Franc Zhurda është fotoreporter prej shumë vitesh në Shqipëri. E ka nisur rastësisht këtë profesion, por që nga momenti kur botoi foton e parë në gazeta, nuk e ka ndarë më aparatin nga duart.
Ai mendon që një fotograf duhet të kapë detaje, apo elementë që gazetari nuk i kap dot. Një nga rastet më pikante ku ai ka qenë vetë “regjisor” i kuadratit që ka krijuar në foto, ka ndodhur përpara disa vitesh.

Janë disa shkrepje të bëra në Galerinë Kombëtare të Arteve gjatë një ekspozite, ku ish-kryeministri Sali Berisha, bashkëshortja e tij Liria, ministri i Kulturës i asaj kohe, dhe Drejtori i Galerisë Rubens Shima, kanë qenë duke vizituar ekspozitën “Atmosferë e viteve 900”.
Një nga instalacionet më të çuditshme të kësaj ekspozite ishte një pasqyrë në të cilën ishte montuar së brendshmi një litar nga ata që përdoren në ekzekutimet me varje.
Efekti i veprës ishte i atillë që personit që rrinte përballë pasqyrës, i krijonte përshtypjen se po varej në litar.
Fotot e Berishës përballë këtij instalacioni nuk u botuan asokohe nga media, sepse dukeshin tejet provokative. Dhe të tilla janë.
Por për Francin janë ndër fotot e tij më të arrira.
“Më kujtohet që ka qenë situatë e tensionuar politike. Përpara se të vinte Kryeministri për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, unë bërë një xhiro vetë në të dhe pashë këtë instalacionin me një litar të varur. Një litar në formë laku, nga ata që bëhen gati për të mbytur dikë.
E mendova sapo e pashë një skenë të tillë, që kur të afrohej Berisha afër litarit do t’i bëja foto. Kam qëndruar aty, e kam pritur, dhe kam realizuar shumë shkrepje ndërkohë që ai ka qenë duke iu afruar litarit. Doja të fiksoja pamjen e tij përpara litarit. Pak a shumë në foto e kam dhenë këtë, por në momentin kur koka do korrespodonte me lakun, një bodigard mu afrua dhe më shtyu fort. Nuk arrita të bëja dot foton finale” – rrëfen Franci për Dita.

——
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
