Nga Blerina Gjoka
Aktivisti Edison Lika ndodhej ende në qelitë e paraburgimit të Durrësit të hënën për goditjen e makinës së kryeministrit Edi Rama me vezë, kur u sulmua njëherazi nga eksponentët e lartë të Partisë Demokratike në opozitë.
Bashkë me aktivisten tjetër, Sidorela Vatnikaj, Lika u targetua përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deputetja Albana Vokshi dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilët i akuzojnë ata si “mercenarë të paguar nga Sorosi” – një etiketim politik denigues i përdorur rëndom nga Partia Demokratike për të diskretituar organizatat jofitimprurëse dhe një pjesë të protestuesve.
Aktivistët Lika dhe Vatnikaj janë pjesë e pandashme e protestave antiqeveritare prej fundit të muajit maj, por videoja e shpërndarë nga drejtuesit e Partisë Demokratike i akuzon ata përmes pretendimeve të pabazuara si sabotues të protestës dhe shkaktarë të mbajtjes së opozitës zyrtare jashtë saj.
Partia Demokratike në opozitë po përpiqet prej javësh që të shënjestrojë armiq mes protestuesve në një përpjekje për të delegjitimuar thirrjet që vijnë nga sheshi kundër liderit jetëgjatë të kësaj partie, Sali Berisha, ish-president dhe më pas ish-kryeministër i vendit.
Thirrja “Rama n’burg, Berisha n’burg” u përqafua nga protestuesit që në ditët e para të protestës që u pagëzua si “Revolucioni i Flamingove”, si shprehje e zemërimit ndaj një klase politike që ka dominuar tranzicionin e gjatë postkomunist, por edhe si reagim ndaj hezitimit fillestar të Berishës për të mbështetur protestën.
Sidorela Vatnikaj e cilësoi sulmin e PD-së si një “fushatë dezinformimi”, duke argumentuar se përpjekjet për të diskredituar protestën lidhen me frikën e opozitës nga humbja e rolit të saj politik përballë një lëvizjeje qytetare të pakontrolluar prej saj.
Sulmet e fundit të PD-së ndaj aktivistëve konsiderohen si shfaqje e “dobësisë politike” nga Dashamir Shehi, ish-deputet veteran i së djathtës dhe kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Sipas tij, protesta përfaqëson një potencial të rëndësishëm për opozitën dhe mund të shërbejë si burim energjie të re për të, ndaj PD duhet sipas Shehit të përpiqet ta afrojë atë dhe jo ta largojë përmes sulmeve publike.
“Në vend që të merren me Edi Ramën, apo të merren me veten, këta merren me aktivistët,” tha Shehi për BIRN.
Protesta e ‘flamingove’, argumenton Shehi, ka arritur të rikthejë politikën në një hapësirë të re ku në qendër janë problemet e njerëzve, ndërkohë që për një kohë të gjatë skena ishte dominuar nga “monologu i lodhshëm mes Ramës dhe Berishës”.
Po ashtu, Shehi i konsideron si absurde pretendimet e PD-së për ndikimin e Sorosit në organizimin e protestës apo në ndikimin e eksponentëve të saj.
“Njerëzit në rrugë nuk i nxjerr Soros, po pakënaqësia e madhe që kanë ndaj qeverisjes së keqe dhe të tejzgjatur, pamundësia e këtyre që bëjnë opozitë për të alternuar pushtetin dhe arroganca e pushtetit të Ramës,” tha Shehi.
Përpjekje për të kontrolluar protestën
Protesta nisi në fund të majit nga aktivistë mjedisorë dhe banorë të Zvërnecit kundër rrethimit me tela me gjemba të një pjese të bregdetit për një projekt turistik të lidhur me dhëndrin e presidentit Trump, Jared Kushner.
Ndërsa projekti u kundërshtua si një rrezik për shkatërrimin pa kthim të një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit, kreu i PD-së, Berisha deklaroi publikisht se nuk ishte kundër investimeve të huaja. Po ashtu, PD mbajti qëndrime kontradiktore në raport me protestën dhe hezitoi ta mbështeste atë në fillim, duke krijuar një distancë me aktivistët dhe qytetarët që u mblodhën spontanisht në shesh.
Me shkurtime nga Reporter
