Nga Tatiana Kurtiqi
Historia e Shqipërisë i përjeton dhe i dëshmon ngjarjet.
Për të kuptuar çka ndodh sot me Kombin Shqiptar, le ta çojmë mendjen te koha kur Shqipëria ende nuk ishte pavarësuar prej pushtuesve osmanë. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, në tryezat e të mëdhenjve, silleshin vërdallë lakmitë e fqinjëve, që rrëmbyen copëra trojesh shqiptare.
***
Po publikojmë këtu jetëshkrimin e DHOSI (DHOSKE) PAPANAUM VITHKUQARIT, patriot i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Dëshmor i Atdheut. Vëllezërit patriotë Thanas Papanaum Vithkuqari (Dhaskal) dhe Dhosi Papanaum Vithkuqari kanë qënë paraardhës të trungut të origjinës së autores. Mes shënimeve të babait të saj të ndjerë Ligor Thimi Prifti, ajo ka gjetur edhe një copë gazete të vjetër, prej nga janë nxjerrë fotot. Atje shënohej pozicioni dhe emri i Dhoskë Vithkuqarit.
Në librin “Valët e detit” të patriotit Spiro R. Dine janë përfshirë këngë popullore për secilin nga këta protagonistë. Tekstet e këngëve janë në fund të jetëshkrimit.
Të interesuarit mund të gjejnë më shumë informacion tek shkrimi në vijim.
DHOSI (DHOSKE) PAPANAUM VITHKUQARI
(lindur rreth vitit 1865 – vdekur mes viteve 1902-1907)
Dhosi (Dhoskë) Papanaum Vithkuqari mësoi që i vogël shqip, greqisht e latinisht nga babai i tij Papa Naum Kostallari (Vithkuqari) dhe vëllai i madh Dhaskal Thanas Papanaum Vithkuqari. Gjatë përvojave të jetës ai mësoi autodidakt edhe maqedonisht.
Vëllai i Dhoskës, mësuesi patriot Thanas Papanaum Vithkuqari, u vra në një pritë në Sevranj të Skraparit në dhjetor të vitit 1885 me porosi të autoriteteve turke të Vilajetit të Manastirit.
Kur u vra Thanasi, Dhoska ishte beqar 19-20 vjeçar, me një shpirt të ndjeshëm atdhetar dhe urrejtje të papërmbajtur ndaj pushtuesve. Kjo ra në sy të autoriteteve dhe, pas vrasjes së të vëllait, ai përndiqej. Për të lehtësuar barrën ekonomike të familjes, por edhe për t’iu larguar përndjekjeve e hasmërive të krijuara, Dhoska dhe vëllai i tij i mesëm Jorgji, kishin shkuar të punonin në Vlorë. Atje, bashkë me disa vithkuqarë të tjerë, bënin dru e qymyr për t’i shitur. Por Dhoska nuk qëndroi gjatë. Ai iu bashkua si kaçak komitëve që luftonin për liri, i shtyrë edhe nga motivi për të marrë hakun e vëllait patriot, të vrarë pabesisht nga osmanllinjtë. Pas largimit të Dhoskës, administrata turke arrestoi në punë e sipër edhe vëllanë tjetër, Jorgjin, i cili punonte për bukën e fëmijëve të vegjël. Jorgji ishte i vetmi burrë që tashmë duhej t’i përgjigjej familjes, ndaj më pas, falë një amnistie, ai u lirua.
Komita e komandant Skotidhit dhe Nazarit (Llazarit), së cilës Dhoska i qe bashkuar fillimisht, kalonte shpesh nga tokat shqiptare në ato maqedone e greke. Në vitin 1888, kur kalonin në zonat pranë Manastirit (sot Bitola në Maqedoni), Dhoska takohej ilegalisht me vithkuqarë të shpërngulur që jetonin atje. Aso kohe në Manastir jetonin rreth 250 familje vithkuqarësh. I ndihmuar nga patrioti vithkuqar Ndrio Deti, banues në Manastir, Dhoska arriti të merrte informacion se ku ndodhej Allaj Bej Ago, oficeri i lartë turk, kreu i Nizamërisë së Vilajetit që kishte urdhëruar vrasjen e vëllait të tij, Dhaskal Thanas Papanaum Vithkuqarit. Në krye të një grupi prej 5-6 pjesëtarësh të komitës, Dhoska arriti të depërtonte mes nizamëve që ruanin Komandën e Vilajetit të Manastirit dhe kapi rob Allaj Bej Agon me gjithë të birin. I tërhoqën ata deri në malin Magarovë. Më pas e lëshuan të birin, që t’i njoftonte autoritetet turke se duhet të paguanin për ta marrë të gjallë Allaj Bej Agon. Turqit e dërguan pagesën, por ndërkohë, në kodrat përmbi Magarovë, rrethuan befasisht komitën shqiptare me taborë nizamësh. Gjatë përleshjes me armë Dhoska e vrau Allaj Bej Agon dhe, bashkë me shokët, çanë rrethimin duke u larguar drejt tokës shqiptare. Mbi trupin e vrarë të Allaj Bej Agos ai la këtë shënim:
“E vrava unë, Dhosi Vithkuqari, për të marrë hakun e vëllait, Dhaskal Thanas Papanaum Vithkuqarit, të vrarë me urdhërin e tij.”
Menjëherë pas ngjarjes Sulltani shpërndau shpallje se do të paguante një shumë të majme florinjsh për ata që do t’i sillnin kokën e Dhosi Vithkuqarit. Disa vjetë me radhë Dhoska bëri jetë ilegale kaçakësh, në pritje të ndonjë amnistije apo faljeje (“yrrjeti” ). Por, ndërsa shokët e tij u falën dhe komita e tyre gradualisht u shpërnda, për Dhoskën nuk ndryshoi asnjëherë dënimi i caktuar. Atëherë Dhosi Papanaum Vithkuqari iu bashkua Çetës Patriotike të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos dhe vazhdoi të luftonte për liri.
Nga sa u mësua më vonë, për t’iu shpëtuar përndjekjeve, Dhoska kish qëndruar për një farë kohe në Pire të Greqisë, i veshur si polic trafiku. Atje përdorte një pasaportë të falsifikuar me emër tjetër. Pastaj kish ndërruar përsëri emrin dhe që strehuar në një manastir fetar në Greqi, në fshatrat pranë Filatit, ku punonte si roje e njihej me pseudonimin “Çelo”. Këtë pseudonim e mbante edhe kur ishte kaçak. Tek ky manastir e zbuluan dhe e vranë spiunët për t’ia dërguar Sulltanit kokën e tij.
Pas disa kohësh i vëllai Jorgji dhe nipi i Dhoskës, Thimi Thanas Prifti (Vithkuqi), tok me kushëririn e parë, Dhoskën nga Trebicka, shkuan në manastirin ku kish qëndruar të pyesnin për fatin e tij. Igumeni i manastirit u rrëfeu ngjarjen tragjike të vrasjes së “Çelos”. Disa nizamë apo spiunë e kishin vrarë natën, në gjumë, dhe ia kishin marrë kokën. Varrimi i Dhoskës ishte bërë po aty nga njerëzit e manastirit. Igumeni u tregoi atyre edhe konakun e Dhoskës, ku kishte ruajtur sendet e tij personale: një pllakë (qostek) argjendi për të mbrojtur gjoksin, një anteri (jelek me mëngë që vareshin në shpinë), një kondo (vetëm jelek i ri, i papërdorur) dhe një fustanellë e përdorur. Këto sende nipi i tij, Thimi, i mori me vete. Ato ruhen si kujtime të çmuara familjare ndër 4-5 breza pasardhës e ndodhen deri sot, në familjen e Gjergji Ligor Priftit. Veshjet ishin kostumi popullor tradicional i beqarisë që Dhoska kish marrë me vete, ndërsa fustanella ishte përdorur kur ai ishte kaçak. Një pjesë e fustanellës ruan ende sot njollat e thara të gjakut nga dita e vrasjes së Dhosi Papanaum Vithkuqarit.
Viti i vrasjes së Dhosi Papanaum Vithkuqarit nuk dihet saktësisht, por mendohet të jetë vrarë midis viteve 1902-1907. Dhosi (Dhoskë) Vithkuqari vdiq beqar, i pamartuar, nuk la fëmijë.
Në librin “Valët e Detit”, patrioti rilindas, folkloristi Spiro R. Dine ka përfshirë edhe këngët popullore kushtuar vëllezërve trima atdhetarë Thanas e Dhosi Papanaum Vithkuqari. Ata të dy, si dhe babai i tyre Papa Naum (Kostallari) Vithkuqari, në vitin 1982, me Dekretin Nr. 6660 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, janë dekoruar me Urdhërin e Klasit të II Për veprimtari patriotike, me motivacionin: “Si aktivist i dalluar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ka dhënë ndihmesë me vlerë me pjesëmarrjen e tij në luftën për Liri, Pavarësi, për tërësinë e tokave shqiptare dhe për bashkimin e tyre në një shtet të lirë”. Gjithashtu, në vitin 2017, me vendim të Komisionit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, të tre këta patriotë të Rilindjes Kombëtare, babai dhe dy djemtë e tij, janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.

Më poshtë janë tekstet e këngëve popullore për Thanas e Dhosi Vithkuqarin, nxjerrë nga libri “Valët e Detit” i Spiro R. Dines.
THANAS VITHKUQARIT
(Nga “Këngë popullore të Rrethit të Korçës”, botuar më 1982 prej Akademisë së Shkencave,
Instituti i Folklorit (f. 84-85), sipas librit “Valët e Detit” të S. R..Dines – AIK 640/1,)
Ç ‘u nise nga Vlora konak më konak
Thanas Vithkuqari1) seç na re në gjak!
Mbi Sevranj të shkretë ta zunë pusinë,
Të thërret ky Bilka: – Hidhe kapakllinë!
– Hiqmu Bilkë Prishta, mos më prish shtëpinë,
Nuk e flak Thanasi i gjallë kapakllinë!
Seç i shtiri Bilka, i këput gjerdanë,
I shtiri Thanasi, e priti në ballë.
Seç thirri ky Bilka: “Shokë, më merrni haknë!”
Ore Bilkë Prishta, komandar i marrë,
Si s’e pate njohur Thanas Vithkuqarë!
—
1) Thanas Papanaum Vithkuqari ishte mësues në Vithkuq. Për shkak të përpjekjeve për mësimin e Gjuhës Shqipe, hyri në kontradiktë me agjentët e Patrikanës dhe qeveritarët turq, ndaj u pushua nga puna. Me porosi të autoriteteve turke, çeta e Bilkë Prishtës i zuri pritë në Sevranj të Skraparit, kur po kthehej nga Vlora me një karvan udhëtarësh. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1885.
***
DHOSKE VITHKUQARIT
(Nga “Valët e Detit” i Spiro R. Dines, MH/III, f. 44-45)
Brenda në Manastir shumë xhandarë.
Kapedan Skotidhi me ca shqipëtarë
Vinë që nga mali si tabor nizamë,
Venë në Manastir për të marrë sllavë.
Seç muarr të birë dhe Allaj Be Aganë
Kapedan Çeloja1) me ca shqipëtarë.
Që në Shënedjelë gjer Bair mëhallë
Pusinë ç’e zunë t’i kapin të gjallë.
Dhosi Vithkuqari2) me yrysht të parë,
Dyfekun në duar, fishekët mënjanë,
Dhoskë Vithkuqari, bashkë me Nazarë
Përmi Magarovë seç bënë ca fjalë.
Iu tha kallauzi, këtu me ngadalë
Se është Myshyri me shumë nizamë.
Fillall u hoth Dhosi bashkë me Nazarë3)
Kallauz’ e gjorë për fill desh e vranë:
“Më t’u thaftë goja, pse s’na the më parë,
Të vinim si trimat, ta merrnim Pashanë.”
Pes’ a gjashtë turq, të tjerët andarë,
Njëzetë me guna, të tjerët me larë.
Gjithëkush, secili pesë okë kollanë.4)
Përmbi Sina Gorë5), atje në një breg,
Thirrë berihajnë dhe ra një dyfek.
——————————————————————————-
1) Çeloja – është pseudonim i Dhoskë Vithkuqarit
2) Sqarim i Spiro R. Dines: Ky Dhosi, pas vrasjes së vëllajt, Thanasit më 1885, të cilin e vranë armiqtë me të pabesë, edhe që të marrë hakun e të vëllajt, dolli kaçak. Më 1888 bëri shumë trimëri të madhe, sa vate dhe në Manastir me kapedan Skotidhë dhe zunë Pashanë me të birë. (S.D)
3) Nazar: Llazar
4) kollanë; rripat me fishekë (S.D.)
5) Emër fshati, bullgarisht (S.D.)