Në vetëm 24 orë në Shqipëri kanë ndodhur tre ngjarje kriminale që kanë lënë pas katër trupa të pajetë. Pasditen e 17 gushtit, në një restorant në Sarandë, një sherr totalisht banal në dukje, përfundoi me përdorimin e thikës dhe me vrasjen e 41-vjeçarit nga Tepelena, Klodian Bakiaj.
Bakiaj ka tentuar të parkojë mjetin përballë një hoteli ku ishin të punësuar dy vëllezërit Xhanielo dhe Xhoi Tarja, 24 dhe 18-vjeç. Fillimisht Bakiaj është konfliktuar verbalisht me 18-vjeçarin e më pas me grushte. 24-vjeçari Xhanielo Tarja ka parë të vëllanë që po dhunohej nga Bakiaj, ka shkuar në kuzhinën e hotelit dhe ka marre një thikë, me të cilën e ka goditur në zemër 41-vjeçarin.
Dy vëllezërit kishin ardhur nga Laçi dhe punonin kamerierë tek hoteli në pronësi të një familjari të tyre. Në Komisariat ata kanë shprehur pendesë për ngjarjen e rëndë. Pas hekurave ka përfunduar edhe Genci Ahmeti, pronari i hotelit pasi dyshohet se fshehu dy të rinjtë pas krimit.

Disa orë më pas Elbasani u trondit! 33-vjeçari, Madrit Ulqinaku, babai i një vajze mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali në afërsi të bulevardit kryesor të qytetit, pranë stadiumit.
Në pranga për ngjarjen është vendosur Kajdi Sallufi, 33 vjeç, si i përfshirë në konflikt, ndërsa në kërkim është shpallur 18-vjeçari Horgito Peqini, që rezulton të jetë nipi i Eduart Peqinit, të njohur si Mandela. Ky person, krijoi në vitin 1997 një grup prej 8 personash, duke u kthyer në një nga më të rrezikshmit e qytetit.
Në kërkim si bashkëpunëtor në ngjarje është shpallur edhe Ejdin Dino. Të akuzuarit ishin konfliktuar më herët me Ulqinakun për motive të dobëta. Sherri mësohet të ketë nisur në rrjetet sociale dhe është ‘ndezur’ ku palët kanë lënë takim për t’u ‘sqaruar’.
Peqini e priti Ulqinakun deri në momentin që ai doli nga lokali dhe e qëlloi me dy plumba me silenciator. Ai u ndihmua nga Dino e Shaho për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Kurse të enjten mëngjes, në Vlorë u shënua një atentat mafioz. Hakim Xhezo, 34 vjeç, vëllai i Eduart Xhezos që vrau biznesmenin Arben Beqiraj në vitin 2019 është ekzekutuar me breshëri plumbash.
Bashkë me 34-vjeçarin mbeti i vrarë edhe Shpati (G) Lena, i përfshirë gjithashtu në vrasjen e Beqirajt, të njohur si ‘Arbeni i Çeçesë’. Ngjarja e rëndë ndodhi në mbikalimin e Panajasë në aksin Fier-Vlorë në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm.
Ndryshe nga zakonisht, Lena e Xhezo nuk morën mjet të blinduar por po udhëtonin në një mjet të thjeshtë të llojit “Mercedes Benz” tip ‘B Class’ me targa AB 036ET. Në momentin që të rinjtë hipën në mbikalimin e Panajasë, atentatorët që deri më tani dyshohet të ketë qenë një skuadër prej tre personash, nisën t’i qëllonin me breshëri.
Të hipur në një mjet “BMW” me targa italiane, autorët nisën të qëllonin nga pas mjetin e Lenës e Xhezos. Për 200 metra ata qëlluan me breshëri duke zbrazur të paktën 60 plumba kallashnikovi. Fillimisht i qëlluan nga mbrapa, më pas u dolën paralel dhe në fund goditën xhamin e parmë të makinës.

Si pasojë e breshërisë së plumbave, Xhezo e Lena humbën kontrollin e mjetit dhe përfunduan në kanal. Ata ndërruan jetë në vend, ndërsa trupat e tyre u nxorrën nga mjeti i mbuluar në gjak pak momente më vonë.
Mjeti i autorëve rezulton të jetë vjedhur në Durrës. Ai u gjet i djegur në fshatin Frakull vetëm pak minuta pas krimit të rëndë. Brenda tij ishin edhe tre armët që janë përdorur në atentat. Pistat ku po heton grupi hetimor janë dy, vrasja e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 dhe pazaret e drogës.
Deri më tani janë shoqëruar tetë persona në polici, të dyshuar si vrasës me pagesë e njerëz me precedente penalë. Po kontrollohen edhe shumë banesa, mes tyre të familjarëve të Beqirit e të Indrit Sabedinit, një person që u ka shpëtuar dy atentateve.
i.b. / dita

Drejtim i duhur
Plotësim kushtesh për integrim
Policia qe duam,drejtimi i duhur drejt BE-se.
kjo eshte Shqipja jone
Absolut ne kemi plotësuar kushtet.
Çudi pse nusja nuk po do të martohet me ne.