erdhi i Dërguar i Posaçëm i OSBE-së per krizën në vendin tonë. Para fatin ta shoqëroj dhe si përkthyes në ato 8 muaj të jahtëzakonshëm, njeri i thjeshtë, i qartë, modest. Vazhdon të punojë si këshilltar në njerën prej bankave më të mëdha vjeneze, zanati i tij i parë!

Po ashtu, presidenti i mirënjohur finlandez, Marti Ahtisaari, ndonëse në moshë premtuese nuk kërkoi mandat të dytë  presidencial në vitin 2000, duke ia lënë  stafetën një Zonje të madhe si Tarja Halonen. Vijoi derisa u nda nga jeta disa muaj më parë me misione të shumta në çdo cep të botës dhe sidomos me Kosovën, duke u nderuar dhe me Nobelin për Paqe.

Ndryshon puna në Itali, ku presidenti i tanishëm 81 vjeçar Serxhio Mattarela kërkoi pa hezitim largimin mbas mbarimit të mandatit të parë, por qëndroi vetëm mbas lutjeve të shumta nga të gjitha forcat politike, se vetëm kështu shmangej kriza dhe zgjedhjet e reja, ndonëse ai nuk është president i zgjedhur direkt nga populli.

Shpresojmë që këto pësime dhe mësime të ndihmojnë sadopak dhe partitë tona  politike, në pushtet dhe në opozitë, që të “hapin krahun” kur vjen koha, kur u shteron misioni dhe vizioni, duke përgatitur e duke lënë pas kandidatë të duhur.

Së fundi, urojmë që fushata presidenciale amerikane të ketë sukses, shëndet dhe jetë  të dy kandidatëve presidencialë amerikanë dhe në veçanti Presidetit Joe Biden.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Pse nuk duhet të mbyllim sytë para asaj që po ndodh në Gaza?
  • U hodh për të notuar dhe nuk doli më, zhduket në liqen bashkëshorti i ministres italiane
  • Rama replikon me aktivistin: “F*ck You” u thashë atyre që më akuzojnë
  • FOTO: Policia largon me forcë protestuesit që kaluan natën te Kryeministria
  • Kthesë në retorikën e Ramës: Pranon se protestuesit kanë halle reale

Komentet e Fundit

  1. Zylfikar Pinduk on HISTORI: Kryekomandanti me origjinë shqiptare që ka mbiemrin më të njohur por edhe më të çuditshëm në Greqi
  2. Partizani on Vajzat e Revolucionit të Flamingove
  3. Partizani on VIDEO: Veprimi i këtij polici në protestë flet më shumë se fjalimet dhe kordonet ndarës
  4. Partizani on Banorët e Nivicës refuzojnë takimin me Ramën
  5. Partizani on Aleksandar Vuçiç njofton dorëheqjen: Do të jem president edhe për disa javë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?