Maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të duan të ndjekin studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës përgjatë vitit të ri akademik 2023-2024, do të hyjnë në garë për katër programe studimi të ciklit të parë “Bachelor”.
Autoritetet e Universitetit të Tiranës bëjnë me dije se gara për pranimet e reja të 2023 në këtë fakultet, do të zhvillohet në degët: Financë, Administrim biznes, Informatikë ekonomike, si dhe Ekonomiks.
Janë 1200 kandidatët që do të mund të përzgjidhen fitues në të katër programet e studimit. Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i UT-së, në Fakultetin Ekonomik do të pranohen si fitues 420 studentë të rinj në degën Administrim biznes, 100 në degën Ekonomiks, 240 në Informatikë ekonomike dhe 440 në degën e Financës.
Kriteret për shpalljen e fituesve të rinj do të vijojnë të jenë të njëjta, si ato të aplikuara përgjatë konkurrimeve të viteve të shkuara. Garën për pranimet e reja të 2023 në këtë fakultet do të mund ta vijojnë në fund të muajt korrik, të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë kaluar me sukses provimet e Maturës Shtetërore, si dhe plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga qeveria. Nota mesatare minimale për pranimin në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: “mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2023”.
Sipas ekspertëve, dy janë kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve që do të mund të ndjekin për herë të parë studimet në këto programe të ciklit të parë. Konkretisht bëhet fjalë për kriterin e notës mesatare të studimeve të shkollës së mesme, si dhe mesatares së lëndëve preferenciale të përzgjedhura nga degët e ekonomikut.
Sa i takon ndikimit që do të ketë secili kriter në shpalljen e fituesve, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka vendosur tashmë se nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (llogaritet si mesatare e thjeshtë) do të përbëjë 50 për qind të pikëve totale që maturanti do të grumbollojë në procesin e konkurrimit për këto degë.
Edhe nota mesatare e 4 gruplëndëve të përcaktuara (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të totalit të pikëve që maturanti fiton në garë. Lidhur me këtë kriter konfirmohet se katër janë lëndët preferenciale të përcaktuara si prioritet për degët e Ekonomikut, Matematikë 15 për qind, Ekonomia 15 për qind, Fizika me 10 për qind, si dhe gjuha e huaj po me 10 për qind. Shumatorja e pikëve të siguruara nga vlerësimi i këtyre dy treguesve përbën edhe rezultatin final me të cilin konkurron çdo maturant për degët e Ekonomikut. Kandidatët që në renditje kanë pikët më të larta sipas numrit të kuotave të miratuara për secilën degë, do të mund të paraqiten për të vijuar me procedurat e regjistrimit si fitues.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të in stitucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
Dy kriteret për fituesit e rinj të 2023:
- Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë) përbën 50 për qind të vlerësimit.
- Nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të vlerësimit, (e cila ndahet në Matematikë 15 për qind, Ekonomi 15 për qind, Fizikë 10 për qind, Gjuhë e huaj 10 për qind).
KUOTAT E PRANIMEVE TË REJA PËR 2023
Bachelor në Ekonomiks 100
Bachelor në Administrim biznes 420
Bachelor në Financë 440
Bachelor Informatikë Ekonomike 240
p.k\dita