Nga Linda Rustemaj
Ecuria e dosjeve të fundit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po dëshmon përpjekjet për llogaridhënie në nivelet më të larta të shtetit. Dosja Balluku ka prodhuar konfuzion dhe ka ndalur ecurinë e vendit në procesin e integrimit europian.
Pyetja që ngrihet tani lidhet me aftësinë e drejtësisë për të hetuar vendimmarrjet në majën e ekzekutivit, ku çështja e njohur si “Albanian Files” spikat si një nga zhvillimet më domethënëse të deritanishme.
Regjistrimi fillestar i kësaj dosjeje nuk është thjesht një hap procedural, por sinjali i qartë se hetimi do të ecë përpara në mënyrë përmbajtësore. Te “Albanian Files”, vëmendja nuk përqendrohet më në periferitë e administratës apo në zyra sekondare, por preket drejtpërdrejt bërthama e vendimmarrjes politike.
Përmbajtja e kësaj dosjeje lidhet me një përmbledhje projektesh madhore të hartuara nga arkitektë të huaj me ftesë të vetë qeverisë dhe kreut të saj. Këto nisma, të cilat studionin territorin shqiptar me synim ndërtimin e resorteve turistike, nuk ishin thjesht koncepte abstrakte apo skica artistike.
Përkundrazi, ato përfaqësonin një punë konkrete në terren ku u caktuan zonat gjeografike, u identifikuan tokat dhe u përcaktuan objektet e zhvillimit.
Fakti që ky vizion është promovuar me krenari edhe në kancelaritë ndërkombëtare e vendos përgjegjësinë politike dhe administrative drejtpërdrejt mbi zyrën e kryeministrit. Nëse këto projekte fshehin shkelje të ligjit, nepotizëm apo favorizime klienteliste, hetimi nuk mund të ndalet më në oborrin e qeverisë, por do të duhet të depërtojë në vetë zyrën ku u morën vendimet.
Kjo ecuri duhet të provojë në praktikë se parimi “askush mbi ligjin” nuk po shndërrohet përsëri një slogan retorik. Përfshirja e SPAK-ut në majën e piramidës së pushtetit ka rastin të vërtetojë një qasje të re institucionale.
Në fazat e ardhshme, hetimi pritet të shtrihet në disa rrafshe komplekse: Dëshmitë e ekspertëve dhe arkitektëve të huaj lidhur me transparencën e procedurave dhe kushtet e angazhimit të tyre; Ligjshmëria e lejeve të ndërtimit të dhëna apo të planifikuara për këto projekte; Verifikimi i pronësisë së tokave në zonat bregdetare e turistike ku u “vu gishti”.
Verifikimi i gjithë këtij zinxhiri vendimmarrës do të tregojë nëse përzgjedhja e territoreve përputhet me interesin publik apo nëse pas fasadës së arkitekturës moderne fshihet një skemë e madhe tjetërsimi pasurish dhe pastrimi parash. Sfidat e SPAK-ut në këtë dosje do të jenë përcaktuese për besueshmërinë e reformës në drejtësi.
DITA
