Nga Migena Aleksi
Në historinë e tranzicionit shqiptar, pak emra mishërojnë aq qartë metamorfozën e pushtetit sa Belinda Balluku. Nga një profile teknokrate me shkollim të dyshimtë e rritur nën hijen e korridoreve të pushtetit vendor, ajo u shndërrua në ministren me buxhetin më të madh në histori, për t’u katandisur sot në epiqendrën e një tërmeti politik dhe gjyqësor që po mban peng rrugëtimin evropian të vendit. Si u ngrit ajo nga hibridi i administratës te maja e piramidës financiare dhe ku u thyen dhëmbët e saj?
Çdo biografi zyrtare e Ballukut është ndërtuar mbi idenë e një menaxhereje të zonjë të tregut të lirë, por gjeneza e karrierës së saj politike fshihet pas pëlhurës së lidhjeve familjare dhe besnikërisë. Mbesë e Beqir Ballukut – një emër me peshë të rëndë dhe errët historike të regjimit komunist – ajo u hodh në skenën e madhe publike në vitin 2004, kur u bë pjesë e Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e atëhershëm të Edi Ramës.
Fasada e saj prej “teknokrate të shkolluar jashtë” është tronditur edhe përpara se të plasnin akuzat dhe përgjimet e SPAK. Prapa retorikës së suksesit korporativ në telekomunikacion, hulumtimet dhe dyshimet publike kanë hedhur dritë fillimisht mbi një mister të errët, mungesën e një diplome universitare të mirëfilltë dhe autentike. Akuza se kredencialet e saj akademike kanë qenë një sajesë e përshtatshme për t’i dhënë lustër një karriere të ndërtuar mbi intrigë dhe abuzime, kanë hedhur hijet e para të dyshimit mbi legjitimitetin e gjithë profilizimit të saj si eksperte.
Por pavarlsisht këssj, ish-emigrantja e ardhur nga Greqia bëri përpara. Kur PS-ja mori pushtetin në 2013, Balluku mori drejtimin e Albcontrol. Aty ajo testoi metodat e një administrimi me dorë të hekurt. Ky ishte vetëm stacioni i parë.
Në janar të vitit 2019, pas valës së protestave studentore, Edi Rama i besoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE). Me këtë lëvizje, Balluku nuk mori thjesht një dikaster; ajo u bë zonja absolute e financave më të mëdha të shtetit. Rrugë, tunele, porte, aeroporte dhe tenderë energjetikë me vlerë qindra milionë euro kaluan nën filtrin e saj. Kulmi i këtij akumulimi pushteti u arrit në vitin 2022, kur ajo mori edhe postin e Zëvendëskryeministres.
Nën drejtimin e Ballukut, Ministria e Infrastrukturës u kthye në një makinë gjigante thithje dhe shpërndarjeje fondesh publike, ku procedurat e prokurimit u shoqëruan me akuza të vazhdueshme për mungesë transparence dhe favore klienteliste.
Sot, hetimet e shtrira në tendera strategjikë – nga Tuneli i Llogarasë dhe lotët e Unazës së Madhe, deri te rruga Thumanë-Kashar – flasin për shifra të marramendëse që kapërcejnë kufirin e 1.2 miliard eurove në fonde të dyshuara si të abuzuara. Akuzat për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë (përfshirë vila luksoze në bregdet, kryeqytet dhe jashtë vendit) kanë rrëzuar përfundimisht mitin e paprekshmërisë së saj.
Përçarja në PS dhe pengu i integrimit evropian
Kriza e krijuar rreth emrit të Belinda Ballukut është shndërruar tashmë në vatrën e një përçarjeje të thellë brenda Partisë Socialiste. Nga njëra anë, fraksioni që mbron “peshën e rëndë” të qeverisjes nëpërmjet mbrojtjes politike dhe bllokimit të procedurave të imunitetit në Kuvend; nga ana tjetër, zërat që paralajmërojnë se ky mbrojtje-strehë po e çon partinë drejt një izolimi moral dhe politik.
Por përtej oborrit të brendshëm socialist, kjo rezistencë politike për të mos e dorëzuar Ballukun përballë drejtësisë është kthyer edhe në një bumerang për fatin evropian të Shqipërisë. Bashkimi Evropian, në raportet e tij zyrtare dhe përmes kritereve strikte të Kapitujve 23 dhe 24 (sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit të lartë), e ka bërë të qartë se mosveprimi ndaj pandëshkueshmërisë së niveleve të larta e ka bllokuar procesin. Duke mbrojtur një zyrtare të akuzuar për shifra stratosferike, politika zyrtare në Tiranë po mban peng çelësin e dyerve të BE-së.
Prapa perdes së pushtetit: Si u shndërrua Belinda Balluku në përçarësen e madhe të Partisë Socialiste
Nëse ngjitja e Belinda Ballukut drejt majave të ekzekutivit u studiua si një model i eficiencës teknokrate, rënia e saj po dëshmohet si një dramë e brendshme pushteti që ka lënë pas gërmadha institucionale dhe politike. Përtej shifrave marramendëse të tenderëve dhe dosjeve të SPAK-ut, portreti i saj plotësohet me prapaskena të errëta: luftëra klanesh, intriga të brendshme që tronditën themelet e Partisë Socialiste, akuza për financim të protestave të opozitës kundër aleatëve brenda llojit, dhe një stil menaxhimi ku besnikëria e verbër dhe format joformale të presionit ishin monedha e vetme e qarkullimit.
Pushteti i pakufizuar i Ballukut nuk u shtri te portofoli financiar i ministrisë, por u shndërrua në një instrument për të kontrolluar, margjinalizuar dhe goditur strukturat tradicionale të Partisë Socialiste. Sipas zërave dhe dëshmive të brendshme që qarkullojnë prej kohësh në korridoret e selisë rozë, ajo krijoi një strukturë paralele influence që minoi kohezionin e partisë.
Një nga episodet më të përfolura të kësaj lufte të ftohtë brenda llojit lidhet me fërkimet e ashpra dhe intrigat e mirëorganizuara që çuan në goditjen e figurave kyçe të kabinetit, siç ishte rasti i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Përplasja e heshtur mes tyre, e shoqëruar nga fjalorë dhe kërkesa akuzuese në distancë – ku Ahmetaj shpërthente me terma tejet fyes për profilin e saj dhe mënyrën se afrimit të saj në pushtet – u kthye në dëshminë e parë të hapur se brenda partisë po zhvillohej një luftë për mbijetesë biologjike dhe politike.
Për më tepër, ambicia e pakontrolluar e Ballukut u shoqërua me akuza tronditëse nga brenda vetë kampit socialist: zëra se strukturat e kontrolluara prej saj nuk nguruan të ushqenin apo të orientonin financime drejt protestave të opozitës (Partisë Demokratike) të organizuara kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kjo strategji e dyfishtë, ku lufta politike bëhej edhe brenda oborrit të shtëpisë për të eliminuar çdo rival të mundshëm për trashëgiminë e së ardhmes, e ktheu atë nga një aset elektoral në përçarësen më të madhe të familjes socialiste.
Vartës besnikë me “karta bianka” për abuzim
Në rrafshin e administratës së përditshme, ministria e drejtuar prej saj u shndërrua në një skenë të kapur nga nepotizmi dhe klientelizmi i skajshëm. Sipas hetimeve dhe sinjalizimeve mbi mënyrën se afrimit të njerëzve në punë, sistemi i meritokracisë u zëvendësua nga ai i besnikërisë absolute ndaj eprores.
Prapaskenat e menaxhimit të fondeve flasin për skema të përdorimit të kartave të bankës nga vartës të afërt për llogari dhe shpenzime abuzive, ku transparenca financiare ishte thjesht një fjalë e shkruar në letër. Rekrutimet në postet kyçe të infrastrukturës dhe energjisë nuk bëheshin mbi bazën e CV-ve apo aftësive profesionale, por mbi dëshminë e nënshtrimit të verbër ndaj hierarkisë.
Kushti i heshtur për të marrë “bekimin” e tenderëve apo lejen për të funksionuar në sektorë fitimprurës ishte ndarja e përqindjeve dhe nënshtrimi total ndaj mekanizmit të vendimmarrjes së saj qendrore.
Mënyra se si Balluku ushtronte autoritetin e saj ka lënë pas dëshmi për një kulturë institucionale të dominuar nga tensioni dhe kapërcimi i kufijve të etikës profesionale. Veçanërisht me gjininë tjetër. Jo rastësisht në PS ka zëra që e quajnë deri “ngrënëse burrash”. Në disa raste, dëshmitë nga qarqet e ngushta të administratës kanë sugjeruar se ajo ka përdorur një qasje pushteti të bazuar te intimidimi, ku nuk kanë munguar shantazhi i heshtur dhe sjelljet e papërshtatshme me natyrë dominuese e agresive.
Kjo klimë e papranueshme e përzierjes së autoritetit zyrtar me kufijtë e etikës personale shërbeu si një tjetër hallkë në zinxhirin e pakënaqësive që do të shprtënin më vonë në përçarjen e plotë të mazhorancës.
Paradoksi i lirisë: Përse Grupi i Ballukut gjykohet në liri

Nëse dosja penale e Belinda Ballukut dhe rrethit të saj përbën një nga skenat më të rënda të abuzimit të dyshuar financiar dhe institucional në historinë e tranzicionit shqiptar, ajo që ngre pikëpyetje dhe habi të thellë në opinionin publik është standardi i dyfishtë i drejtësisë në masat e sigurisë.
Ndërkohë që zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisjes, ish-ministra apo kryebashkiakë të mazhorancës ndodhen sot pas hekurave, në qeli apo në arrati për akuza shumë më të vogla në shifra dhe peshë financiare, perandoria e Ballukut vazhdon të lëvizë e të mbrohet nga komoditeti i lirisë.
Për ta kuptuar absurditetin e kësaj situate, mjaftohet të bësh një krahasim të thjeshtë të shifrave dhe masave të sigurisë. Figura të njohura të ekzekutivit apo pushtetit vendor janë goditur me masa “Arrest me burg” ose janë detyruar të largohen në arrati për çështje që përfshijnë tendera shumë herë më të vegjël, ose për shkelje procedurale të izoluara.
Pavarësisht se dosja e ngritur nga SPAK flet për një skemë të shtrirë në mbi 15 shkelje penale, me tendera strategjikë që kapërcejnë shifrën stratosferike të 1 miliard eurove, dhe pavarësisht akuzave të rënda për korrupsion të lartë, pastrim parash dhe krijim të një strukture abuzive, ajo dhe pjesa më e madhe e grupit të saj vazhdojnë të hetohen dhe të gjykohen në gjendje të lirë (ose me masa minimale pezullimi që nuk cenojnë lirinë e tyre personale).
Ky disproporcion krijon një hije të rëndë dyshimi mbi ekuilibrat e vendimmarrjes gjyqësore dhe ngre pyetjen legjitime: A ka drejtësia frikë nga pesha e vërtetë e pushtetit politik kur ai është i organizuar në grupe të mëdha?
Përtej dyerve të gjykatave, arsyeja kryesore pse ky grup gëzon lirinë ndërkohë që të tjerët vuajnë izolimin lidhet drejtpërdrejt edhe me rezistencën institucionale dhe politike brenda Kuvendit. Ndryshe nga raste të tjera ku mazhoranca ka lëshuar lehtësisht zyrtarë të nivelit të dytë apo të tretë për të treguar vullnet reformues, mbrojtja e krahut të Ballukut është kthyer në një vijë e kuqe për mbijetesën e vetë ekuilibrave të pushtetit ekzekutiv.
Refuzimi për të dhënë autorizimin për arrestim, bllokimi i procedurave në Këshillin e Mandateve dhe presioni i heshtur politik kanë krijuar një flluskë mbrojtëse, duke bërë që drejtësia të ndalet në pragun e dyerve të qelisë. Kësisoj, Balluku është bërë dëshmia më e qartë se sistemi i drejtësisë së re ende po lëkundet në betejën e tij më të vështirë me pandëshkueshmërinë e “peshqve të mëdhenj”.
Gjithsesi, portreti i Belinda Ballukut nuk është thjesht historia e një zyrtareje që u kap nga rrjeta e drejtësisë për qindra milionë euro tendera. Ajo është kronika e një perandorie të ndërtuar mbi gërmadhat e etikës institucionale, ku eliminimi i kundërshtarëve brenda partisë, përdorimi i instrumenteve të errëta të ndikimit dhe shndërrimi i shtetit në një çiflig personal sollën jo vetëm ngërçin më të madh të integrimit evropian të Shqipërisë, por edhe copëtimin moral të forcës politike që e lartësoi.
DITA
