Nga Ylli Pata
Vërshimi i listave dhe basteve për ministrat e rinj, është një rit i vjetër mediatik, i cili bëhet shpesh edhe në vende të tjera.
Parë nga tradita, probabiliteti i listave të botuara, varet nga pesha e lobeve politike dhe jo, të cilat tentojnë të ndikojnë për të treguar peshën e tyre. Por në PS-në e Edi Ramës, duket se pesha e lobeve dhe grupeve të ndryshme nuk është aq e fortë sa të luajnë fort për t’u imponuar apo propozuar në listën e qeverisë, siç ndodh zakonisht në vendet e tjera perëndimore, ku fraksionet apo grupet e ndryshme, por edhe drejtues të rëndësishëm politikë dalin hapur dhe propozojnë e propozohen për të hyrë në qeveri.
Ky është një zhvillim normal ku interesat, kapacitetet dhe ambicjet kërkojnë të maten me kontrobutin dhe peshën politike. Tek ne kjo ka ndodhur më shumë në PS-në e Fatos Nanos, ku grupet ishin më të ndara dhe të zhurmshme.
Nuk mungojnë as në PS-në e sotme, thjesht e nxjerrin kokën në publik në mënyrë më të ndrojtur, për të mos lejuar të rikrijojnë atë që Rama kur mori drejtimin e PS në 2005 e quajti “stop telenovelës”.
Në mandatin e parë dhe gjysmën e mandatit të dytë, përkatësisht deri në protestat e studentëve të dhjetorit 2018, ministrat në qeveritë e Edi Ramës kanë qenë më politikë. Shumica e tyre ishin anëtarë kryesie dhe drejtues politikë qarqesh.
Situata ndryshoi më vonë, duke rritur emrat e rinj, të cilët thuajse të gjithë hynë në PS, duke u zgjedhur deputetë. Kjo ndodhi edhe me ministrat e rinj që hynë në garën e 11 majit si Piro Vëngu apo Ervin Hoxha. Ministrja Mirela Kumbaro, përshembull, e cila hyri në 2013-n si ministre Kulture nga katedra e universitetit, tashmë është një veterane jo vetëm në qeveri, por edhe si drejtuese politike në qarkun e Gjirokastrës.
Gjasat, në qeverinë e katërt, duket se janë për të pasur dy elementë, rinovimin e kabinetit sipas modelit që ndodhi me grupin parlamentar, si dhe afrimi i mundshëm i personazheve nga komuniteti i opozitës.
Në kuadër të këtyre elementëve të rinj, ajo që pritet është cilësia e ministrave, ngaqë objektiv kryesor është mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian.
Procesi kërkon jo thjesht nëpunës sistematikë apo politikanë oratorë, por menaxherë dinamikë për të përballuar një proces shumë të komplikuar dhe kërkues, siç janë provimet e armatës së teknokratëve të Brukselit.
Në këtë fazë politike që është PS-ja, e cila kontrollon edhe qeverinë edhe pushtetin vendor, nuk ka nevojë për të emëruar ministra që t’i promovojë politikisht, pasi ka një inflacion personazhesh tashmë të njohura.
Ajo që kërkohet është cilësia e punës, e sidomos rezultatet cilësore dhe sasiore të anëtarëve të qeverisë, por që është boomerang më vete. Një ministër i fuqishëm, mund të kthehet në një politikan me peshë dhe popullor, duke thyer skemat e duke hyrë në përplasje me lobe të fuqishme si brenda PS-së, por edhe me qarqet e tjera mediatike e financiare.
Kur kjo ka ndodhur në Shqipëri, personazhet e fuqishëm apo proaktivë janë sulmuar, madje deri në bllokimin e karrierave të tyre politike. Emrat janë shumë në gjithë këto vite, por mjaft të përmenden Saimir Tahiri, Ben Blushi, Ditmir Bushati deri te Erion Veliaj. Po t’I hysh edhe më, lista zgjatet e zgjatet. Duke futur edhe një fuqi tjetër agresive siç është SPAK, ka ardhur në rënie ambicja politike për t’u afruar në poste të larta politike.
Megjithatë, një nga akuzat apo edhe shpotitë që ka marrë Edi Rama në kabinetet e tij, kanë qenë ato se afron njerëz besnikë dhe që i ka në atë rol më shumë si makiazh sesa si ministra realë.
Në fakt, qeverisja e Edi Ramës, por edhe në mjaft vende të tjera sidomos vitet e fundit, po bëhet gjithnjë e më shumë e përqëndruar tek figura kryesore.
Giorgia Meloni në Itali, për shembull, edhe pse ka ministra të dy partive të tjera të koalicionit, politikën kyresore të qeverisjes, atë me BE-në, politikën e jashtme si dhe financat e buxhetit, i administron me një staf ekspertësh dhe këshilltarësh.
Staf të tillë Edi Rama ka pasur që kur drejtonte bashkinë e Tiranës. Madje ka legjenda që këshilltarët e huaj të kryeministrit janë në një farë mënyre ministra për çështjet kryesore, ku përqëndrojnë politikat makro.
Megjithatë, duket se reflektorët janë të përqëndruar tek emrat dhe cilësitë e ministrave të rinj, e sidomos sa do të jenë ata nga grupi i të rinjve në PS dhe opozitarët në modelin që u implantua në bashkitë e Vlorës dhe Tiranës.
