Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: DUM E DUK!
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > DUM E DUK!
Lajmi i funditopinion

DUM E DUK!

Published: October 21, 2026
Shpërndaje
University students march through the city center during a demonstration outside the Ministry of Education in Tirana, Albania, Thursday, Oct. 14, 2026. Hundreds of students gathered to demand higher state funding for public universities, reduced tuition fees, and improved facilities in student housing dormitories across the capital.

Nga Artan Xh. Duka

Fillimi i mbarë është vetëm gjysma e punës ndaj edhe protesta flamingo, ndonse maratonë, nëse nuk i jep dum gjërave nuk do të ketë duk.

Flamingot nuk kanë plan B. Edhe nëse përmbushet plani A – largimi politik i BeRamës, pa një lëvizje të re politike me një program demokratik me interesin qytetar e kombëtar në qëndër të tij dhe pa kushte për një garë zgjedhore korrekte, sërisht gjërat do të mbeten për të dëshiruar.

- Publicitet -

Problemi ynë nuk është punë emrash por sistemi e mbi të gjitha ai zgjedhor që nga tarabë e kaluç për të paudhët e të paaftit në politikë, është katandisur në pedanë e dyshek për ta.

E vetmja zgjidhje mbetet rikthimi i mazhoritarit që ngjall garë të vërtetë e të prekshme me qytetarin arbitër real sikundër po shohim edhe së fundi me garën zgjedhore të nëntorit në SHBA.
Pa krijuar një lëvizje politike e pa shpalosur një program me reformën zgjedhore e referendumin si kryefjalë, protesta do të zbehet e do të mbahet mënd vetëm si një punë e mirë e lënë mjerisht në mes.

Ca gjëra protesta i ka arritur ndërkohë. I ka prishur qetësinë politikës abuzive që e merrte gjithnjë qytetarin të mirëqënë – boll që një kafe nuk e pinë më rehat në lokal, nuk baresin më lisho e plot serbes rrugëve, hipin avionëve etj pa parë majtas e djathtas se mos u bërtet, i tregon me gisht e i akuzon e i filmon kush e kjo nuk është pak. Mbi të gjitha i futi në një thes me etiketën BeRama ata që e shtynë me dekada duke patur shoqi-shoqin si alibi për pushtet dhe bënin burrin e mirë që u përdëllohej xhani për milet!

Ndonse jo korrekte – nuk janë të gjithë njëlloj, sot në politikë po digjet i njomi me të thatin dhe qytetari është më mosbesues se kurrë e kjo vlen edhe për drejtuesit e nesërm të protestës që do të paragjykohen po njëlloj nëse vijojnë me pseudoreforma zgjedhore listash siç është dhe proporcionali kombëtar me lista të hapura që sërisht anashkalon vullnetin e drejtëpërdrejtë qytetar.
Berisha i pari e Rama pas tij, të dy me oborre rrotull, duhej të ishin me kohë kujtime të largëta në politikē.

Anatemuan bllokmenët që mbetën majë fikut të pushtetit por ua kaluan atyre në vite, privilegje, abuzime, pale pasuri në kurriz të qytetarit të përvuajtur shqiptar. Edhe vezën e kuqe të bënin, boll që u bënë dekada me ta e janë pushtetarë e deputetë tavoline sepse mbijetojnë falë listave në politikë, duhet të ishin dorëhequr me kohë edhe pa ua kërkuar.
Rama, që ndryshe nga garat për kryetar bashkie do të mbahet mënd si kryeministër tavoline – asnjëherë nuk bëri garë reale zgjedhore, nuk është apriori kusht për hyrjen në BE. Nuk është i rënë nga qielli që t’a ndjekim pas si Moisiun në shkretëtirë me vegimet në bastin e tij personal për futjen në BE duke ushqyer bashkë me Berishën preçedentin anti-rrotacion në demokraci. Nisur nga e shkuara, nuk na duhen njerëz të fortë por sistem i fortë e kjo zë fill nga vota.

Guri apo vota!

Sfidave të protestës i është shtuar edhe distancimi urgjent prej dhunës e vandalizmit ndaj sigurisë së jetës e pronës në vend. Nëse nuk ndodh atëhere ajo nuk duhet të quhet më nga media protestë flamingo, pale studentore e numri i ditëve në shesh mbyllet me kaq. Do të ishte bumerang si për fundin e maratonës së protestës me shkak Zvërnecin ashtu edhe vetë institucionin e protestës për të ardhmen.

Piromania nuk duhet të jetë prelud rrotacioni – ik ti të vi unë dhe as alibi për vijimësi BeRama. Kush nga flaka përfiton, nga flaka humbet dhe vetë loja e avazi me studentllëkun nuk është vulë garancie për standart demokratik. Boll me superlativa bajate mediatike, zapatizma e heroizmra tik-toku se studentë ishin edhe ata të 90 që na lanë pilaf pardesybardhët që e bënë mullar dhe ende i kemi nëpërkëmbë sot.
Qeveria ndërkohë ka përgjegjësi kur nuk i del zot qytetarit në hallin e tij. Dhe kur humb besimi tek qeverisja, opozita, politika e protesta tok, demokracia futet në qorrsokak.

Anarkia e ditëve të fundit lyp shpagim ligjor e financiar ndaj atyre që cënuan pronën e sigurinë qytetare e publike me urdhërdhënës pas, lyp faturë politike si qeveri e opozitë bashkë, analizë kritike ndaj rolit të institucioneve të sigurisë, medias së kapur që disinformon, asaj sociale plot profka e dalldisje pafund etj.

Qytetari, taksapaguesi nuk i ka borxh askujt t’i shkatërrohet prona personale, rrezikohet jeta, t’i përdoren taksat për kompensime ndaj të tretëve – banka, dyqane etj, tendera të rinj për të bërë nga e para trotuare, ndriçim publik, semafore, kangjella, riparuar ministri që nuk janë pronë e Ramës por qytetarit vetë etj. Shteti ligjor duhet të ndjehet si i tillë ndryshe nuk krijohet preçedent pozitiv për të ardhmen.

Ndërkohë kushtrimi opozitar për mbështetje pa rezerva të protestës edhe pas anarkisë që pasoi, vetëm riprovoi arsyen përse ajo është katandisur aty ku është, në mos është vetë problemi. Kjo vlen edhe për partitë e reja që sa kohë nuk distancohen nga dhuna, rrezikojnë imazh politik e humbje besimi pakthim.
Sa për Ramën, boll që e la fillikat qytetarin si qeveri ndaj pllakosjes së anarkisë, që nuk arriti t’a parashikonte, parandalonte e përballonte këtë njollë e gjëmë që traumatizoi qytetarin, turistin e shokoi botën, boll kaq që të hapë krahun menjëherë në qeverisje e parti.

Pazotësia, shto këtu edhe ajo ndaj korrupsionit elitar që edhe sikur qelibar të jesh, prapë të njollos si qeveri, del e tepron për të dorëzuar çelsat edhe pa qënë ortak në zullum. Por edhe sikur të shkëlqyer të jenë pushtetarët, vjen një ditë e bëhesh bozë e dikush pranë duhet t’ua përshpërisë në vesh pa pritur t’ua thotë turma nē shesh.

Shteti ligjor doli shtet prej lecke e kjo jo thjesht se hallkat e tij ishin jo-profesionale por edhe se u mungon morali qeverisës lart. Pushtetari lart me punën e namin e tij inkurajon apo shkurajon njëkohësisht poshtë. Koha do të tregojë nëse marrëzia e fiksimi me pushtetin në tranzicion është punë egoje, babëzie, tërheqje spangoje nga bota apo një miks por qytetarët boll kanë humbur kohë me lufta-gjela mes Berishës e Ramës dekada rresht.

Pas anarkisë që vetëm i prish punë qytetarit e i jep alibi politikës, vetë protesta zor se do të jetë si më parë. E që sheshi të rimbushet plot, sa më shpejt protesta e vërtetë t’ja lërë vëndin një partie e programi premtues për të ardhmen, aq më mirë. Sfida e vërtetë, pas largimit të BeRamës, është dita më pas. Duhet një plan B ndryshe rrezikojmë ose klonim të BeRamës ose vakum ku humbim të gjithë.

Pa i dhënë dum të nesërmes, zor se ka duk edhe largimi i BeRamës sot!

©️DITA

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Sot protestë dhe seancë plenare, vendosen barriera në rrugët përreth Parlamentit
  • 22 tetor 2026
  • Gjysma tjetër e një turpi publik
  • ​As nami, as gogoli. Përgjigjet që jep Kushtetuta për pyetjen ‘apokaliptike’: Po iku ky, kush vjen?
  • Cilët janë civilët me maska që shfaqen mes policëve e më pas përhapen në turmë?

Komentet e Fundit

  1. Vlora 97 on ​As nami, as gogoli. Përgjigjet që jep Kushtetuta për pyetjen ‘apokaliptike’: Po iku ky, kush vjen?
  2. !!? on VIDEO: Rama thotë se protestuesit që i kërkojnë dorëheqjen do t’i ndjekë “këmba këmbës”, madje nuk do kenë akses as në… trena
  3. Nga Enveri te Edveri on ​As nami, as gogoli. Përgjigjet që jep Kushtetuta për pyetjen ‘apokaliptike’: Po iku ky, kush vjen?
  4. Anonymous on Grabitja e pasurisë kombëtare, dy të tretat e kromit ikin nga Shqipëria të papërpunuara
  5. Mara emigrante ne Itali on 2500 euro policëve, Ramës i vjen kundëroferta: 5 mijë euro kush hedh një deputet në koshin e plehrave

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?