Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve 90’
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kosovë
  • Kuriozitet
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kosovë
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve 90’
AnalizaHistoriLajmi i fundit

Figura e Avni Rustemit mes deformimit historiografik, kujtesës popullore dhe narrativave politike të rishikimit të historisë pas viteve 90’

Published: 28 Prill, 2025
Shpërndaje
Shpërndaje

Nga Dorian Koçi

Mos pandeh se u harrove, lule o Avni Rustemi! – Populli

Hyrje

- Publicitet -

Në veprën Krimi i Sylvestre Bonnard, shkrimtari francez Anatole France thekson me ironi se “historia, dikur një art që lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës, sot është bërë shkencë, në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë.” Kjo reflektim letrar, i mbështetur në një ndjeshmëri të thellë kulturore dhe intelektuale të kohës, nuk është thjesht një deklaratë estetike, por një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj trajtimit të historisë si instrument në funksion të ideologjive të ndryshme. Në këtë kuptim, France shpreh një ndërgjegjësim të rëndësishëm për kalimin e historisë nga një rrëfim narrativ dhe shpesh romantik, në një fushë që kërkon analiza sistematike, interpretim kritik dhe verifikim burimor.

Kjo prirje për ta trajtuar historinë si shkencë e mirëfilltë do të artikulohej më vonë me themelimin e Shkollës Franceze të Annales, e cila e zhvendosi fokusin nga individi dhe ngjarja drejt strukturave afatgjata, fenomeneve sociale dhe qasjeve ndërdisiplinore. Historigrafia, sipas kësaj shkolle, nuk ishte më një përmbledhje betejash dhe jetësh mbretërore, por një përpjekje për të kuptuar mekanizmat e brendshëm të shoqërive në zhvillim.

Në Shqipëri, ky ndryshim metodologjik u ndje me vonesë dhe u bë më i dukshëm vetëm pas viteve 1990, kur vendi filloi të çlirohej nga dogmatizmi i historiografisë marksiste-leniniste. Deri atëherë, historia nuk kishte funksionuar si një pasqyrë e së vërtetës, por si një vegël ideologjike në duart e regjimit komunist, që e përdorte për të justifikuar pushtetin dhe për të ndërtuar narrativat e dëshiruara politike. Në këtë kontekst, kufiri ndërmjet faktit dhe mitit shpesh zhdukej, duke e shndërruar historianin në një autor propagandistik më shumë sesa në një studiues kritik.

Pas viteve 1990, me hapjen graduale ndaj metodologjive bashkëkohore dhe me hyrjen në qarkullim të burimeve të reja dokumentare dhe dëshmive alternative, nisi një proces i gjatë dhe shpesh i vështirë rishikimi të figurave historike. Ky rishikim, ndonëse i nevojshëm, nuk ka qenë gjithmonë i lirë nga pasionet politike të kohës, dhe në shumë raste ka krijuar thjesht një narrativë të re që i kundërvihet asaj të vjetrës, pa e përmirësuar domosdoshmërisht cilësinë e interpretimit historik.

Një nga figurat më të goditura nga këto rishkrime të historisë është Avni Rustemi, një personazh kompleks dhe me shumë dimensione, i cili ka kaluar nga një ikonë e ngritur nga regjimi komunist, në një figurë të kontestuar dhe shpeshherë të keqinterpretuar në kujtimet dhe analizat postkomuniste. Analiza e trajtimit të tij në kujtimet e Eqerem Bej Vlorës dhe në diskursin publik pas viteve ’90 ofron një shembull domethënës të mënyrës se si historia në Shqipëri vazhdon të jetë një terren i ndezur debatesh, rivalitetesh ideologjike dhe rikonstruktimesh selektive.

Figura e Avni Rustemit nevojitet jo vetëm të analizohet në kontekstin e lëvizjeve reformiste të viteve 1920–1924, por edhe nga mënyrat sesi ai është përfaqësuar në historiografi dhe në kujtesën kolektive shqiptare. Duke vepruar kështu qëllimi nuk është të ndërtohet një mit i ri, por të kontribuohet në një qasje më të matur, më të balancuar dhe më të ndriçuar ndaj një periudhe të rëndësishme të historisë shqiptare.

Historia si instrument ideologjik: rasti i trajtimit të figurës së Avni Rustemit

Para viteve 1990, historia shqiptare funksiononte jo si një disiplinë shkencore në kërkim të së vërtetës, por si një instrument propagandistik në shërbim të ideologjisë së shtetit. Në këtë kontekst, historia nuk rrëfente ngjarjet ashtu siç kishin ndodhur, por ashtu siç duhej të interpretoheshin për të mbështetur vijën zyrtare të Partisë së Punës. Kufiri mes faktit dhe mitit shpeshherë ishte i zbehur, dhe për rrjedhojë, rrëfimi historik ishte i mbushur me konstruksione artificiale, mitizime të qëllimshme dhe romantizime të figurave që shërbenin si modele të socializmit të ri shqiptar.

Koncepti ironik i Anatole France për “fantazitë e imagjinatës” fiton një kuptim të veçantë kur aplikohet në këtë kontekst. Ai pasqyron në mënyrë të hollë atë që ndodhte në historinë zyrtare shqiptare: përdorimi i së kaluarës për të legjitimuar të tashmen dhe për të ndërtuar një identitet kolektiv të kontrolluar. Në këtë funksion, figura të caktuara historike u ngritën në piedestal, jo për meritën e tyre reale në ndërtimin e shtetit apo emancipimin e kombit, por për faktin se përputheshin me narrativën marksiste-leniniste.

Në këtë mënyrë, historiografia e regjimit nuk ishte vetëm selektive, por edhe ekskluzive, duke përjashtuar, shtrembëruar ose heshtur qëllimisht figura dhe ngjarje që nuk përputheshin me ideologjinë. Heroizmi i prodhuar shpesh ishte rezultat i një procesi të ndërtimit artificial, ndërkohë që kundërshtarët politikë, apo edhe figurat komplekse që nuk mund të kategorizoheshin lehtësisht, portretizoheshin si “armiq të popullit” ose “reaksionarë”. Historia nuk ishte më një pasqyrë, por një instrument.

Pas viteve 1990, me rënien e regjimit komunist dhe hapjen e vendit ndaj qasjeve pluraliste, nisi një proces i vonuar rishkrimi dhe rivlerësimi të figurave historike. Megjithatë, ky proces nuk ishte gjithmonë i mbështetur mbi kritere shkencore, por shpeshherë mbi motivime ideologjike të kundërta me ato të mëparshmet. Në vend që të ofrohej një dekonstruktim objektiv i miteve të vjetra, u ndërtuan mite të reja — ndonjëherë me të njëjtin mekanizëm: selektivitet, instrumentalizim dhe shërbim ndaj një ideologjie të re, këtë herë postkomuniste dhe shpeshherë nacionaliste ose anti-komuniste në formë ekstreme.

Në këtë kontekst të tranzicionit ideologjik dhe konfuzionit metodologjik, figura e Avni Rustemit zë një vend të veçantë. Avni Rustemi, një aktivist politik i viteve 1920, një njeri i përfshirë në debatet e mëdha për reformë, drejtësi sociale dhe modernizim, u bë një nga figurat më të përdorura dhe njëkohësisht më të keqpërdorura në rrëfimin historik. Në periudhën komuniste, ai u mitizua si simbol i luftës kundër “feudalizmit reaksionar” dhe si pararendës i revolucionit. Ai u përvetësua si një figurë që mishëronte parimet e një shoqërie të re proletare.

Pas viteve ’90, me ndryshimin e vlerave shoqërore dhe rishfaqjen e elitave të vjetra politike dhe kulturore, Avni Rustemi u trajtua shpesh në mënyrë denigruese, duke e reduktuar rolin e tij në një akt dhune apo duke e paraqitur si një instrument në duart e kundërshtarëve të monarkisë. Kjo dualitet ideologjik në përfaqësimin e tij pasqyron mungesën e një tradite të mirëfilltë të kritikës historike në Shqipëri, si dhe dëshmon për vështirësinë që ka pasur dhe ende ka shoqëria shqiptare në ndërtimin e një narrative historike gjithëpërfshirëse, të balancuar dhe të bazuar në kritere të mirëfillta shkencore.

Trajtimi i rastit të Rustemit na ndihmon të kuptojmë jo vetëm për figurën e tij si individ, por edhe për mënyrën sesi historia është përdorur — dhe keqpërdorur — si një terren i betejës politike dhe ideologjike. Ai është një shembull konkret i nevojës për të ndarë rrëfimin historik nga instrumentalizimi politik dhe për të zhvilluar një kulturë të leximit kritik të së kaluarës, të çliruar nga mitet dhe narrativat manipuluese.

Përtej copëzimit anekdotik të historisë: nevoja për analizë historike në trajtimin e figurës së Avni Rustemit

Në rishikimin e figurës së Avni Rustemit, shpesh janë përdorur episode të veçuara, të cilat, duke u nxjerrë jashtë kontekstit historik, kanë shërbyer për të hedhur dyshime mbi rolin dhe motivet e tij politike. Tre episode përmenden rëndom: pretendimi për pagesën e marrë për vrasjen e Esat Pashës, nderimi i Leninit në Parlamentin Shqiptar, dhe refuzimi i vizës amerikane në vitin 1924. Megjithatë, një analizë e kujdesshme historike tregon se këto elemente nuk mund të përdoren si bazë për gjykime të thjeshtëzuara.

Së pari, edhe nëse gjatë arrestimit në Francë Avniut iu gjetën të holla, kjo nuk përbën provë për një pagesë kriminale, aq më tepër kur Parlamenti Shqiptar i vitit 1921 i akordoi atij një pension si vlerësim zyrtar për aktin e konsideruar patriotik. Ky vlerësim institucional, i dhënë nga etërit themelues të shtetit shqiptar, ka më shumë peshë historike sesa interpretime të vona të shkëputura nga rrethanat e kohës.

Së dyti, përshëndetja e vdekjes së Leninit nuk lidhej me mbështetje ideologjike për komunizmin, por me mirënjohjen ndaj faktit që Lenini kishte denoncuar traktatin e fshehtë të Londrës, i cili kërcënonte të copëtonte Shqipërinë. Në atë periudhë, njohuritë për realitetin represiv të regjimit sovjetik ishin të pakta dhe vlerësimi për Leninin ishte thjesht një akt politik në mbrojtje të integritetit kombëtar.

Së treti, mosdhënia e një vize nga autoritetet amerikane ndaj Avni Rustemit në prill të vitit 1924 nuk mund të merret si argument për të gjykuar figurën e tij. Vendimet diplomatike dhe administrative shpesh varen nga interesa të kohës dhe ndryshojnë me zhvillimet ndërkombëtare, prandaj nuk mund të shërbejnë si bazë për diskreditim historik.

Prandaj, është e rëndësishme që historia të mos shndërrohet në një mozaik episodesh të shkëputura dhe të interpretuara në mënyrë të njëanshme. Figura e Avni Rustemit, si shumë të tjera të kësaj periudhe, duhet analizuar në dritën e rrethanave historike konkrete, duke ruajtur integritetin metodologjik dhe respektin ndaj kompleksitetit të së kaluarës.

Figura e Avni Rustemit dhe kujtimet e Eqerem Bej Vlorës

Një nga aspektet më të kontestuara të historiografisë shqiptare të periudhës pas komunizmit ka qenë rivlerësimi dhe interpretimi subjektiv i figurave historike, ndër të cilët zë vend të rëndësishëm Avni Rustemi. Figura e tij nuk ka qenë vetëm pjesë e betejave politike të kohës kur ai jetoi, por është shndërruar edhe në një fushë simbolike përplasjesh të mëvonshme ideologjike dhe historiografike. Një dëshmi e qartë e kësaj është përfaqësimi i tij në kujtimet e Eqerem Bej Vlorës, të cilat, ndonëse të shkruara më herët, morën një jehonë të re pas botimit të tyre pas viteve 1990.

Në këto kujtime, Avni Rustemi përshkruhet në mënyrë pezhorative, madje fyese, duke u karakterizuar si një “kriminel dhe karagjoz”, dhe akti i vrasjes së tij përshkruhet si një gjest i drejtë dhe i nevojshëm për të ruajtur rendin dhe nderin e elitave të kohës. Ky interpretim nuk është i izoluar — ai reflekton një tendencë më të gjerë për të rehabilituar figurat e elitës së vjetër dhe për të delegjitimuar ata që ishin përfshirë në lëvizje reformiste, demokratike apo revolucionare në fillimshekullin XX.

Kujtimet e Eqerem Bej Vlorës, ndonëse përfaqësojnë një burim dytësor me vlerë për njohjen e klimës politike dhe sociale të kohës, nuk janë të çliruara nga paragjykimet klasore, përkatësitë politike dhe përplasjet personale. Eqerem Vlora, si pjesë e elitës së dikurshme otomane  dhe një mbështetës i linjës konservatore që e pa Avni Rustemin si kërcënim për status quo-në, nuk i fsheh në shkrimet e tij ndjesitë e armiqësisë ndaj reformistëve, të cilët ai i konsideronte si aventurierë politikë dhe destabilizues.

Për më tepër, këto kujtime tendencojnë ta reduktojnë historinë në një ndarje polariteti të thjeshtuar, duke paraqitur shqiptarët si të ndarë midis “Esatistëve” dhe “Zogistëve” — një dualitet që injoron kompleksitetin real të aleancave politike të kohës. Në fakt, në momentin e vrasjes së Avni Rustemit, bashkëpunimi mes eksponentëve të fraksioneve rivale ishte më tepër pragmatik se ideologjik, dhe vrasja vetë mbetet një akt politik i koduar, me motive dhe pasoja që shkojnë përtej retorikës së hakmarrjes personale.

Trajtimi i figurës së Avni Rustemit nga Eqerem Bej Vlora nuk është një përjashtim, por pjesë e një tendence më të gjerë të historiografisë postkomuniste për të kthyer figurat e diskutueshme në shënjestër të revizionizmit të pakontrolluar. Në vend të një rivlerësimi kritik dhe të balancuar, kemi shpesh një zhvendosje të peshës së moralit historik, ku viktimat e djeshme portretizohen si fajtore, dhe anasjelltas. Kjo është një nga mangësitë më të mëdha të tranzicionit historiografik në Shqipëri, ku mungesa e institucioneve të pavarura akademike dhe ndikimi i politikës në procesin e kujtesës kolektive pengojnë një rivlerësim të mirëfilltë dhe të ndershëm të së kaluarës.

Figura e Avni Rustemit, në këtë kuptim, është më shumë se një personazh i së shkuarës — ai është simbol i mënyrës sesi historia përpunohet, interpretohet dhe përdoret për nevojat e të tashmes. Vetë fakti që një figurë me angazhim të qartë në reforma demokratike, zhvillim arsimor dhe drejtësi sociale, mund të shihet si “kriminel” në kujtimet e një pjese të elitës së vjetër, tregon se lufta për narrativën historike vazhdon edhe sot, dhe se objektiviteti është ende një synim i papërmbushur në historiografinë shqiptare.

Ndjeshmëria popullore dhe kujtesa kolektive ndaj Avni Rustemit dhe kthimi i tij në atdhe

Pas lirimit nga gjykata franceze në dhjetor 1920, kthimi i Avni Rustemit në Shqipëri u shndërrua në një ngjarje me domethënie të thellë simbolike dhe politike. Ai nuk u prit thjesht si një individ që kishte kryer një vepër të rëndësishme politike — vrasjen e Esat Pashë Toptanit, të cilin shumë shqiptarë e konsideronin tradhtar kombëtar — por si përfaqësues i një ideali, i një brezi të ri që kërkonte transformim rrënjësor të rendit shoqëror dhe politik.

Entuziazmi popullor që e shoqëroi rikthimin e tij nuk ishte një shprehje spontane vetëm e simpatisë për aktin që ai kishte kryer, por një manifestim kolektiv i një shprese të akumuluar ndër vite, që përfaqësohej përmes figurës së tij. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës përshkruan këtë ngjarje me një patos të veçantë, duke theksuar madhështinë e pritjes që iu bë, si dhe emocionin e thellë të njerëzve që e konsideronin Avni Rustemin si një simbol të drejtësisë dhe të një epoke të re për Shqipërinë. Në radhët e lexuesve dhe qytetarëve, ai mishëronte idealet e një Shqipërie të çliruar nga korrupsioni, feudat dhe klientelizmi politik.

Ky entuziazëm popullor është i kuptueshëm vetëm nëse e vendosim në kontekstin historik të një Shqipërie që kishte dalë nga një periudhë e gjatë e paqëndrueshmërisë politike dhe kishte një shtet ende të brishtë. Populli shqiptar ishte i etur për drejtësi, për barazi, për një qeverisje më përfaqësuese, dhe në figurën e Rustemit ata shihnin jo vetëm një hakmarrës të një padrejtësie historike, por edhe një politikan të ri që vinte nga shtresa e mesme, i arsimuar dhe i përkushtuar ndaj idealeve republikane dhe progresiste.

Kthimi i tij në Shqipëri u bë katalizator për përfshirjen më të gjerë të Avni Rustemit në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Ai nuk mbeti në rolin e një “heroi të një çasti”, por nisi menjëherë të angazhohej në aktivitete të rëndësishme organizative dhe reformuese. Themelimi i shoqërisë “Bashkimi” është një nga shembujt më të qartë të përpjekjes së tij për të institucionalizuar idealet që përfaqësonte. Kjo shoqëri synonte jo vetëm të unifikonte arsimtarët, intelektualët dhe të rinjtë me vizion për një Shqipëri më të përparuar, por edhe të krijonte një lëvizje të mirëfilltë qytetare që mund të sfidonte rendin e vjetër politik.

Po ashtu, aktiviteti i tij në fushën e arsimit dhe reformës agrare tregon për një vizion afatgjatë të ndërtimit të shtetit. Në një shoqëri të dominuar nga elitat tokësore dhe nga mungesa e arsimimit të gjerë, përpjekjet e Rustemit për përhapjen e arsimit kombëtar, promovimin e gjuhës shqipe dhe ndarjen e tokës për kolonët shqiptarë kishin një karakter thellësisht emancipues. Ai nuk vepronte vetëm në emër të ideologjisë, por për një transformim konkret të realitetit shoqëror.

Për këtë arsye, ndjeshmëria popullore ndaj tij ishte e rrënjosur në përvojën reale të një shoqërie në tranzicion, që kërkonte figura të besueshme për të çuar përpara aspiratat kombëtare dhe sociale. Figura e Avni Rustemit nuk duhet parë thjesht në binomin “hero – vrasës politik”, por si një pasqyrë e tensioneve të një shoqërie që po përpiqej të dilte nga varësia otomane dhe të futej në modernitetin evropian, duke pasur nevojë për liderë të rinj që e kuptonin drejtësinë, përfaqësimin dhe përparimin si mision personal dhe kolektiv.

Avni Rustemi dhe modernizimi shqiptar

Në periudhën 1921–1924, Avni Rustemi u bë një nga figurat më përfaqësuese të përpjekjeve për modernizimin politik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ai ishte pjesë thelbësore e të ashtuquajturit “grupi i reformistëve”, që përfshinte personalitete të shquara si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjahu, Ali Këlcyra, dhe figura të tjera të cilat përfaqësonin opozitën intelektuale dhe morale ndaj rendit tradicional dhe konservator që dominonte jetën politike shqiptare pas shpalljes së pavarësisë.

Këta reformistë i përkisnin një brezi të ri, të arsimuar, të lidhur me idetë iluministe dhe progresiste që qarkullonin në Evropë në fillimshekullin XX. Në këtë kuadër, Avni Rustemi jo vetëm që ndau vizionin politik të kësaj elite, por edhe e jetoi dhe e përfaqësoi atë me një intensitet të jashtëzakonshëm. Ai ishte një nga zërat më të fortë për transformimin e Shqipërisë nga një shoqëri me struktura feudale në një shtet modern, ligjor dhe demokratik.

Një nga kontributet më konkrete të Avni Rustemit ishte angazhimi i tij për një reformë agrare të thellë dhe gjithëpërfshirëse, e cila shihej si thelbësore për përparimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ai ishte një nga mbështetësit e “kontratës tip”, një mekanizëm juridik që synonte të ndalonte shfrytëzimin e bujqve nga bejlerët dhe pronarët e mëdhenj të tokës. Përmes kësaj kontrate, bujqit përfitonin më shumë të drejta, ndërsa shteti përpiqej të vendoste një ekuilibër të ri social në fshat, duke i dhënë fund marrëdhënieve feudale që kishin dominuar për shekuj.

Avni Rustemi ishte gjithashtu shumë aktiv në çështjen e kolonëve shqiptarë të ardhur nga treva të shtypura si Kosova dhe Çamëria. Ai i pa këta kolonë jo thjesht si viktima të luftës apo shpërnguljes, por si forcë potenciale për zhvillimin ekonomik dhe integrimin kombëtar, duke kërkuar ndarjen e tokave për ta dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre për strehim, arsim dhe punësim.

Në fushën kulturore dhe arsimore, Avni Rustemi e kuptoi shumë herët se modernizimi nuk mund të realizohej pa një revolucion arsimor. Ai kontribuoi në përhapjen e arsimit kombëtar, duke luftuar për heqjen e ndikimeve osmane dhe duke e promovuar gjuhën shqipe si mjet të emancipimit dhe unifikimit kombëtar. Shkollat shqipe dhe organizatat e rinisë ishin për të terrene strategjike për formimin e një ndërgjegjeje kombëtare të re, të bazuar në dijen, qytetarinë dhe përfshirjen demokratike.

Shoqëria “Bashkimi”, të cilën ai e themeloi dhe drejtoi, ishte jo vetëm një organizatë politike, por edhe një platformë kulturore për edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezit të ri shqiptar. Me këtë organizatë, Rustemi synonte të krijonte një brez të angazhuar qytetar, të ndërgjegjshëm për të drejtat dhe detyrat që i takojnë në një shtet të së drejtës.

Përmes gjithë këtyre përpjekjeve, Rustemi paraqitet si një vizionar i një Shqipërie moderne dhe të përparuar, që nuk ngecte më në retorikën e nacionalizmit të shekullit XIX, por që synonte të ndërtonte një shtet me institucione funksionale, drejtësi sociale dhe qytetari aktive. Ai e kuptonte që liria politike nuk mjafton pa barazi ekonomike dhe arsim të përgjithshëm, dhe kjo e vendos atë në të njëjtin nivel me reformatorët më të rëndësishëm të Ballkanit në atë kohë.

Fatkeqësisht, vrasja e tij në 22 prill të vitit 1924 ndërpreu një proces transformimi që ai e kishte nisur me shumë pasion, duke i lënë reformat e tij në mes. Megjithatë, trasha e tij reformiste dhe emancipuese mbeti e gjallë në mendjen e shumë bashkëkohësve, dhe është sot një pjesë thelbësore e narrativës së përpjekjeve për një Shqipëri moderne, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Vrasja e Avni Rustemit dhe pasojat politike: nga shoku kombëtar tek Lëvizja e Qershorit

Vrasja e Avni Rustemit më 20 prill 1924, në një atentat të kryer në mes të Tiranës nga një simpatizant i lidhur me forcat konservatore dhe pro-zogiste, shënoi një pikë kthese në historinë politike shqiptare të periudhës së pas pavarësisë. Akti i eliminimit të një prej figurave më të zëshme të lëvizjes progresiste nuk ishte vetëm një ngjarje tronditëse, por u përjetua si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shpresave për ndryshim demokratik dhe reformë sociale.

Ky atentat i organizuar në zemër të kryeqytetit provokoi një reagim të fuqishëm popullor, që shpejt u përkthye në protesta në disa qytete të mëdha të vendit. Në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë, qytetarët dolën në rrugë për të protestuar jo vetëm kundër vrasjes, por edhe kundër mungesës së drejtësisë dhe shtypjes së zërit të reformistëve. Ky mobilizim popullor, për shumë historianë, ishte preludi i revolucionit të Qershorit 1924, i cili solli përkohësisht në pushtet qeverinë e udhëhequr nga Fan Noli.

Vrasja e Avni Rustemit e ktheu atë në një figurë martire të lëvizjes për drejtësi shoqërore dhe demokraci, duke i dhënë edhe më shumë forcë kauzës që ai përfaqësonte. Në retorikën e lëvizjes së Qershorit, Rustemi u paraqit si viktimë e një regjimi të korruptuar dhe të lidhur me interesat feudale e klienteliste, ndërsa figura e tij u përdor si një simbol për mobilizim politik dhe moral.

Ky zhvillim reflektoi gjithashtu një ndarje të thellë ideologjike në shoqërinë shqiptare të kohës: nga njëra anë, një klasë e vjetër, konservatore, që kërkonte ruajtjen e status quo-së, dhe nga ana tjetër, një brez i ri reformistësh që kërkonin riformatimin e shtetit shqiptar në drejtim të demokracisë, arsimimit dhe drejtësisë sociale.

Në planin afatshkurtër, vrasja e Avni Rustemit dhe zemërimi popullor që pasoi ndihmuan për të rrëzuar qeverinë e Ahmet Zogut dhe krijuan kushtet për marrjen e pushtetit nga Fan Noli më 10 qershor 1924. Megjithatë, qeveria e Nolit ishte jetëshkurtër. Në dhjetor të po atij viti, me mbështetje të forcave të jashtme dhe mbështetësve të brendshëm konservatorë, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet, duke vendosur një kurs të ri autoritar për Shqipërinë.

Në aspektin afatgjatë, vrasja e Rustemit mbeti një plagë e hapur në kujtesën historike kombëtare, duke e kthyer atë në një pikë referimi për të gjitha përpjekjet e mëvonshme për ndryshim. Figura e tij, edhe pse shpesh e instrumentalizuar në mënyra të ndryshme nga regjimet e mëvonshme, vazhdon të përfaqësojë idealet e sakrificës për një Shqipëri më të drejtë dhe më demokratike.

Vrasja e Avni Rustemit nuk ishte vetëm një eliminim fizik i një personaliteti politik; ajo ishte një atentat ndaj një vizioni për të ardhmen e Shqipërisë. Reagimi masiv që pasoi, dhe zhvillimet politike që çuan në Lëvizjen e Qershorit, tregojnë qartë se Avni Rustemi kishte mishëruar më shumë se një ideologji — ai kishte mishëruar shpresën e një populli për drejtësi, barazi dhe përparim. Ky kapitull tragjik mbetet një moment kryesor për të kuptuar konfliktet e brendshme të një shteti të ri që kërkonte rrugën e tij midis modernitetit dhe traditës, demokracisë dhe autokracisë.

Gjergj Fishta dhe Avni Rustemi: Nderimi i kombit dhe sfidat e memories historike

Në varrimin e Avni Rustemit më 30 prill 1924 në Vlorë, Gjergj Fishta mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm, i cili theksoi dimensionet kombëtare dhe morale të figurës së Avniut, një njeri që kishte bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Fishta, me një stil të zjarrtë dhe të pasionuar, e ngre Rustemin në një piedestal të lartë, duke e paraqitur si një figurë të pavdekshme, që i përkiste një brezi luftëtarësh, që sakrifikuan për një Shqipëri të lirë dhe të drejtë. Shqipëria, sipas Fishtës, ishte një “tokë e bekuar nga Zoti, por e mallkuar nga mizoria e bijve të saj”, dhe Rustemi ishte një nga ata bij që “guxuan ta duan në kohën kur dashtnija ndaj Atdheut… po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt.”

Fjalimi i Fishtës pasqyron një ngarkesë emocionale të thellë, duke theksuar se vdekja e Rustemit nuk ishte një humbje e thjeshtë, por një akt i shenjtë, një sakrificë për idealet më të larta të kombit shqiptar: drejtësinë, lirinë dhe përparimin shoqëror. Fishta i jep një dimension të jashtëzakonshëm figurës së Rustemit, duke e paraqitur atë si mishërim të pasionit patriotik të pastër, të një njeriu që nuk synonte pasurimin personal, por flijimin për Shqipërinë. Ai e cilësonte Rustemin si një “burri i mirë”, një person që “s’des kurr”, që jeton jo vetëm në kujtesën e njerëzve të tij, por edhe në këngët e malësorëve dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit shqiptar.

Në këtë kontekst, figura e Avni Rustemit ishte, për Fishtën, një simbol i një lufte për Shqipërinë, ku patriotizmi kishte një domethënie më të lartë se interesat e momentit. Rustemi ishte për Fishtën jo vetëm një burrë i guximshëm dhe i nderuar, por gjithashtu një ideator dhe një luftëtar për një Shqipëri më të drejtë dhe më të lirë. Në fjalimin e tij, Fishta thotë: “Shqipnija âsht nana që nuk harron bijtë e saj”, duke theksuar se Avni Rustemi është një nga bijtë që Shqipëria do ta kujtojë përjetësisht, duke e nderuar jo vetëm për sakrificat e tij, por edhe për idealet që ai përfaqësoi.

Fjalimi i Fishtës mbetet një dëshmi autentike e mënyrës se si Avni Rustemi u vlerësua në periudhën e tij. Fishta e paraqiti atë si një figurë të padiskutueshme të patriotizmit të pastër, dhe kështu, ai mund të shërbejë si një model për ne sot, duke na kujtuar se duhet të vlerësojmë historinë dhe figurat e saj jo nga perspektiva e ngushtë ideologjike, por duke i parë në dritën e një angazhimi të sinqertë për Shqipërinë.

Duke reflektuar sot mbi fjalimin e Fishtës, kuptojmë se nevoja për një rikthim te një vlerësim objektiv i figurës së Avni Rustemit është më e madhe se kurrë. Kjo është një mundësi për të rifituar një pjesë të historisë sonë, që ka qenë shpesh e neglizhuar ose keqinterpretuar, dhe për të vendosur figura si Rustemi në kontekstin e përpjekjeve të një populli që luftonte për të mbijetuar dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Figura e Avni Rustemit, ashtu siç e konceptonte Fishta, është një pasqyrë e një brezi të tërë që sakrifikoi për një ideal të madh. Ky ideal, që është përfaqësuar nga patriotizmi dhe liria, mbetet një pikë referimi e rëndësishme për të gjithë ata që besojnë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, e cila ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare.

Përfundim

Figura e Avni Rustemit është shumë më tepër sesa një protagonist i dhunës politike apo një aktor i pozicionuar brenda një kampi ideologjik të caktuar. Ai ishte shprehje e një etape historike kur Shqipëria përpiqej të formësonte vetveten si një shtet modern, sovran dhe i drejtë. Në një kohë kur strukturat e vjetra feudale po përpiqeshin të mbijetonin dhe influencat e jashtme shpesh përplaseshin me interesat kombëtare, Rustemi përfaqësonte zërin e një brezi që kërkonte emancipim përmes reformës, arsimit dhe përfshirjes popullore në jetën politike.

Ai nuk ishte vetëm një kritik i padrejtësive shoqërore, por edhe një aktor aktiv në përpjekjen për t’i korrigjuar ato. Angazhimi i tij në fushatën për drejtësi agrare, për arsim të hapur dhe për barazi qytetare nuk ishin thjesht ide abstrakte, por veprime konkrete për të ndryshuar strukturën e shoqërisë shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia e tij historike nuk mund të reduktohet në një gjykim të njëanshëm apo në një lexim sipërfaqësor të qëndrimeve politike të epokës.

Rishikimi i historisë, sidomos në rastin e figurave si Avni Rustemi, duhet të bëhet me përgjegjësi shkencore dhe ndershmëri intelektuale. Nuk mjafton t’i vendosim etiketat “heronj” apo “tradhtarë” bazuar në ndarjet ideologjike të së kaluarës; ajo që kërkohet është një lexim i thelluar dhe kritik, i ndriçuar nga burimet, konteksti dhe pasojat e veprimeve historike. Vetëm kështu historia mund të shërbejë si një mjet i ndërtimit të një identiteti kolektiv të bazuar në të vërtetën, e jo në mitologji apo manipulim.

Avni Rustemi mbetet një nga figurat më të rëndësishme për të kuptuar sfidat e modernizimit shqiptar, ndarjen mes vlerave tradicionale dhe idealeve demokratike, si edhe tensionin e përhershëm mes reformës dhe rezistencës ndaj saj. Trashëgimia e tij nuk duhet të shërbejë për ndarje, por për reflektim dhe frymëzim në ndërtimin e një shoqërie ku ideali i të drejtës dhe i barazisë nuk mbetet vetëm aspiratë, por bëhet realitet i prekshëm për të gjithë qytetarët.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Ish-Presidenti amerikan, Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë
  • Një foto zbulon sa shpejt po plakeni, Inteligjenca Artificiale mat moshën biologjike
  • Pas Kavajës, SPAK vepron në Elbasan, gjurmohen krimet zgjedhore në telefonata dhe biznese
  • Më shumë vota të diasporës sesa zarfa? Ja si qëndron e vërteta që rrëzon dyshimet për manipulim
  • Nuk mori mandatin e deputetit, Ilir Meta reagon nga burgu: Fushatë e pabarabartë

Komentet e Fundit

  1. TRENI në Projeksionet në çdo qark: Kolapsi total i Berishës, ‘Rama i Katërt’ shkon drejt Parlamentit me mbi 80 mandate
  2. TRENI në Çfarë fituam në 11 maj
  3. Abdul Dibra në Nuk mori mandatin e deputetit, Ilir Meta reagon nga burgu: Fushatë e pabarabartë
  4. chp në Nuk mori mandatin e deputetit, Ilir Meta reagon nga burgu: Fushatë e pabarabartë
  5. chp në Nuk ka neveri më të turpshme dhe më antikombëtare se “teza” e ndarjes Veri-Jug si PD-PS
Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara

Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?