Analisti Mero Baze thotë në një editorial të tij se zelli i Sali Berishës për ta degraduar ccështjen “McGonigal”, ish- zyrtari i lartë të FBI, ka disa arsye që në fund i shërbejnë vetëm kryeministrit Edi Rama.
Sipas analistit të njohur, në vend që opozita të shfrytëzonte një rast të tillë në favor të saj, Berisha duket se ka bërë të kundërtën.
Në fillim e stërmadhoi sa gati dukej sikur Putini i kishte dhënë para Charles McGonigal për të ndëshkuar Sali Berishën në Shqipëri.
Pasi doli që Berisha nuk figuronte askund në asnjë histori lobimi kundër tij nga Edi Rama, e vazhdoi fantazinë me arrestimin e mundshëm të Edi Ramës, pastaj me rrëmbim në një ishull.
Nuk ndali këtu, po ju turr ambasadores Yuri Kim se ka ngrënë dreka e darka me Charles McGonigal dhe Edi Ramën dhe duhet të hetohet nga FBI, ndërkohë që ambasadorja ka ardhur në Shqipëri më 2020, ndërsa Charles McGonigal ka qenë për herë të fundit më 2018.
Akoma më shumë nuk i del e keqja me Lulzim Bashën, që edhe pse del i persekutuar nga kjo dosje, nuk reagon, por hesht. Të gjitha këto së bashku duket se e kanë mërzitur më shumë se sa ta gëzonin, dhe e kanë çmendur më shumë se sa ta qetësonin, ndaj po e degradon gjithë këtë çështje në meme dhe barsoleta.
Arsyeja është se kjo histori, e cila nuk është pozitive për qeverinë dhe kryeministrin Rama, për të është një dramë e dhimbshme, pasi përveçse nuk rezulton të jetë i përndjekur nga Rama, nuk ka kë mbron në këtë histori.
Të mbrojë Lulzim Bashën, i bien gjithë shpifjet që ka thënë për të prej një viti e gjysmë, për paratë ruse dhe bashkëpunimin me Edi Ramën.
Skandali dëshmon se Edi Rama e ka trajtuar atë si kundërshtar serioz dhe është investuar ta hetojë çështjen e parave ruse. Siç do bënte çdo kundërshtar.
Të mbrojë SHBA nuk i ka lezet, se e ka shpallur ”non grata” familjarisht, duke ja stampuar në ballë atij, gruas, vajzës, dhe djalit vulën e hajdutit shqiptar. Dhe bën sikur i kërkon llogari SHBA-së, pse nuk zgjeron hetimet, duke i treguar një listë dëshirash që ai ka për jetën që i ka mbetur.
Të mbroj Ambasadën, që në atë kohë nuk rezulton të ketë shoqëruar Charles McGonigal në takime, nuk e bën dot, dhe shpik të kundërtën, sikur Yuri Kim e ka shoqëruar në takime, edhe pse ka ardhur dy vite më vonë në Shqipëri e ndoshta se njeh fare këtë ish- zyrtar.
Dhe për ironi të fatit, të vetmin që mbron me gjithë këtë sjellje është Edi Rama, i cili argëtohet me përrallat e tij për rrëmbim në një ishull dhe marrje në pyetje, duke gjerbur kafen e parë pas gripit të keq që kaloi, e që duket se e ka marrë veten, jo vetëm edhe prej “penicilinës” të “engjëllit mbrojtës, Sali Berisha”, thotë në analizën e tij, analisti Mero Baze. m.b./dita
