Policia e Tiranës këtë të mërkurë ka arrestuar një shtetas brazilian, pasi shfrytëzonte një shtetase braziliane për prostitucion.
Në kuadër të operacionit “Daily Rent” është arrestuar shtetasi brazilian A. M., 25 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” në ambiente që ai i merrte me qira ditore. Përveç tij, në pranga është vënë edhe 24-vjeçarja G. C., për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy shtetas të tjerë, R. P., 22 vjeç, dhe E. K., 20 vjeç, të cilët u gjetën në ambientet ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm.
Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes në një banesë në bulevardin “Zogu i Parë”, e marrë me qira nga shtetasi A. M., janë sekuestruar edhe një shumë parash, e dyshuar si fitim nga aktiviteti i prostitucionit.
Ndërkohë, prokuroria vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
j.l./ dita
