“Edhe sot, po të isha në atë detyrë, nuk do ta kisha firmosur privatizimin e kompleksit Partizani. E firmosi ai që më zëvendësoi!” Me këtë deklaratë të fortë u largua nga ambientet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, një nga dëshmitarët kyç të thirrur nga SPAK në procesin maratonë për dosjen “Partizani”, ku mes të pandehurve figurojnë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Gjatë dëshmisë së tij para togave të zeza, ish-komandanti i Mbështetjes Logjistike tregoi me detaje kundërshtitë e tij institucionale ndaj privatizimit të ish-kompleksit sportiv dhe presionin e drejtpërdrejtë që kishte hasur nga funksionarët e lartë të pushtetit të atëhershëm.
Presioni mbi Ushtrinë dhe ndërhyrja e Antikorrupsionit
Qirjazi spjegoi se kërkesat administrative për të firmosur dokumentacionin e privatizimit kishin vijuar me ngulm, edhe pse prona nuk ishte fare nën administrimin e komandës që ai drejtonte. Ish-gjenerali zbuloi se ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i kishte kërkuar personalisht hedhjen e firmës, duke i pohuar se ky veprim po i kërkohej me insistim edhe vetë ministrit nga nivele më të larta.
”Në periudhën 2008–2009 kam qenë komandant i Mbështetjes Logjistike. Në mars 2009 u njoha me urdhrin e ministrit Gazmend Oketa për të firmosur shitjen e klubit ‘Partizani’. Ne nuk kishim asnjë lidhje me atë pronë, ndaj vura në dijeni si ministrin, ashtu edhe Shefin e Shtabit. Më pas erdhi një ekip nga Drejtoria e Antikorrupsionit që më kërkoi llogari pse nuk firmosja. U dorëzova të gjithë dokumentacionin zyrtar.”
Qirjazi tregoi më tej se si pasojë e refuzimit të tij, Drejtoria e Antikorrupsionit hartoi dy raporte ku rekomandohej masë disiplinore ndaj tij, duke shmangur faktin legal se Komanda e Logjistikës nuk kishte asnjë tagër mbi pronën.
Përballë kësaj situate tensioni, ai kërkoi ndërhyrjen e Presidentit të kohës (dhe Komandantit të Përgjithshëm të FA), Bamir Topi:
”E pashë që situata u rëndua dhe i dërgova shkresë Presidentit Bamir Topi. Kur më priti në takim, më tha prerë: ‘Vazhdo dhe me përpikëri me zbatimin e ligjit!’. Më pas takova sërish ministrin Oketa, i cili më telefonoi e më tha se duhej firmosur patjetër sepse po ia kërkonin edhe atij. Por unë nuk mund të firmosja për një aset që nuk e zotëroja.”
Dëshmia e ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Qëndrimin e Qirjazit e konfirmoi para trupit gjykues edhe ish-eprori i tij direkt, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Maksim Malaj. Ushtaraku i lartë pranoi se është përballur me kërkesa të vazhdueshme verbale dhe me shkresë zyrtare direkte nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes:
“Më kërkohej me këmbëngulje ta dorëzoja e ta firmosja. Por ne nuk e kishim në ruajtje e as në administrim klubit Partizani. Këtë procedurë e kërkonte në mënyrë të drejtpërdrejtë ministri Gazmend Oketa.”
Kujtojmë se gjatë dëshmisë së tij në GJKKO në korrik të këtij viti, Oketa kishte mbrojtur ligjshmërinë e procesit dhe qëndrimin e Berishës, duke pretenduar se kompleksi thjesht iu rikthye pronarëve të ligjshëm.
Fatmir Mediu: “Privatizimi nisi në kohën e PS-së, s’kam mbajtur mend çdo shkresë”
Në të njëjtën seancë dëshmoi edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, nën drejtimin e të cilit nisi marrja e masave të para procedurale me ardhjen e mazhorancës së djathtë në pushtet.
Mediu u shpreh para togave të zeza se në atë periudhë dikasteri i tij kishte prioritet absolut anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe jo statusin e terreneve sportive, ndërsa këmbënguli se zanafilla e privatizimit daton që nga qeverisja e mëparshme socialiste.
”Klubi nuk ka qenë në fokusin tim si ministër. Ministria e Mbrojtjes është autoritet politik dhe ministri nuk përpilon shkresa teknike, por vetëm firmos dokumente që i vijnë të përgatitura nga strukturat vartëse. Firmosja 10 deri në 100 shkresa në ditë dhe nuk mund të mbaj mend çdo detaj.”
Mediu solli në vëmendje se korrespondenca për klubin “Partizani” kishte nisur që në vitin 2002 nga ministrat e kohës, Pandeli Majko dhe Anastas Angjeli. Sipas tij, ushtria pësoi reduktim drastik dhe pronat pa funksion ushtarak që rrezikonin të uzurpoheshin po privatizoheshin apo u ktheheshin pronarëve në përputhje me standardet e mbrojtjes dhe nën konsultim me ekspertët e NATO-s e Pentagonit.
Zyrtarët e tjerë dhe hapat e mëtejshëm
Në seancë dëshmoi gjithashtu Justina Boriçi, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Megjithëse SPAK analizon në dosje se procedurat e kthimit të pronës te privatët morën një ritëm të paprecedentë menjëherë pas emërimit të saj dhe një takimi në zyrën e Berishës, Boriçi mohoi të kishte pasur ndikim apo ndërhyrje të paligjshme mbi detyrën e saj.
Gjyqi për dosjen “Partizani” do të vijojë me seancën e radhës më 25 nëntor, ku janë thirrur për të dëshmuar ish-zyrtarë të tjerë me peshë nga Ministria e Mbrojtjes, mes të cilëve Besnik Dervishi, Roland Llazari, Bari Hodaj, Ardian Shashaj dhe Erinda Ndroqi.
DITA
