Demokratët në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur një hetim të ri ndaj Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump dhe njëkohësisht negociator për armëpushimin me Iranin, duke përmendur atë që e quajnë “konflikt interesi të qartë dhe të pashërueshëm”.
Në një letër të siguruar fillimisht nga MS NOW, përfaqësuesi Jamie Raskin (Demokrat nga Maryland) shkruan se rolet e dyfishta të Kushner si i dërguar i administratës Trump për paqen dhe si drejtues i një firme private investimesh “kanë ndikuar në mënyrë të vazhdueshme politikën e jashtme amerikane që nga rikthimi i Presidentit Trump në Uashington në vitin 2025”. Sipas tij, lufta me Iranin ka shtuar shqetësimet se aktivitetet financiare të Kushner mund të ndikojnë në prioritetet e tij.
“Klienti juaj, Arabia Saudite, kërkon vazhdimin dhe përshkallëzimin e luftës së Presidentit Trump me Iranin, ndërsa populli amerikan ka interes të minimizojë humbjet në jetë dhe kosto në këtë konflikt”, shkruan Raskin.
“Në shërbim të kujt janë detyrimet tuaja profesionale dhe fiduciare?” pyet Raskin në letrën drejtuar Kushnerit, firmës së tij dhe Departamentit të Shtetit të enjten.
Kushner, i martuar me vajzën e madhe të Trump, Ivanka, themeloi firmën e investimeve Affinity Partners në vitin 2021, pasi shërbeu si këshilltar i lartë gjatë mandatit të parë të Trump.
Sipas The New York Times, investitori më i madh dhe më i hershëm i Affinity është Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite, i drejtuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman. Ky fond ka investuar rreth 2 miliardë dollarë pas përfundimit të administratës së parë Trump. Edhe fonde sovrane nga vende të tjera të Gjirit, si Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë kontribuar.
Sipas një burimi të njohur me funksionimin e brendshëm të firmës, Affinity ka arritur një normë kthimi prej 25% që nga viti 2021.
Që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kushner ka marrë rolin e të dërguarit për paqen, duke u angazhuar në negociata mes Ukrainës dhe Rusisë, Izraelit dhe Hamasit, si dhe së fundmi mes SHBA-së dhe Iranit. Kritikët theksojnë se dy konfliktet e fundit zhvillohen në rajonin nga ku burojnë investime të mëdha për firmën e tij.
“Nuk mund të jesh njëkohësisht diplomat dhe i varur financiarisht nga monarkia saudite. Nuk mund të përfaqësosh me besnikëri Shtetet e Bashkuara ndërsa miliarda dollarë nga Arabia Saudite dhe Emiratet ndikojnë mbi interesat e tua.”, shkruan Raskin.
Në një deklaratë për MS NOW, Ian Brekke, drejtori ligjor i Affinity, tha se Kushner “ka respektuar të gjitha ligjet dhe kërkesat në fuqi dhe ka vepruar gjithmonë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara”.
“Jared nuk po mbledh fonde dhe nuk ka bërë biznes në Gaza, Ukrainë apo Iran dhe nuk ka synim ta bëjë këtë,” shtoi Brekke.
Në përgjigje të një raporti të The New York Times në mars, sipas të cilit Kushner kishte ndërmarrë hapa për të mbledhur fonde të reja nga qeveritë e Lindjes së Mesme, Brekke deklaroi se “Affinity ka zhvilluar biseda të hershme me investitorin kryesor dhe nuk synon të marrë kapital shtesë ndërsa Jared shërben vullnetarisht për qeverinë”.
Nga ana e Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësja Anna Kelly tha për MS NOW se Kushner ka “sakrifikuar kohë me familjen dhe të ardhurat e tij” për të punuar në iniciativat ndërkombëtare të administratës Trump. Ajo e cilësoi Raskin si “një person që kërkon vëmendje dhe që nuk ka arritur asnjë rezultat”.
Në kuadër të hetimit të ri që demokratët po e nisin në mënyrë të njëanshme, Raskin kërkon nga Kushner të dorëzojë një sërë dokumentesh lidhur me aktivitetin e tij në Affinity dhe në qeveri.
Këto përfshijnë: komunikimet me zyrtarë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Izraeli, si dhe me fondet e tyre shtetërore që nga viti 2022; të dhënat financiare për investitorët e fondit Affinity; regjistrat e takimeve me investitorët që nga korriku 2024; si dhe çdo komunikim lidhur me investime në Gaza, Ukrainë, Iran dhe zona të tjera ku Kushner ka luajtur rol si negociator.
Raskin kërkon gjithashtu komunikimet e Kushner me Shtëpinë e Bardhë dhe fushatën e Trump, përfshirë edhe vetë presidentin, që nga korriku 2024 në lidhje me rolin e tij në administratën e re.
Megjithatë, pritet që Kushner të mos bashkëpunojë me demokratët. Pa mbështetjen e republikanëve, Raskin nuk ka kompetencë të nxjerrë thirrje detyruese për dëshmi. Hetimi shihet si një paralajmërim për veprimet që demokratët mund të ndërmarrin nëse fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndërsa afrohen zgjedhjet e mesmandatit, demokratët kanë deklaruar se lufta kundër korrupsionit në administratën Trump do të jetë një prioritet kryesor. Nëse ata marrin drejtimin e komisioneve, presioni ndaj Kushner mund të rritet ndjeshëm.
Ky është një hap i radhës në përpjekjet disavjeçare të Raskin për të shqyrtuar aktivitetet e Kushner.
Në vitin 2023, si anëtar kryesor i Komisionit të Mbikëqyrjes, Raskin i kërkoi sqarime Kushnerit nëse interesat e tij të biznesit kishin ndikuar në rolin e tij gjatë administratës së parë Trump.
Në vitin 2024, Raskin dhe senatori Ron Wyden (Demokrat nga Oregon) i kërkuan Departamentit të Drejtësisë të emërojë një prokuror të posaçëm për të hetuar shkelje të mundshme të ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj.
j.l./ dita

Ku shkuan te gjitha ata miljardat qe ishin per paqen e Gazes ?Ne xhepin e Kushnerit ,ku i mori Kushneri dollaret per ta blejte Sazanin e Vlores nga te koruptuarit Arab nuk din te nenshkruajn por kan nji jete lukse me gjith bashkeshorten qe don ta blej Shqiperin e Shqipetareve largoni keta flliqesira nga vendi i jone.
Mos more…tani qe Kushnua eshte aq i preokupuar pas nje ishulli peshqesh qe i eshte bere ne Ballkanin Perendimor!