Nga Fatos Tarifa
Këto radhë i shkruaj për atë sorollop politikanësh socialistë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qeverinë e këtij vendi, të cilët i njihni të gjithë. Edhe pse nuk i përmend me emër, cilido nga ju e di se për kë e kam fjalën. Arketipi i këtij lloji politikani është kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Të tjerët (kryetari i Kuvendit, i komisionit të ligjeve & Co) janë thuajse si ai: nënkryetarucë të vegjël nën sqetullën e Kryetarit të partisë dhe të qeverisë, që përpiqen t’i ngjajnë atij në çdo gjë.
E imitojnë Kryetarin sa dinë dhe sa munden. Veç në gjatësi jo, sepse këtë tipar fizik nuk e kanë. As në veshje, sepse nuk janë piktorë dhe u mungon çdo shije e ndjeshmëri estetike. Flasin me zhargonin, tonin dhe gjestet e Kryetarit të tyre dhe kjo i bën të duken tejet qesharakë.
Nuk kanë asnjë nga cilësitë që zakonisht shquajnë udhëheqësit e vërtetë. Ngrenë zërin si Kryetari i tyre. E pse të mos e bëjnë? Duan të dëgjohen. Në fund të fundit, a nuk është Ai, kryetari, që ua ka dhënë postet që mbajnë dhe përgjegjësitë që shpërdorojnë?
Janë arrogantë e prepotentë me këdo që e konsiderojnë më poshtë se vetja, por servilë deri në nënshtrim përballë kujtdo që ka pushtet mbi ta, sidomos ndaj Liderit të Madh.
Duan të kenë autoritet, por autoriteti nuk lind nga hiçi, nuk dhurohet, nuk blihet dhe as nuk është një privilegj që buron nga posti që mban. Ai ndërtohet, fitohet e meritohet. Autoritetin nuk ta jep pushteti; ta japin aftësitë intelektuale e profesionale, që ata nuk i kanë, si dhe integriteti moral e cilësitë karakteriale që unë ua vë në dyshim.
Për njerëz të tillë, autoriteti është sinonim i autoritarizmit. Por edhe autoritarizmi i tyre, si gjithçka tjetër që i karakterizon, është një karikaturë groteske.
Pushtetin që u është dhënë e konsiderojnë të merituar e të patundshëm. Harrojnë se Ai që ua ka dhënë mund edhe t’ua heqë sa hap e mbyll sytë: me një përshëndetje të ftohtë “natën e mirë”, ose me një telefonatë të papritur, ashtu si në një prej poezive të Dritëro Agollit kur një njeri “i ashpër në ton” i thotë tjetrit: “S’të dua më, në telefon”.
Këta njerëz shtiren si të fortë, por në të vërtetë janë të pasigurt, të trembur e të dobët. “Forca” e tyre është thjesht refleks i forcës së Kryetarit. Sa kohë që mbahen nën sqetullën e tij, ndihen të mbrojtur. Por e dinë fare mirë se ajo sqetull nuk mund t’i mbrojë pafundësisht nga ligji i pashmangshëm i gravitetit politik.
I përfytyroni dot nesër këta njerëz, kur të mos kenë më ofiqet që gëzojnë sot. Mund të kenë para, mund të kenë grumbulluar pasuri, sepse pushteti ua ka bërë të mundur. Por do të jenë të braktisur e të përbuzur, madje edhe nga shumë prej atyre që dikur i kanë votuar. Pa postet dhe pa pushtetin që kanë sot, nesër do të jenë Askushë.
DITA
