Bedri Islami, gazetar, ish kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës.
Shënime mbi librin “ Shtet i ri, burrë shteti modern. Hashim Thaçi – një biografi”
Të gazetarëve të njohur britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger
Botim i shtëpisë botuese prestigjioze “ Fan Noli”, Tiranë
Një libër për Drejtorin Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministrin dhe presidentin e saj, Hashim Thaçi, është gjithnjë në kohën e duhur. Rrugëtimi i Thaçit, në fakt, është rrugëtimi i Kosovës, i luftës së saj, qëndresës, përpjekjeve, sakrificës dhe, mbi të gjitha, i krijimit të një shteti modern, ku vuajtjet e luftës nuk shërbyen për hakmarrje dhe revansh, por shtrojë mbi të cilën mund të ngrihej paqja, jeta e përbashkët, mendimi i ri politik dhe kombëtar, pavarësisht se fitimtarët e luftës ishin shumicë, kishin vuajtur nga shteti që kishte pakicë të tij në Kosovë, dhe që, befas, ata e ndjenë veten të njëjtë me të gjithë të tjerët.
Libri, promovimi i të cilit bëhet sot, i shkruar mjeshtërisht nga dy prej gazetarëve më të njohur britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, ka brenda vetes shumë dashuri, të vërteta të pamohueshme, respekt dhe hulumtim serioz.
Është i shkruar me dashuri, pasi, si pak kush tjetër, ata e kanë ndjerë dhimbjen që kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës në rrugën e tyre drejt mëvetsisë, janë bërë pjesë e saj dhe kanë gjetur heroin e tyre në përmbysjen e një realiteti të dhimbshëm; ka të vërteta të pamohueshme, pasi e gjitha që është hulumtuar në vite, në një mënyrë a në një tjetër, është mbështetur në disa burime, nganjëherë të afruara nga vetë personazhi i librit apo miqtë e tij, dhe herë të tjera nga burime arkivore, për të cilët Thaçi ishte kundërshtar , apo edhe më tej se kaq, armik; është i shkruar me respekt, pasi, si askund tjetër, një lëvizje guerile, në harkun e pak kohëve, vetëm disa vite, u njoh fillimisht nga bashkë vendasit dhe u mbështet nga ajo, por arriti që në harkun e 6 viteve që nga krijimi, të jetë forca çlirimtare e Kosovës.
Vendimi për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është marrë në fundin e korrikut 1993, në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të Lëvizjes Popullore të Kosovës, themeluese dhe organizatore e saj, ku Thaçi ishte pjesë e Mbledhjes, njëri nga drejtuesit dhe përgatitës i asaj që do të ndodhte në të ardhmen. 6 vite më vonë, në fundin e qershorit 1999 lufta do të përfundonte, Kosova do të ishte i lirë, Thapi do të emërohej si kryeministri i Qeverisë së Përkohshme.
Nuk ka asnjë shembull tjetër të kësaj rrite, dhe kjo fiton respektin e autorëve të njohur. Ka hulumtime serioze, sepse një libër i tillë, i botuar në origjinal 6 vite më parë, do të kishte, ashtu si ka pasur, qindra sy kundërshtarë, pasi një trysni e re po ushtrohej mbi çlirimtarët, personalisht ndaj Thaçit dhe shokëve të tij, Gjykata Speciale, një krijesë monstër, e domosdoshme, por e dëmshme.
Ndaj ky libër meriton respekt të dyfishtë: Për saktësinë me të cilën është paraqitur, por edhe mjeshtërinë me të cilin na është dhënë.
Thuajse 30 vite më parë e kam njohur Hashim Thaçin. Si pjesë të së njëjtës strukturë klandestine, Lëvizja Popullore e Kosovës. Rrugëtimi i tij ka qenë i pazakontë dhe qartësia e tij politike ka qenë e jashtëzakonshme. Për të, ashtu si e kam njohur, ka pasur gjithnjë një kohë për të luftuar, dhe një kohë tjetër për të bërë marrëveshje.
Si e kam cilësuar në disa biseda të ndershme, Thaçi ishte në të paktët në organizatë që e dinte rrugën e tij, qoftë si strukturë ku bënte pjesë, qoftë si indidvid. Ai, edhe në ditët e para të janarit e kishte të qartë se ku do të ishte në ditët e fundit të dhjetorit.
E dinte kohën kur duhej futur në Kosovë dhe kur duhej të ishte jashtë saj; kohën me të cilët duhej bashkëpunuar dhe kur duhej shpallur e vërteta e hidhur; ishte njeri i qetë, por me çastet e tij shpërthyese, mik i mirë, megjithëse kishte dhe vazhdon të ketë disa veçori që e dallonin nga të tjerët brenda organizatës ku bënte pjesë.
Thaçi e nisi rrugën e tij si njëri nga drejtuesit e lëvizjes çlirimtare brenda Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ky është një fakt i pamohueshëm, që duhej të trajtohej më gjërisht në libër, pasi, vetëm përmes saj dhe jo jashtë saj, Thaçi mund të bëhej ky që është; mund të arrinte aspiratat, e tij kombëtare dhe politike; të vetë formohej dhe , duke u vetë formuar të ishte ndër ndërtuesit e shtetit të ri modern të Kosovës. Vetëdija e tij ishte e epërme, përcaktimi i tij politik ishte i qartë. Njerëzit që ishin me të, drejtues apo bashkëpunëtorë, ishin figura të spikatura të qëndresës, mendimtarë dhe frymëzues.
Ka patur gjithmonë një nisje, një grup njerëzish në këtë nisje, vizionarë dhe të sprovuar, që përgatitën atë që ndodhi. Thaçi nuk mund të ndahet prej tyre, ai ishte pjesë e bërthamës organizative dhe përcaktuese, sidomos në dy takime themeltare për të ardhmen e Kosovës, në Mbledhjen Konsultative të Kërçovës, viti 1993, ku për herë të parë ai zgjidhet përmes votimit të fshehtë në GOR, Grupi për Organizimin dhe Riorganizim, që përgatit Mbledhjen e IV të Përgjithshme, ku spikat përsëri roli i tij.
Mendimi im vetjak, që nuk ul asgjë në meritën e jashtëzakonshme të këtij libri është mungesa e dokumentave arkivorë, të kohës, proçesverbale, takime, mbledhje, përcaktime, letrave, shënimeve të mbajtura gjatë kohës së luftës. Janë përcaktuese në mendësinë politike të Thaçit mbledhjet e Trupës Drejtuese të Lëvizjes në dhjetor 1993 dhe mars 1994, ku ai është njëri nga drejtuesit e saj dhe në të cilat përcaktohet strategjia e luftës që do të ishte e dhimbshme, por e domosdoshme.
Pa këto ngjarje dhe data përcaktuese, vendime me jetësi historike për Kosovën, pa këtë strukturë njerëzore që ngriti formacionet e UÇKS-së, Thaçi nuk mund të kuptohet në periudhën e luftës.
Si u bë i njohur Hashim Thaçi?
Kur në perëndim, për herë të parë pas shumë viteve, u fol se në Kosovë ishte duke lindur një lëvizje guerile, e cila po gjente shtrirje më shumë në zonat rurale, ishin të paktë ata që e morën seriozisht këtë gjë. Edhe shërbimet e inteligjencës, megjithëse të kujdesshme, nuk i kushtuan vëmendje, ndoshta edhe për faktin se në këtë trevë, përherë të trazuar, kishin lindur herë pas here shkëndijat e një lëvizje guerile, të cilat, më pas, ishin shuar, duke lënë pas demonstrues të vrarë, si zakonisht nga policia serbe.
Edhe në fillimin e viteve 90 të shekullit që shkoi po ndodhte e njëjta gjë, kishte të vrarë shqiptarë në demonstrata apo në aksione të ndryshme, por nuk dukej sikur do të ndodhte ndonjë përmbysje apo diçka e jashtëzakonshme, të cilës duhej t’i kushtoje vëmendje.
Megjithatë , në dosjen e hapur filluan të shënoheshin informatat e para, pastaj gjithnjë e më shumë, deri sa u ndaluan tek emërtimi i lëvizjes që kishte lindur, emërtim, i cili, gjithnjë sipas tyre, ishte më i madh nga sa kishte mundësi Kosova, por që megjithatë ishte i gjetur bukur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kur gjërat filluan të bëhen gjithnjë e më të qarta, si të thuash, kur filluan të ravijëzohen të vërtetat, sado që të pakta, u duk sikur gjërat po zgjoheshin nga gjumi, i cili i kishte zënë në befasi. Deri pak më parë, deri në fillimin e vitit 1996, më shumë se gjithçka ishte menduar për një lëvizje guerile të kujdesshme, por vetëm aq, tani gjërat po rriteshin, dhe pikërisht në këtë kohë, jo rastësisht, ata filluan të interesoheshin për elitën drejtuese, për të shkuar drejt liderit të saj.
Po ishte gjithnjë e më e vështirë, si duket, të mësuar me goditjet, njerëzit në Kosovë kishin zënë mend dhe fshehtësia që po i rrethonte, ishte më e madhe se zakonisht.
U bënë gjithëfarë hamendjesh, u analizuan njerëzit që mund të ishin në grupin drejtues dhe vëmendja u përqëndrua tek disa prej tyre; më të shumtët ishin jashtë Kosovës dhe të përqëndruar rreth Lëvizjes Popullore të Kosovës, një organizatë e hershme, herë ilegale deri në thellësi dhe herë e shkujdesur. Por, ndërsa shkujdesja kishte marrë fund në fundin e vitit 1993, ilegaliteti i saj po dukej sikur po përmbyste rendin e gjërave.
Kur u duk sikur gjërat dolën sheshit, pikërisht atëherë, për shumicën, ndodhi diçka e papritur; njeriu që kishte qenë në paskenën e gjithë kësaj lëvizje, apo që ishte shfaqur më në fund krejt haptas, nuk ishte asnjëri nga ata që kishin menduar, megjithëse edhe ata ishin të rëndësishëm, por një djalë i ri, ende pa i bërë të 30 vitet, i panjohur për shumicën, por i njohur vetëm për ata që duhej; që ende nuk ishte shfaqur askund ku mund të shihej, nuk ishte pjesë e tubimeve, as nuk ishte prononcuar në shtyp, nuk bënte asnjë lloj politike, për të cilin kishin menduar se tani, pas studimeve në Prishtinë, por vazhdonte studimet pasuniversitare në Zvicër.
Ai quhej Hashim Thaçi, drenicak, që do të thotë nga një zonë ku lufta ishte një gjë e zakonshme dhe ku nuk mund të përcaktohej si një gjëmë; tepër i ri, i ftohtë, serioz me të gjithë dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kishte në vete enigmën e një njeriu, që i porsa dënuar në mungesë, nuk dukej se i ishte shmangur asaj që kishte pasur ndër mend të bënte.
Thaçi do të jetë njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i tillë ai do të bënte sfidën e tij, veçanërisht kur gjithçka u bë e njohur për rolin e tij si drejtues i Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Gjetja e Drejtorisë Politike kishte qenë një zgjidhje e mënçur. Në fakt, në cilëndo parti apo lëvizje të kishin bërë deklarimin e hapur se mbështeteshin, do të kishin hasur në ftohjen e të tjerëve.
E po ashtu, përcaktimi i tij si drejtues, do të ishte, po ashtu, e vetmja zgjidhje për kohën, që edhe sikur të përsëritej, do të ishte përsëri e vetmja. Njeriu i vetëm që mund të bënte rolin e tij, mrekullisht, e bëri pak kohë më pas, në vendlindjen e tij, në Maqedoni, dhe kjo do të thotë se pavarësisht nga ndryshimet në perceptimin e gjërave, Thaçi dhe Ali Ahmeti, për kohën, ishin të vetmit që mund të bënin një përmbysje të tillë.
Duke qenë Drejtori Politik i UÇK-së, ai do të jetë njëkohësisht edhe njeriu më me autoritet në të gjitha zonat e luftës. Enigma e tij, me gjithë kërkimet intensive, nuk do të zbardhej lehtësisht, e për disa gjëra, ende nuk është zbardhur.
Fakti është se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në një kohë të shkurtër kaloi mes dy përcaktimeve, njërën nga shefi i përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Klark, që do të bënte deklarimin se “ishte lëvizja guerile me rritjen më të shpejtë në botë”; dhe tjetrën, nga historiani dhe gazetari britanik, Tim Judah i cili e përshkruan UÇK-në si “ lëvizjen më të suksesshme guerile në historinë moderne”.
Cili është roli i Thaçit në saktësinë që bartin këto vlerësime të pashembullta? Si lëvizën kaq shpejt gjërat dhe ku ishte ai? Si kishte ardhur ai deri në këtë cak dhe çfarë rruge kishte bërë? Ishte rastësi, lëvizje e menduar, rrëmbim në momentin e fundit, saktësi në përcaktimin e gjërave, ego e mbarë dhe vizion i qartë, të gjitha këto pyetje janë bërë asaj kohe dhe disa vazhdojnë të bëhen edhe tani, sot e kësaj dite.
Jeta e një lideri në lëvizjen ilegale, guerile për më tepër, nuk është kurrë e hapur dhe as e lehtë për t’u dëshmuar; për më tepër jeta e një lideri si Thaçi, i cili, periudhën më të madhe para vitit 1998, e kaloi në fshehtësinë e së panjohurës që po përgatitej.
Lëvizjet guerile, në shumicën e rasteve, do të kenë një periudhë të gjatë të rritjes, zhvillimit dhe të përfaqësimit të tyre, deri sa bëhen pastaj pjesë e natyrshme në jetën e një populli.
Me UÇK-në nuk ndodhi edhe aq e gjatë kurba e zhvillimit të saj. Haptas ajo u pranua me 28 nëntor 1997, dhe kur mendon se aksionet e para të saj, sipas vendimeve të veçanta, janë zhvilluar në fillimin e majit 1993, do të thotë se mes njërës datë dhe tjetrës , janë diçka më shumë se 4 vite, dhe kjo nuk është një periudhë e gjatë që të fitosh të drejtën e pranimit nga njerëzit e tu, dhe pak më vonë, edhe nga ndërkombëtarët.
Në të vërtetë, që gjatë luftës, si do e përcaktonte gazetari britanik, James Pettifer, kur në fundin e vitit 1997 ishte në Drenicën e lirë, se “një Kosovë e re kishte lindur, një Kosovë ndryshe nga ajo e mëparshmja, Kosova e ardhshme e pavarur…”.
Cila hise në këtë Kosovë të re, ndryshe nga e mëparshme, me një të ardhme të pavarur, i takonte edhe Thaçit?
Papritur, në mesin e shkurtit të vitit 1999, ai u gjend në qendër të ciklonit politik. Nuk do të ishte më shumë se 31 vjeçar dhe kjo do të ishte përballja e tij e parë, në këto përmasa, me diplomacinë.
Ajo, për dreq, do të ishte e shumëllojshme, e ngutur në kohë, herë pas here agresive, do të kishte momentet e veta të përkëdheljes politike, të zbutjes, të dëshirës për të joshur ëndrrën politike të çdo lideri, e më për tepër ëndërrimin politik të një djali të ri, i cili, si i dukej atyre, kishte dalë mrekullisht nga fshehtësia e të panjohurit, për të patur një fat të veçantë, të cilin nuk e kishin pasur as njerëz me dyfishin e moshës së tij dhe të njohur si njerëz të politikës shumë e shumë vite më parë.
Në një kështjellë të moçme, çuditërisht e lidhur me fate dhe jetë mbretërish, tepër e fshehtë për të qenë në syrin e të gjithëve, rrethuar me kangjella të larta hekuri, në oborrin e së cilës lëviznin mitet e së djeshmes, tani, një lloj tjetër fati, më modern, por i përshkruar nga e njëjta ligësi, do të vinte përballë përfaqësues të dy popujve që , ndonëse kishin pasur mundësi të shikonin secili hallet e dertet e veta, sekush në shtëpinë e tij, kishte pasur një tjetër rrjedhë; të parët, donin të ishin mbretër në shtëpinë e tyre, këto, të shtypur dhe të vrarë deri asaj dite, shqiptarët, kishin bërë udhë të gjatë për të ardhur deri këtu; të dytët, serbët, mbuluar nga miti i rremë, vetë i krijuar, i një djepi, kishin ardhur përdhunshëm, për të bërë edhe një herë të mundur që të ishin zotër në shtëpinë e tjetrit.
Përreth tyre, herë për t’i zbutur dhe herë për t’i dëshmuar forcën, endeshin diplomatët e huaj, thuajse nga të gjitha vendet e rëndësishme, në mesin e të cilëve, francezët, të zotët e shtëpisë, përpiqeshin të ishin kryesorët, por që në fakt, të ardhurit përtej oqeanit, amerikanët, do të ishin thelbi i gjithçkaje.
Mes tyre, krejt befas, si një e papritur që nuk ishte menduar aq thellë, do të qëndronte ky njeri, ende djalë i ri, i hequr në fytyrë, do të thoja i dobët, me shtatin e gjatë, përtej mesatares se zakonshme të shqiptarëve, i veshur thjeshtë, dhe që, lodhja nga rruga e gjatë që kishte bërë, nuk i ishte hequr ende nga tiparet e fytyrës.
Kishte ndodhur një përmbysje, më në fund ishte vendosur që të bëhej një Konferencë e Jashtëzakonshme për Kosovën, por përmbysja do të ishte edhe në një element tjetër, tepër i padukshëm në ato ditë, por që do të vinte duke u bërë gjithnjë e më i dukshëm, deri sa do të formësonte tiparin e një politikani të ri, i cili do e lidhte emrin e tij me tre gjëra, me luftën, me të ardhmen e Kosovës dhe me diplomacinë ndërkombëtare.
Ai ishte nisur nga fshati Berishë, vetëm pak ditë më parë, aty ku ishte edhe njëra ndër qendrat e Shtabit të Përgjithshëm. Si zakonisht, kishte udhëtuar me mikun e tij më të afërt, më shumë i njohur si “ Luli”, se sa me emrin e tij të zakonshëm; shoqërues kishte pasur një grup njerëzish të armatosur, të cilët njiheshin gjërësisht si luftëtarë të UÇK-së, kishte pasur rrugëtim nëpër dëborë, dhe, shumë pak njerëz, ndoshta më pak se gishtat e njërës dorë, e dinin udhëtimin e tij.
Kishte kaluar përmes fshatrave të Hasit, mbuluar nën dëborën që ende vazhdonte të binte, pastaj përmes Pashtrikut, kishin kaluar në fshatin Vlahen, më tej në qytetin e Kukësit, në kryeqendrën shqiptare, Tiranë, më tej në Zvicër, Paris… Ende binte dëborë e lehtë dhe fryente një erë e ftohtë brisk.
Askush nuk ishte lajmëruar për ardhjen e tij dhe ai vetë, po ashtu, askënd nuk kishte lajmëruar. Kishte thirrur një taksi, si çdo njeri i zakonshëm, kujdesi nuk kishte qenë kurrë i tepërt , dhe ishte nisur në drejtimin e Rambujesë… Në fakt, drejt atij vendit ishin nisur asaj dite disa qindra bashkëatdhetarë, më pas do të niseshin edhe disa dhjetra mijra të tjerë, në atë që do të quhej tubimi më i madh i shqiptarëve jashtë atdheut të tyre.
Tek porta e madhe me kangjellat e hekurta ai kishte qëndruar për pak çaste. Deri aty kishte shkuar me miqtë e tij më të afërt, kur do të kalonte atë prag, do të ishte me miq të tjerë, por herë pas here do të ishte edhe krejt vetëm.
Ende nuk ishte bërë i njohur emri i tij, ndoshta, deri asaj dite, edhe ai vetë kishte dashur të ishte sa më pak i njohur, nuk kishte dashur të ishte pjesë e takimeve të ndryshme, deklaratave. U ishte ruajtur atyre, kishte qenë përherë në kujdesin e tij shmangia nga e dukshmja, e jo më kot e thashë, që në fillimin e këtij rrëfimi se, për shumë kohë, ai do të ishte njeriu që nuk do i diheshin gjurmët.
Në të njohurën e tij, ai ishte një njeri i panjohur. Më pas, në të panjohurën e tij, ai do të bëhej një njeri i njohur. E panjohura do të bëhej jashtëzakonisht shpejt e njohur dhe nga kjo, as ai, deri atëherë i kujdesshëm, nuk do të mund të shmangej më.
Befas, menjëherë pasi delegacioni shqiptar në Rambuje deklaroi se kryetari i tij do të jetë Njeriu me emërin Hashim Thaçi, do të fillonte dhe shfletimi gjërësisht i dosjes së tij. Jo vetëm nga ata që e kishin tashmë, si për shembull diplomacia amerikane, por edhe nga të tjerët, të cilët, rrëmbimthi, ndoshta me ngut të jashtë mase, do të kërkonin të gjenin të gjitha të dhënat për këtë njeri, që erdhi në qendrën e vëzhgimit të tyre.
Ky njeri, përgjithsisht serioz, i qetë në dukje, por më i qetë në përmbajtjen e tij, nganjëherë misterioz, shpesh herë i padëshifrueshëm, që fliste një anglishte të ngadaltë dhe gjermanishten që flasin zakonisht zvicerianët, që nuk përdorte asnjë fjalë në sllavisht, megjithëse e dinte, student dikur dhe prorektor i një universiteti, e çuditërisht, për ata që nuk i dinin rrjedhat në Kosovë, i dënuar nga gjyqet serbe si terrorist, jo shumë kohë më parë, me dhjetë vite burg, ( nuk do të ishte as dënimi i parë dhe as i fundit), ky njeri pra, do të vihej në qendër të vëmendjes.
Ata që nuk ishin informuar më parë shpejtonin të shkëmbenin të dhënat e tyre, miqtë e dikurshëm të pushtetit serb nxituan të merrnin të dhënat nga shërbimi i fshehtë policor i këtij të fundit, dhe si nëndorë, t’i përhapnin mes shërbimeve të tjera të inteligjencës.
Nëse më parë njeriu i zakonshëm kishte pasur përparësinë e tij mbi njeriun e politikës, tashmë ata do të shkriheshin në një dhe ai nuk do të mund të kishte më jetën e një qytetari të zakonshëm. Jeta e tij, që nga ajo ditë, përherë e më tepër do të vihej në mbikqyerjen e shumëkujt, për të mos thënë nën vëzhgimin e të gjithëve.
Ajo nuk do të mund të ishte më një “ mollë e ndalueme”, por një gjë e hapur, dhe sado të fshehta të kishte pasur deri asaj dite, ato, herët a vonë, do të synonin të bardhësosheshin, të bëheshin të qarta dhe ai vetë, besoj se që në fillim, e kishte pasur të qartë se nuk duheshin pasur më të fshehta , të cilat të krijonin një mister të panevojshëm.
Do të arrinte në harkun e pak ditëve , atë që të tjerët nuk e kishin arritur me vite jete. Në fakt ai logjikoi se kishte ardhur koha e tij dhe se koha e tij ishte e njëjtë me kohën e Kosovës.
Që prej asaj dite, emri i Kosovës dhe emri i tij, u lidhën ngushtë. Në të mirë e në të keq, ata do të ishin bashkë edhe në vitet në vazhdim.
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016