Drejtësia duket se i mban larg duart nga ‘patatja e nxehtë’ e vrasjes së 4 protestuesve socialistë 12 vite më parë në bulevard, duke nisur serinë e ‘ping-pong-ut’ procedurial. Familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit ankimojnë në GJKKO vendimin e SPAK, që e dërgoi çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin e tyre.
Kërkesa do të shqyrtohet në dhomë këshillimi më 29 Mars, nga gjyqtarja Elsa Ulliri. Kujtojmë se për 21 Janarin, familjarët kanë kërkuar që dosja të merret në dorë nga SPAK, sepse nuk kanë besim të Prokuroria e Tiranës, mirëpo Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompetencë, jo vetëm për padinë e tyre të depozituar më 16 shkurt, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste. Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar se SPAK është një pritje se çfarë do të dalë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, për të marrë ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Ai thekson se në rast se nga hetimet do të konstatohet ekzistenca e ndonjë vepre penale apo subjekt në kompetencë hetimi, atëherë dosja do të merret në dorë nga vetë SPAK, siç ata kërkojnë. Këtu bëhet fjalë nëse ka zyrtarë apo ish-zyrtarë të përfshirë në atë ngjarje.
Këto padi të reja erdhën si rezultat të një audio-përgjimi të pretenduar, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, ka thënë se ia ka dhënë gazetarit, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja, si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi, ish-Komandant i Gardës, gjatë zhvillimit të protestës dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë të dyshuar në atë kohë. Familjarët bëjnë përgjegjës për këto urdhra ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
