Nga Pano Hallko
Në vitet `50-të të shekullit të kaluar, në një fshat diku në jug, do ndaheshin dy vëllezër. Sepse i vogli do ikte në Shkodër, e do “vishej” kapter…
Megjithëse në shtëpinë e tyre “miu thyente kokën”, vëllai i vogël donte… “pjesën” e tij. Atë ditë takoi edhe dajon e tij (nga i njëjti fshat) dhe i tha se do ndaheshin. -“Shumë mirë vëllai i dajos-ia priti ky “i pjekuri”. Të ndaheni mirë dhe drejt, si vëllezër. Ty të takon pjesa jote, deri edhe tek magjja e brumit, se atij vëllait të madh do i mbetet shtëpia dhe ara, aq sa janë, por do i ketë ai, ato”…
Me këtë “parim drejtësie”, vëllai i vogël shkoi në mbrëmje vonë në shtëpi, mbasi kishte hedhur ca gota raki tek dajua, kuptohet…
E, nejse. Filluan ndarjen e plaçkës, ca çulle e ca prokovë (një çull i thurur për të keq, me lesh dhije), por edhe një velenxë të vetme që kishin “për miq”… Ndanë ca kupa dhe lugë druri e ca tase alumini (këta quheshin “luks”), ndanë edhe thesin e vetëm me miell. “Vëllai” i vogël u kujtua për magjen ku bëhej buka e shtëpisë, sipas këshillës së dajo mavrisë… “Dua gjysmën e magjes që më takon”- i tha vëllait të madh gati duke bërtitur.
-Po çfarë thua more!- ia priti vëllai i madh. Po lere more magjen, sa ditë të jesh këtu, të zerë bukën jot shoqe, e ime shoqe. E gjejnë vetë radhën ato”, i tha i madhi.
Po ku e duronte “padrejtësinë” vëllai i vogël? -Dua gjysmën që më takon, pjesën time- kërcente ai!
-Epo, hajt ta p….a!-tha vëllai i madh. Dhe e vendosi magjen e drunjtë të brumit mbi një kopaçe, e i ra me sëpatë duke e ndarë më dysh. Merre tani “pjesën” që të takon dhe jepja sat shoqeje, të gatuajë bukë për ty, nesër!
I vogli, i ri, më i gjatë dhe i bëshëm, kur e pa që nuk bëhej dot bukë në gjysmën e magjes, iu kthye me grushte vëllait. E ai rrëmbeu një shkop, e kështu që e gdhinë “më së miri” atë natë…
Ka qenë zakon i shqiptarëve, që, kur në mëngjes shikonin që dilte tym në të dy oxhakët e shtëpisë, kur takoheshin me të zotët në fshat, i uronin: -Bukën e ëmbël, more filan! -Faleminderit, ishte përgjigjja . Atëherë, po në bazë të zakonit, u lindte e drejta burrave të fshatit që sapo kishin dëgjuar bisedën, t`i bënin pyetjen legjitime: -Po si u ndatë, o filan?
E atë ditë, pyetjen vëllait të madh ia bëri komshiu që ishte “në themel të shtëpisë”, pra ai që kishte numëruar shkopinjtë që kishin shkëmbyer “vëllezërit” gjithë natën…
-Edhe ti më pyet?!? Por po të përgjigjem: -U ndamë shumë mirë o filan. Domethënë, kush t`ia q..ë nënën shokut, ia ktheu vëllai i madh…
SHQIPËRIA, BËHET!
Këtë shprehje, e tha Ismail Qemali tha në përgjigje të telegrameve që vinin në sekretarinë e Mbledhjes në Vlorë: -“Dhe ne, po e bëjmë Shqipërinë” , tha themeluesi i shtetit shqiptar.
Votimet e 11 majit të këtij viti, ende nuk janë mbyllur në këtë fillimgushti. Por le të shqyrtojmë një segment të tyre…
Secili që erdhi në pushtet në këto 113 vite, e ka belbëzuar këtë shprehje, pavarësisht se vetëm një herë u bë shtet ky vend.
Mirëpo doli një grup të rinjsh shqiptarë në vitin 2024, që këtë shprehje e thirri me zë të lartë, deri në qiell! Këneta, bëri dallgë si kurrë ndonjëherë. Dhe kur themi këneta, nënkuptojmë të “dyja alternativat” që sundojnë këtë vend “pa iu bërë dritë syri”, sot e 33 vite. Dhe këneta, nxori nga gjiri i saj gjithë arsenalin e kalbësirave që ndër shekuj ushqente, për të mbytur këtë krijesë të re, që në fakt u vetëkrijua. Adriatik Lapajn, e kanë njohur gjithë shqiptarët në 15 vitet e fundit, qysh kur ende ishte student, si një veprimtar shoqëror të palodhur, e të pathyeshëm. Por kësaj here ai ishte i rrezikshëm, pikërisht sepse kërcënonte skemën e sistemit.
E vërteta është se kjo thirrje u pëlqye dhe u përkrah nga shumica e njerëzve në muajt e parë të ekzistencës së saj. Nuk ishte vetëm kureshtja, por edhe një zgjim shprese tek njerëzit, se më në fund do kishte ky vend, më së paku një opozitë të “pa ndreqshme”, domethënë të pa shitshme dhe të pa bleshme dot. Jo vetëm si alternativë, por më së pari si Frymë, si Fryma e gjatëmunguar. Shqiptarët do t`u jenë mirënjohës atyre bijve dhe bijave që guxuan e u ngritën, kundër sistemit të hajdutërisë, të stisur bukur, “si në perëndim”. Ata janë djem dhe vajza të pjekur, të cilët kurrë në jetët e tyre, nuk morën asnjë qindarkë nga paraja publike. Edhe për faktin, se thjesht ata ishin secili në punën e tyre, në sektorin privat. Ata nuk ishin si ca kalamaj të pa pjekur që dikur në moshën 25 vjeçare morën timonin e “qeverimit” të këtij vendi, si ata që e hapën Librezën e Punës me zërin e punës-kryeministër, apo ministër, më e pakta. Pa punuar asnjë ditë, as në shtet, e as në privat.
Kurse këta bij dhe bija dinjitozë të këtij vendi, kanë secili më së paku 14 vite punë në librezat e tyre.
Kaq e “tmerrshme” ishte kjo Frymë, saqë edhe tri partiçkat që pretendonin se ishin opozitarë “të vërtetë”, nuk e pranuan dorën e zgjatur të Adriatik Lapajt dhe të Aleancës “Shqipëria Bëhet”. Secili nga këndi i interesave të tij. Madje çudia më e madhe për publikun ishte se si edhe vetë arkeomarksisti, që pretendon se do “i kthejë popullit pasuritë e tij, madje do shtetëzojë edhe bizneset e mëdha në interes të popullit”, nuk pranoi!
Nuk përbënte çudi biznesmeni-aleat i ngushtë i qeverisë në fuqi, i cili vetëm me “pak” milionë euro, e me ca mijëra njerëz që punojnë për llogari të tij, do t`u ofronte shqiptarëve “mundësinë e artë”, që të gjithë këta, të bëheshin si ai, “biznesmenë të suksesshëm”!!!
Kurse mbetjet e tjera të opozitës zyrtare, nuk dëgjonin fare nga ai vesh. Ata deklaronin se ishin kundër qeverisë (me fjalë, se bizneset nga qeveria i kanë), por në fakt donin të rrëzonin Sali Berishën, i cili dikur i pati emëruar deri edhe ministra, nga…Hiçi!
KUR DAJA I NGJAN NIPIT…
Në krahinat me identitet të fortë kombëtar në Shqipëri, daja i shtëpisë është miku më i rëndësishëm e më kryesor i familjes. Daja, e mbyll dollinë në gëzimet e mëdha. Ndodh kjo, sepse daja është mik simbolik, është vëllai i zonjës së shtëpisë, person që nuk ka pretendime pasurore apo kufijsh në prona. Dhe nipat e mirë, mundohen, por edhe ngjajnë me dajat e mirë. Madje ka mbetur në shekuj shprehja:-”Për dajon, rrëmbej dyfekun”! Kjo, kur dajua është dajo, siç e përshkruam më lart. Sepse ka pasur kjo jetë plot, edhe një “racë” dajosh, që quheshin…dajo lëngu!
Por kjo jetë prodhoi edhe daja që ngjajnë nga…nipi i tyre, e jo e kundërta siç ndodh në bazë të gjenetikës.
Adriatik Lapaj e çoi në gjykatën Kushtetuese, çështjen e listave të hapura. Por do kishte vepruar më drejt, të kishte shkuar te…Muri i lotëve, sesa atje ku shkoi. Sepse atje gjeti kënetën (të ”majtë” e të “djathtë”), domethënë ata që ishin në parlament. Në mungesë tërësore të drejtësisë, e vetmja armë që i mbetej ishte ta diskreditonte kodin “zgjedhor”, të paktën në listën e mbyllur…
Kështu që përpara kamerave, tre (?) burra-drejtuesit e Lëvizjes, publikisht deklaruan solemnisht se do futnin në listën e mbyllur, të afërm të tyre. Thanë dhe e bënë. Secili vendosi emrat e të afërmve të tyre, e dikush dajën që thamë… Dhe dorëheqjet e gjithë “kandidatëve”, u dorëzuan në KQZ, në ditën e votimeve, pra më 11 maj. Komisioni qendror, i pranoi me “solemnitet”, madje.
Por ndodhi “krejt rastësisht”, që njëri nga treshja drejtuese e Lëvizjes, më saktë krahu i djathtë i Adriatik Lapajt, t`i thoshte dajës: -“Ik e tërhiqe dorëheqjen”! Mbasi e shkroi dhe e firmosi vetë (tjetër firmë nga dorëheqja e dorëzuar), ia nisi Komisionit. Çdo lloj komisioni në botë, edhe në fshatin më të humbur, do i kishte thënë “dajës”:-“Zotëri, tërheqja e dorëheqjes tënde, nuk pranohet! Sepse, ose ke qenë i dehur kur dhe dorëheqjen, ose je i dehur sot, që tërheq dorëheqjen. E me shtetin, nuk mund të tallesh dot”…
Por meqenëse patronazhistët e punësuar në atë Komision morën “direktivë” nga lart, nuk ia prishën qejfin nipit të dajës. E pranuan, për turpin e këtij vendi, deri edhe i famshmi “KAS”!
Pra, “vëllai i vogël”, e “fitoi” gjysmën e magjes së brumit. E do gatuajë, … në të!
CILËT FËMIJË?…
-Na u rritën fëmijët! Kështu iu drejtua para ca kohësh kryeministri hipokrit një individi edhe më hipokrit në parlament, kur “përuroi” një patronazhist të thekur të tij…
Sipas kalendarit, nuk gaboi, sepse patronazhisti i thekur personal i tij, ai që e thërriste me histerizëm me emrin e Heroit tonë kombëtar në sheshin qendror të Shqiptarisë, ishte gati moshatar me avokatin e shquar Adriatik Lapaj. Por patronazhisti e kishte hapur librezën e punës, me zërin ministër. Kurse avokati i shquar, prej 15 vitesh drejton me kompetencë një studio ligjore nga të mirënjohurat e vendit.
Pra, nëse kryeministri (nuk) ishte hipokrit, thuajse në një moshë me “bijën” e tij, e kishte Adriatikun. Por meqenëse Lapaj nuk ishte pjellë e tij bastarde politike, ai ngriti qiell e dhé kundër tij në propagandë, madje edhe investoi, që të mos e kishte ferrë nëpër këmbë në parlament. E ku më i sigurt do ishte investimi, sesa tek ish krahu i djathtë i Adriatikut? Pra, ky nuk është “fëmija ynë”, e i duhet prerë koka, me çdo çmim…
Kryeministri para se të shohë diellin në mëngjes, shikon portretin e kryetarit të opozitës, e nuk harron ndonjë ditë, të deklarojë: -“Unë do iki, kur të dua unë”! Normal, se ky vend i gjithi, irat i tij është…
Adriatik Lapajn e akuzuan si “i Berishës”, e nuk u shkoi; pastaj si “i Ramës”, e nuk u shkoi; pastaj si “sorosian”, e nuk u shkoi. Vetëm si kundërshqiptar nuk mundën, e nuk do munden ta akuzojnë kurrë!
Thjesht, sepse… Nuk ua jep këtë kënaqësi, të paktën antishqiptarëve të afirmuar…
