DR. JORGJI KOTE
Më 5 Gusht në mbrëmje, në Aeroportin e Laipcigut në Gjermani u zbulua fare pranë pistës së fluturimit një dron me lëndë plasëse. Po të kishte shpërthyer, çka nuk ndodhi vetëm për një difekt të vogël te ndezësi, do të ishte shkatërruar një avion i madh mallrash ” Antonov” që do të ngarkohej me municion për në Ukrainë dhe shumë dëme të tjera të mëdha materiale.
Edhe pse aeroporti në fjalë ka sistem mbrojtjeje anti-dron, në këtë rast ajo dështoi, çka dëshmon se pajisjet e tanishme nuk janë të atij niveli që të përballojnë sulme me dronë të tillë. Ndërkohë, pak çaste përpara tij, një dron tjetër zbulimi siç supozohet dhe i ndoshta pajisur me kamer u përplas në një lartësi 500-600 metra me një avion të shoqërisë DHL që po zbriste po në Aeroportin e Laipcigut. Avioni pësoi disa dëmtime të lehta. Për shkak të mbylljes së pistës në Laipcig, ai u detyrua të ulej në Aeroportin e Hanoverit.
Aktualisht në Aeroportin e Laipcigut forca të shumta policore me qen gjurmues vazhdojnë kërkimet intensive për gjetjen edhe të atij droni. Ndërkohë, për hetimin e plotë të të dy këtyre rasteve janë angazhuar mbi 100 ekspertë.
Alarmi dhe paniku në politikën, median dhe publikun gjerman ishte i menjëhershëm dhe i jashtëzakonshëm. Ministri i Brendshëm Federal, Alexander Dobrindt ndërpreu menjëherë pushimet dhe u kthye në Berlin. Në Konferencën e tij të shtypit ai foli për një rrezik të ri edhe më të madh, për një sulm me dron jo amator por tejet profesional dhe të përgatitur me kohë.
Dobrindt e konsideroi këtë sulm si pjesë përbërse të luftës hibride të ”fuqive të huaja” duke nënkuptuar qartë Rusinë, edhe pse nuk e përmendi me emër. Vetëkuptohet se hër hë deri në hetimin e këtij incidenti të rëndë, Berlini zyrtar nuk mund ta përmendë me emër Rusinë, mbasi kjo kërkon dëshmitë përkatëse.
Mirëpo, siç pohoi në televizionet gjermane eksperti i mirënjohur i luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, Peter Naumann, Profesor në King’s College në Londër, ”lufta hibride” nuk ka të bëjë me Shtetin Islamik apo forca të ekstremit të djathtë, por me Rusinë, si autore dhe protagoniste e luftës hibride. Ca më tepër kur dihet se në Aeroportin e Laipcigut ndodhen disa avionë të mëdhenj mallrash ukrainas, të cilët transportojnë armë dhe municione për në Kiev.
Kjo ngjarje tregon se pas Rumanisë, Polonisë dhe vendeve balltike, Rusia tani po shinjestron edhe Gjermaninë. Madje, ekspertët kanë paralajmëruar me kohë se Gjermania është objektivi parësor i luftës hibride ruse dhe më tej, në forma dhe mjete të ndryshme, ku sulmet me dronë pritet të zenë vendin kryesor.
Për sqarim, lufta hibride synon dëmtimin dhe destabilizimin e një shteti tjetër pa dërguar ushtarë por kryesisht me akte sabotazhi, sulme kibernetike, sulme ndaj infrastrukturës energjitike dhe dixhitale, propagandë armiqësore dhe ndërhyrje në proceset zgjedhore. Ajo nuk çon në konfrontim të hapur ushtarak, por i paraprin atij, duke krijuar panik dhe pasiguri te vendi i shinjestruar. Droni në Lajpcig ishte edhe paralajmërim serioz për sulme të tjera më të rrezikshme në të ardhmen.
Këtu lind natyrshëm pyetja që përse pikërisht Gjermania do të jetë kryeobjektivi dhe shinjestra e parë e sulmeve Ruse? Edhe pse aktualisht Rusia po pëson humbje të konsiderueshme në luftën kundër Ukrainës.
Mjafton të përmendim se nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës, Rusia ka humbur 12232 tanke, 25075 makina të blinduara, 130.000 automjete dhe çisterna furnizuese me karburant, 47200 sisteme artilerie, 2000 lëshues raketash, 1533 sisteme kundërajrore, 439 avionë, 354 helikopterë, 34 anije dhe 2 nëndetëse. Edhe më të rënda janë humbjet e trupav ushtarake. Kështu, gjatë mbi 54 muaj luftime janë vrarë, plagosur dhe kapur rob 1450 milion trupa ruse.
Nga mesatarisht 34.000 ushtarë të saj që vriteshin, plagoseshin dhe kapeshin robër gjatë vitit 2025 dhe 39.000 në muajin qershor 2026, në Korrik 2026 kjo shifër theu rekordin me 42.000 ushtarë të vrarë, të plagosur dhe të zënë robër.
Lajme alarmante vijnë edhe ekonomia, kur Banka Qendrore Ruse i ka plasur « bombën» Putinit, duke njoftuar për deficite kolosale në buxhetin e luftës kundër Ukrainës, të cilat në vitin 2026 llogariten në 136 miliard Eurora. Mirëpo, kur po bëhet e papagueshme lufta në Ukrainë, përse dhe si mundet ndaj Gjermanisë?
Planet ruse për sulme ndaj Gjermanisë shpjegohen me disa arsye dhe shkaqe thelbësore. Së pari, Moska e konsideron Gjermaninë si shtetin më të rrezikshëm për sigurinë ruse. Këtë e theksoi më 2 Qershor në Nju Jork edhe Ambasadori rus në OKB Nebensia dhe tani së fundi Lavrovi dhe vetë Putini.
Më tej, rrezikshmëria e madhe e Gjermanisë për Rusinë shpjegohet me faktin se ajo është shteti më i madh dhe më i fuqishëm i BE-së, kampion i demokracisë liberale, shteti që në vitet e ardhëshme synon të ketë ushtrinë më të madhe në Europë, vendi që po ndihmon më shumë Ukrainën me të gjitha format, deri te dislokimi i një brigade me 5000 ushtarakë në Lituani në kufi me Rusinë.
Po ashtu, propaganda ruse e ka më të lehtë dhe mendon se prek më shumë njerëzit në sulmet ndaj Gjermanisë, duke e trajtuar atë si pasardhëse të nazizmit dhe Hitlerit, edhe pse Gjermania e bashkuar demokratike nuk ka asnjë lidhje me atë.
Në këtë drejtim, strategjia ruse ndaj Gjermanisë ka dy « tehë prerës »
I pari lidhet me diversionin politik dhe publik kundër koalicionit qeveritar të Kancelarit Merz, duke e denigruar atë dhe performancën e tij, duke evidencuar dështimet në mbajtjen e premtimeve, mungesën e perspektivës e deri te dëmtimi i kohezionit të brendshëm politik dhe ideologjik.
Gjithashtu, Rusia i kushton rëndësi denoncimit të politikave liberale gjermane dhe europiane, degjenerimit të vlerave tradicionale të familjes, besimit, shoqërisë, etj.
Gjithashtu, Rusia përfiton edhe nga një nostalgji e madhe gjermane për vitet 2010 – 2022, kur ekonomia gjermane përfitonte « dividentin e paqes » në forcën e tarifave të lira të blerjes së naftës dhe gazit rus, duke u bërë tejet e varur prej tij; ishte periudha kur Gjermania dhe BE-ja ndoqën diplomacisë qetësuese dhe përkëdhelëse ndaj Rusisë dhe Putinit, të nisura nga ideja dhe mendimi i gabuar se falë bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, Rusia do të mbetej në rrugën e paqes dhe stabilitetit.
Ndaj tani, në rrethet e biznesit gjerman, për shkak të krizës që ka goditur industrinë gjermane, janë shtuar zërat për rifillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Rusinë, si kusht dhe premisë paraprake edhe për bisedimet për paqe me Moskën, për të cilat po diskutohet.
Në këto kushte, pas një ndërprerje të pranisë së tyre, më 3 – 5 Qershor, përfaqësues të lartë të biznesit gjerman ishin ne Forumin e lartë të Ekonomik në Saint Petersburg, i organizuar nën patronazhin e Presidentit Putin, i pranishëm në atë forum ndërkombëtar. Ishin edhe drejtues të kompanisë gjigande “Globus“.
Në këtë drejtim, Rusia përfiton edhe nga numri i madh i miqve dhe dashamirësve të Rusisë dhe Putinit ose «Putin’s Verstehers » siç njihen në Gjermani. Kështu, deri dje atje ishin tejet aktive 17 komitete dhe shoqata që merreshin aktivisht me Rusinë dhe mbi 10 forume dialogu me emrat e kryqyteteve dhe qyteteve të tjera të mëdha ruse dhe gjermane. Më 24 – 25 korrik, ish zyrtarët e lartë gjermanë, kryetarë të forumeve me Moskën, Mathias Platzek, ish kryeministër dhe Kryetar i SPD-së dhe Roland Pofalla i CDU-së, ish ministër shteti në qeverinë e Kancelares Merkel u takuan në Baku me ish Kryeministrin rus Viktor Rubkov dhe drejtorin e Këshillit të të Drejtave Civile pranë Presidentit Putin, Valeri Fedejev. Kjo është një shenjë e riaktivizimit të forumeve të mëparshme, me shpresën e një paqeje të mundshme.
Komponenti i dytë po aq, madje edhe më i rëndësishëm i strategjisë anti-gjermane ruse është ndihma, mbështetja dhe bashkëpunimi i shtuar rus me Partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë ( AfD) Një parti me orientim të qartë pro-rus, anti-europian dhe anti-Ukrainë, e krijuar në vitin 2013, e cila ka ardhur duke shtuar pjesën e saj në peisazhin politik gjerman. Nëse në zgjedhjet e vitit 2017 ajo fitoi vetëm 5 për qind në zgjedhjet parlamentare federale, 4 vite më vonë u rrit me 12 për qind dhe në zgjedhjet e parakohshme 2025 AfD-ja siguroi gati dyfishin e votave ose 22 për qind.
Për rrjedhojë, në zgjedhjet parlamentare të viit 2025 ajo doli partia e dytë më e votuar në Bundestag me 151 deputetë, duke lënë prapa SPD-në tradicionale dhe partitë e tjera të njohura, dhe vetëm me 3 për qind më pak se CDU-ja e Kancelarit Friedrich Merz. Ndërsa në nivel vendor, AfD-ja është e pranishme me shumë deputetë në parlamentet e 14 nga 16 lande, duke u renditur ndër tre partitë më të votuara në këtë nivel.
Në zgjedhjet e ardhëshme në muajin shtator në tri landet ish lindore, Berlin, Saksoni dhe Meckleburg parashikohet që AfD-ja të sfidojë të dy partitë më të mëdha tradicionale. Sipas sondazheve më të fundit, krahas shtimit të deputetëve, ajo pritet të vijë në qeveri për herë të parë në të paktën një prej këtyre tre landeve.
Kësisoj, AfD-ja përbën një bazë të fuqishme dhe ”kolonë të pestë“ për Rusinë.
Format dhe formatet e bashkëpunimit rus me AfD-në konsistojnë në takime, vizita dypalëshe, prania e përfaqësuesve të AfD-së në forume të rëndësishme në Rusi, etj. Kështu, në fund të muajit të kaluar ishin në Moskë disa përfaqësues të AfD-së në Forumin e Parë Ndërkombëtar të Sigurisë. Po ashtu, më 3 – 5 Qershor ata ishin të ftuar dhe të pranishëm në Forumin Ekonomik të Saint Petersburgut.
Aktualisht AfD-ja renditet e para në sondazhet në nivel federal me 27 për qind, por në lande të veçanta deri në 41 për qind; edhe në Berlin ajo tani renditet e para në sondazhe, dhe me pretendime serioze për të ardhur në pushtet në zgjedhjet federale pas tre viteve, apo dhe në ato të parakohshme. Kjo tani nuk është më hipotetike, por mundësi reale mbasi nëse dështon koalicioni i tanishëm i madh, i pesti në 20 vitet e fundit, gjasat për koalicione të ngjashme janë shumë të pakta, sepse elektoratit i kanë ardhur në majë të hundës këto koalicione.
Mirëpo, ardhja në pushtet e AfD-së në këto dhe në të tjera lande më vonë mund të jetë me pasoja negative në rastin e një sulmi rus ndaj Gjermanisë. Jo se ato do të bëhen pengesë, por do të ndikojnë në ngadalësimin e vendimeve dhe veprimeve përkatëse në nivel vendor lidhur me lëvizjen e trupave ushtarake.
Ndaj, qeveria federale po studion rrugët dhe masat e nevojshme për të shmangur sabotime dhe vonesa të tilla.
Gjithsesi, kjo do të jetë në varësi të sjelljes politike dhe performancës reformuese të koalicionit të tanishëm qeveritar dhe nëse ai do të jetë në gjendje të bëjë kthesën e shumëpritur.
Natyrisht që edhe dinamika e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe përshkallëzimi i luftës hibide ruse kundër Gjermanisë do të ketë ndikimin e saj.
Së fundi, nëse asnjë nga këto skenarë politikë, ekonomikë, psikologjikë nuk do të ecin sipas parashikimeve, atëhere Rusia pritet të përshkallëzoje veprimet, duke kaluar nga lufta hibride në një sulm të mundshëm ushtarak. Kjo tashmë nuk është hipotezë por mundësi e pranuar nga të gjithë në Gjermani; madje ekspertët ushtarakë e kanë avancuar edhe kohën e një sulmi të tillë përpara vitit 2030. Sepse Putini e di se deri në atë vit, Gjermania do ketë krijuar ushtrinë më të madhe në Europë ndërsa BE-ja do ketë përfunduar riarmatimin e saj, duke u kthyer edhe në një bashkim mbrojtës. Dhe nuk mund të presë deri atëhere se do të jetë tepër vonë.
Ndaj edhe në Gjermani po intensifikohen masat në fushën e mbrojtjes civile të popullsisë dhe fuqizimit sa më të shpejtë të Bundesvehrit, me qëllim që ai të jetë në gjendje të mbrojë çdo centimetër katror të territorit të vet dhe NATO-s.
DITA
