Astronomët kanë zbuluar dy vrima të reja të zeza, që janë më të afërtat me Tokën dhe gjithashtu përfaqësojnë diçka që astronomët dhe fizikantët nuk e kanë parë kurrë më parë. Vrimat e zeza, të emërtuara Gaia BH1 dhe Gaia BH2, u zbuluan në të dhënat e mbledhura nga anija kozmike ‘Gaia’, e Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA). Gaia BH1 ndodhet vetëm 1560 vite dritë larg nga Toka, në drejtim të yjësisë ‘Ophiuchus’, ndërsa Gaia BH2 ndodhet 3800 vite dritë larg, në yjësinë ‘Centaurus’. Në terma kozmikë, të dy vrimat e zeza janë të vendosura në ‘oborrin’ e shtëpisë së Tokës.
Megjithatë, nuk është vetëm afërsia e këtyre vrimave të zeza me Tokën që i bën ato të jashtëzakonshme. Ato rrotullohen nga yje në distanca shumë më të mëdha sesa është vërejtur më parë, në çiftet e tjera të yjeve shoqëruese të vrimës së zezë. “Ajo që e dallon këtë grup të ri vrimash të zeza nga ato për të cilat kemi ditur tashmë, është ndarja e tyre e gjerë nga yjet e tyre shoqëruese”, tha udhëheqësi i ekipit të zbulimit Kareem El-Badry, i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikën në Massachusetts dhe Max-Planck. Sistemet “normale” të yjeve shoqëruese të vrimës së zezë quhen binare me rreze X dhe zakonisht janë të ndritshme në emetimet e rrezeve X me energji të lartë. Kjo i bën ato më të lehta për t’u gjetur sesa vrimat e zeza që nuk po gëlltisin materien dhe kështu nuk po lëshojnë shpërthime të fuqishme energjie. Gaia BH1 dhe Gaia BH2 janë krejtësisht të errëta dhe u zbuluan nëpërmjet efektit gravitacional që kanë në yjet e tyre shoqërues. “Këto vrima të zeza ka të ngjarë të kenë një histori formimi krejtësisht të ndryshme nga binarët me rreze X”, shpjegoi El-Badry. “Ne dyshonim se mund të kishte vrima të zeza në sisteme më të gjera, por nuk ishim të sigurt se si do të ishin formuar. Zbulimi i tyre do të thotë se ne duhet t’i përshtatim teoritë tona rreth evolucionit të sistemeve binare të yjeve, pasi nuk është ende e qartë se si këto sisteme marrin formë”, shtoi ai.
‘Gaia’ është ideale për të dalluar
vrimat e zeza ‘të padukshme’
‘Gaia’ është e pajisur për të bërë zbulime të tilla, sepse mund të matë me saktësi pozicionin dhe lëvizjen e miliarda yjeve në sfondin e qiellit. Gjurmimi i kësaj lëvizjeje yjore në mënyrë kaq të saktë, lë të kuptohet për ndikimet gravitacionale të ushtruara mbi këta yje, nga yjet e tjerë, planetët që rrotullohen dhe vrimat e zeza, thanë studiuesit. “Saktësia e të dhënave të Gaias ishte thelbësore për këtë zbulim”, tha shkencëtari i projektit ‘ESA Gaia’, Timo Prusti. “Vrimat e zeza u gjetën duke dalluar lëkundjen e vogël të yllit të tij shoqërues, gjatë orbitës rreth tij. Asnjë instrument tjetër nuk është i aftë për matje të tilla”, shtoi ai. Vëzhgimet e ‘Gaia’ u mbështetën edhe nga matjet e lëvizjes së çdo ylli shoqërues, të bëra nga observatorë të tjerë. Për shembull, hetimet pasuese të Gaia BH2 me Observatorin e rrezeve X Chandra të NASA-s dhe radio-teleskopin e Afrikës së Jugut ‘MeerKAT’ në tokë, nuk zbuluan asnjë dritë të dallueshme që vinte nga kjo vrimë e zezë.
“Edhe pse nuk zbuluam asgjë, ky informacion është tepër i vlefshëm, sepse na tregon shumë për mjedisin rreth një vrime të zezë”, tha anëtarja e ekipit të zbulimit, Yvette Cendes, nga Qendra Harvard-Smithsonian për Astrofizikën. “Ka shumë grimca që dalin nga ylli shoqërues në formën e erës yjore”, shpjegoi Cendes. Ekipi tani do të përpiqet të zbulojë sisteme binare të vrimave të zeza më gjerësisht të ndara, në faktet e ardhshme të të dhënave nga ‘Gaia’, që do të publikohet në vitin 2025. Këto të dhëna të reja do të bazohen në 66 muaj vëzhgime nga anija kozmike dhe do të përmbajnë informacion më të detajuar mbi lëvizjen të yjeve. “Kjo është shumë emocionuese, sepse tani nënkupton që këto vrima të zeza në orbita të gjera janë në të vërtetë të zakonshme në hapësirë - më të zakonshme se sa binarët ku vrima e zezë dhe ylli janë më afër. Por problemi është zbulimi i tyre”, përfundoi Cendes. “Lajmi i mirë është se ‘Gaia’ është ende duke marrë të dhëna dhe publikimi i saj i ardhshëm i të dhënave, do të përmbajë shumë më tepër nga këta yje me shoqërues misteriozë të vrimës së zezë në të”, vijoi shkencëtarja. Zbulimi i këtyre dy vrimave të zeza është detajuar në një punim të botuar në fund të muajit të kaluar në Njoftimet Mujore të Shoqërisë Mbretërore Astronomike.