Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Berat Buzhalën nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk ka qenë rasti, por, edhe nëse do të kishim qenë në të njëjtin vend, interesi i dyanshëm nuk do të ishte i ndjeshëm.
Nuk hyn në gazetarët që i ndjek, për më tepër, edhe kur lideri i kohës së PDK-së, Hashim Thaçi më tregoi se kishte dëshirë që Buzhala të ishte pjesë e grupit të tij parlamentar, pra deputet, nuk isha i një mendje. Nuk besoja dhe nuk besoj ende, edhe sot e kësaj dite, se bindjet e tyre mund të bashkoheshin, ashtu si nuk u bashkuan.
Gazetari mbeti deri në fund në linjën e tij, kundërshtuese, gjithherë më tepër gazetar se sa deputet, e për më tepër, vetë rruga e mëvonshme tregoi se dëshira nuk është shpesh herë e vërteta e asaj që ndodh.
Kohët e fundit gazetari Buzhala publikoi në tri emisione të veçanta përgjime të bisedës së deputetes Kusari – Lila, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes VV, me njërin nga liderët ekstremistë të Listës Serbe, që, në të gjithë qenien e saj është ultra ekstremiste.
Puna e gazetarit kjo është. Mënyra se si i kanë rënë në dorë këto përgjime, kush ia ka dhënë dhe pse, qëllimi për të cilin janë përdorur, jehona apo mos jehona e tyre, të gjitha janë çështje të diskutueshme. Personalisht, nëse do të kisha qenë në rolin e gazetarit Buzhala, do i kisha kthyer prapësht, por do të kisha shkelur kodin e gazetarisë.
Përgjimet u bënë të njohura, ata zgjuan reagime të ndryshme, çka është e natyrshme, sidomos në një shoqëri që po skajohet gjithnjë e më tepër, si kurrë më parë. Vazhdojnë të bëhen emisione, të ketë debat dhe kjo do të vazhdojë edhe një farë kohe, deri sa diçka tjetër do të jetë në tehun e mediave.
Mes reagimeve të shumta, ajo që më bëri përshtypje ishte ai i ministrit të brendshëm të Kosovës. Për më tepër më ngjalli ndjenjën e së keqes dhe jo të ndershmërisë në komunikimin e një funksionari të lartë të qeverisë, ndoshta njeriu më i afërt i kryeministrit, dhe, pa dyshim, njeriu më besnik i tij. Është në të drejtën e shefit të qeverisë të ketë primarë disa funksionarë të lartë dhe ministri, deri tani, e justifikon besimin e shefit.
Ministri i Brendshëm është Xhelal Sveçla. I bërë i njohur përmes aksioneve të Lëvizjes VV, pastaj si zëvendësministër i brendshëm në qeverinë e përbashkët VV dhe LDK, e tani është në krye të këtij dikasteri.
Në një postim social ai shpalli dy gazetarë, të njohur për qëndrimin agresiv ndaj qeverisë Kurti, si… tradhtarë. Megjithëse shpejtoi të fshijë postimin e tij, ajo mbeti në mediat e njohura, të cilat, disa e përkrahin qeverinë, të tjera janë kritikë ndaj saj, për të mos thënë se ka edhe kundërshtarë të skajshëm të saj.
Cilësimi i dy gazetarëve si tradhtarë, pikërisht nga ministri i brendshëm, jo vetëm është një akt i rëndë, tejet i rëndë, por, i shkruar nga njeriu i parë në rendin e Kosovës, mbi të gjitha kërkon prova. Të qarta, të sakta dhe të dokumentuara. Ndryshe është një shfaqje e turpshme dhe, për më tepër, që ve në rrezik jetën e dy figurave publike, pavarësisht nëse kanë të drejtë apo jo.
Cilësimi tradhtar bën thirrje për linçimin e tyre, ndjell agresivitet, ashtu si dhe ndodhi, megjithëse publikimi ishte në një kohë relativisht të shkurtër, mijëra ndjekës, nganjëherë të verbër të Lëvizjes VV bënë thirrje dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndëshkimin e dy gazetarëve. Me linjën editoriale të tyre, unë nuk jam i një mendje, përkundrazi ndahem në shumë gjëra, por askush nuk ka të drejtën të cilësojë tradhtarë dy figura publike, ose jo publike, pa dëshmuar me prova të sakta se janë të tillë.
Detyra e ministrit është të mbrojë jetët njerëzore, mes tyre edhe të një pjese të popullsisë së Kosovës që nuk është e një mendje me veprimet e qeverisë, që kërkon të jetë ndryshe gjendja, që, në fund të fundit, ende nuk i besojnë qeverisë Kurti, sado të pakët të jenë ato, apo, sado të jetë në rritje numri i tyre.
Duke shkuar më tej, ministri i brendshëm i Kosovës i sheh të gjithë të tjerët, që nuk janë në një mendje me qeverinë ku bën pjesë, si armiq, gazetarë, shoqërinë civile, opozitarët , veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si struktura dhe njerëz që janë në koordinim të plotë me presidentin serb Vuçiç, se ata po sinkronizohen në fshehtësi për të frenuar qeverinë Kurti, dhe, kur një deputet hedh një fllad ujë drejt foltores ku është shefi i qeverisë, duket sikur po ndodh e pa ngjashmja asnjëherë më parë.
Ministri i brendshëm ka qenë pjesë aktive kur strukturat e partisë ku bën pjesë goditnin me gurë Policinë e Kosovës, gjuanin me vezë ministrat, gjuanin me vezë shefin e qeverisë së kohës pikërisht në atë foltore ku u spërkat me ujë shefi i tanishëm i qeverisë, hidhnin gaz lotsjellës, përmbysnin makina, bënin thirrje për përleshje, deri në linçim të figurave politike të kohës, etiketonin tradhtarë shumë nga ata që ishin pjesë e rëndësishme e luftës çlirimtare.
Zoti Ministër, nuk është faji i Buzhalës që shefja juaj e grupit parlamentar Kusari – Lila, që nuk është as e partisë suaj, por është e përkohshme aty, pasi, si ka ndërruar më parë, mund të ndërrojë rolin edhe në të ardhmen, bisedon me orë të zgjatura me njërin nga liderët ekstremistë serbë.
Nuk është faji i gazetarëve në Kosovë që shefja e grupit parlamentar vë në lojë vlerat e luftës dhe i diskuton pikërisht me njeriun që ka qenë ashpërsisht kundër luftës çlirimtare.
Nuk është faji i mediave që kjo shefe, që në qeveri të tjera, të ngritura nga krerët e luftës kishte funksione të rëndësishme, bën pazare politike dhe, për më tepër, pesë herë, aq sa di bashkëbiseduesi i saj, ka folur edhe njërin ndër figurat më ekstremiste të Kosovës, të kërkuar ndërkombëtarisht për krimet e rrjedhura nga veprimet e tij.
Për shefin tuaj të qeverisë, një tjetër figurë e ekstremistëve serbë, Oliver ivanoviq mund të jetë burrë i mirë, gjë që nuk do të doja kurrë të ishte mendimi i tij, por, për shumë familje shqiptare në Kosovë ai është një kriminel, që ka vrarë me dorën e tij breza shqiptarësh.
Buzhala mund të jetë i mirë ose i keq, shpesh herë qëndrimet e tij sektare janë të padurueshme, por ai është në punën e tij dhe detyra juaj është të siguroni jetën e atyre si ai. Nëse keni prova se janë tradhtarë, dorëzoni lëndën në prokurori. Kosova ka sistemin e aj të drejtësisë, që, sipas shefit të qeverisë është ndër më të mirët në rajon. Ndaj besoni tek sistemi. Thirrjet për linçim politik e jo vetëm politik, të gjitha bien ndesh me detyrën tuaj si ministër dhe me qenien tuaj si njeri.
Por, përtej saj, shumë më e dhimbshme, qëndron në dilemën nëse, ashtu si në Lëvizjen VV, a po vendoset edhe në drejtimin e shtetit autokracia e Njëshit dhe e shtetit policor? Kjo do të ishte më e dhimbshme se gjithçka tjetër.
A mos po shkon Kosova drejt mohimit të vlerave të së shkuarës, për të ngritur një të ardhme pa asgjë të kaluar, ku jeta do të ketë si fillimin e saj 14 shkurtin?
Asnjë forcë tjetër politike, si Lëvizja VV, nuk ka pasur një përkrahje të tillë të pazakontë. Ashtu si e kishte menduar zoti Kurti, ashtu edhe ndodhi. Përmes krijimit të një gjendje të jashtëzakonshme, Lëvizja VV mori një përkrahje të jashtëzakonshme. Kjo përkrahje vazhdon edhe tani. Krijimi i një gjendje me delir nacionalist, mungesa e një opozite serioze dhe me mendim racional, ashtu si ka mangësitë e saja, ka edhe përparësinë, sendërtimin e shtetit të Kosovës.
Dy fazat e para, Liria e Kosovës dhe Pavarësia e saj nuk e kanë nënshkrimin e drejtuesve të Lëvizjes VV. Por ata kanë shansin e madh të ndërtojnë modelin e demokracisë reale, jo hibride; funksionale përmes së drejtës dhe jo përmes kërcënimit policor, nga mendimi i duhur euroatlantik dhe jo nga mëria ndaj Perëndimit, nga bashkëpunimi e jo nga mohimi; nga qeverisja me këmbë në tokë dhe jo nga deliri; rrethuar nga njerëz seriozë dhe jo dallkaukë.
Në fund të fundit nga fjala e lirë dhe jo nga dhuna policore.
I mirë a i keq, Buzhala është në punën e tij. Ai nuk është fajtor nëse qeveria dështon në atë që me premtuar. Ai është njëri nga kasnecët e fjalës. Nëse dyshoni se është tradhtar i popullit të tij, veproni, nëse fjalët e një ministri që e mendon veten se mund të flasë si në opozitë janë të fajshme, atëherë kthehuni nga e mbara. Media nuk iu ka borxh agresivitetin dhe pamaturinë!
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.