FBI ka lëshuar sot një paralajmërim për sulme kibernetike ndaj bizneseve dhe organizatave në mbarë botën. Sipas autoriteteve amerikane, kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me shtete po përdorin inteligjencën artificiale për të depërtuar në rrjetet kompjuterike, duke arritur në disa raste të marrin akses me privilegje të larta në më pak se tri orë.
Paralajmërimi është publikuar nga zyra e FBI-së në Dallas, e cila ka shpërndarë edhe një dokument zyrtar prej 13 faqesh mbi teknologjinë ARTEX, që po përdoret për të automatizuar sulmet. Në dokument përshkruhen raste konkrete, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale.
“FBI ka lëshuar një paralajmërim urgjent se kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me shtete po shfrytëzojnë ARTEX, një platformë testimi të sigurisë që përdor superinteligjencën, për të automatizuar sulmet ndaj bizneseve dhe organizatave në mbarë botën”, thuhet në njoftim.
Alarmi i FBI-së vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë përballur me një sërë ndërprerjesh teknologjike, nga problemet me bankat deri te dalja jashtë funksionit e rrjetit të klasifikuar të komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA).
Në postimin e publikuar në rrjetin social X, FBI shpjegon se ARTEX është një platformë testimi të sigurisë kompjuterike, e cila po shfrytëzohet nga hakerët për të kryer automatikisht disa faza të sulmeve.
Sipas FBI-së, kjo teknologji mund të përshpejtojë sulmet, duke bërë të mundur që hakerët të kalojnë nga identifikimi i objektivit deri te marrja e aksesit me privilegje të larta në më pak se tri orë.
Dokumenti zyrtar i shpërndarë bashkë me postimin e sotëm, tregon se ARTEX është përdorur që prej të paktën gushtit për sulme ndaj organizatave në sektorë të ndryshëm, përfshirë bankat, institucionet qeveritare, teknologjinë, mbrojtjen, energjinë, shëndetësinë dhe telekomunikacionin.
Sipas dokumentit, ARTEX mund të përdoret edhe nga persona me njohuri të kufizuara teknike, pasi automatizon veprime që zakonisht kërkojnë aftësi të specializuara.
Deri në fillim të nëntorit, studiuesit kishin identifikuar mbi 1,600 sisteme ARTEX të ekspozuara publikisht. Megjithëse zhvilluesi fillestar e hoqi projektin nga GitHub më 8 tetor, pas raportimeve për keqpërdorimin e tij, platforma vazhdon të jetë e disponueshme përmes kopjeve dhe varianteve të tjera.

FBI u kërkon bizneseve dhe organizatave të forcojnë kontrollet e aksesit në sistemet e tyre, të monitorojnë aktivitetet e dyshimta të automatizuara dhe të raportojnë çdo rast të mundshëm komprometimi në qendrën amerikane të denoncimit të krimeve në internet, IC3.
Në të njëjtën ditë me paralajmërimin e FBI-së, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka njoftuar se në të gjithë Shtetet e Bashkuara do të zhvillohet një test i sistemit kombëtar të alarmit të emergjencave.
Kjo do të thotë se në radiot dhe televizionet amerikane do të transmetohet një sinjal alarmi, për të provuar sistemin që përdoret për të paralajmëruar popullsinë në raste emergjencash.
FEMA ka sqaruar se testi ishte planifikuar më parë dhe qytetarët nuk kanë nevojë të ndërmarrin asnjë veprim. Nuk është njoftuar asnjë lidhje mes këtij testi dhe paralajmërimit të FBI-së për sulmet kibernetike.
o.p. / dita
