Ridënimi i Izet Haxhiajt si vrasës i Azem Hajdarit ka ngjallur shumë ilaritet në opinionin publik. DITA ka intervistuar në vitin 2014 të gjithë personat kyç të kësaj ngjarjeje, përfshirë Izet Haxhiajn (asokohe në Turqi), Jaho Mulosmanin (i dënuar përjetë, aktualisht në burg) Hamdi Haklajn (përfaqësuesin e familjes Haklaj), Fatmira Hajdarin (bashkëshorten e Azem Hajdarit).
A ka qenë Izet Haxhiaj i përfshirë në vrasjen e Hajdarit? A ka qenë pjesëmarrës në atentatin e 12 shtatorit ku mbeti i vrarë deputeti i PD që të meritoj dënimin e rëndë?
Jo vetëm Haxhiaj, por edhe të intervistuarit e tjerë thonë JO. Hamdi Haklaj, tha në intervistën e 2014 se është gati të dëshmojë nëse gjyqi rihapet, por ai nuk u thirr. As Berisha, jo. Më poshtë, pjesë e intervistës së Haklajt dhënë për DITA nga Suedia në nëntor 2014.
Kjo është e vërteta e mbrëmjes fatale përpara selisë së PD-së në Tiranë që shkatërroi jetën e këtyre burrave, por jo të Sali Berishës, me mburojë politike dhe jo vetëm.
Hamdi Haklaj ndalet me detaje të imtësishme, tek të gjithë sekuencat e ngjarjes që përfundoi me vrasjen e Azem Hajdarit, truprojes së tij Besim Çera, shokut të Fatmir Haklajt, Naim Çangu, si dhe me plagosjen e rëndë të truprojes tjetër të Hajdarit, Zenel Neza.
Sipas Hamdi Haklajt, të gjithë plumbat kanë dalë nga arma e Fatmirit, vëllait të tij.
Jaho Mulosmani (që ka qenë i paarmatosur) dhe vëllezërit Haxhia (që nuk ishin fare në vendngjarje) janë dënuar me makinacionet dhe presionet e Sali Berishës, këtij “shteti brenda shtetit”. Berisha ka marrë edhe celularin e Azemit, që do zbardhte shumë gjëra mbi implikimin e ish-kreut të PD – thotë Hamdiu.
Me Hamdi Haklaj bisedoi gazetarja Mira Kazhani. Intervista ka edhe regjistrimin AUDIO që ndodhet në arkivin e DITA. Asnjë hetues apo gjykatë nuk e kërkoi pas rihapjes së çështjes.
DITA: Çfarë ndodhi më tej?
Hamdi Haklaj: Në kohën që Fatmiri po priste në makinë që t’i vijë personi i cili punonte brenda selisë së PD, ka parë që në drejtim të makinës po vinte Azemi vetë i treti. Është habit dhe i ka thënë Jahos dhe Naimit që ndodheshin në makinë: Po ky çka po don me ardh këtu?
Koha ka qenë e shkurtër se ardhja e Azemit ka qenë e papritur dhe e paplanifikuar. Fatmiri u ka thënë Jahos dhe Naimit, “mos lëvizni nga makina se po dal unë ta dij pse kanë ardh”. Fatmiri ka dalë i vetëm nga makina. Automatikun dhe revolen i mbante gjithnji të gatshme që nga koha që u vra vëllai ynë Shkëlqimi.
Kur ka dal nga makina, Azemi ka qenë shumë afër dhe menjëherë ka lëvizur dorën në të cilën ka patur pistoletën me silenciator. Në këtë situatë të papritur, Fatmiri ka qëlluar direkt mbi Azemin. Në rrezen e plumbave është gjet edhe Zenel Neza, i cili është plagosur. Fatmiri ka njohur Azemin dhe Zenelin, por nuk ka njohur Besim Çerën.
Zenelin është munduar që ta ruajë, me mundësitë që krijohen në atë situatë dhe na ka ardhur shumë mirë që ka shpëtuar. Ish bodigardi i Azemit Zenel Neza, sikur ta kishte ditur që në atë makinë është Fatmiri, kurrë nuk do të kishte pranuar të shoqëronte Azemin, i cili ka patur të montuar silenciatorin në pistoletë dhe të gatshme për të vra.
Arsyeja është se Zenel Neza është stërnip i yni. Ne si familje kemi patur marrëdhënie shumë të mira me prindërit e Zenelit. E sqarova pak për publikun, sepse në Malësi të Gjakovës e dine, duke sqaru lidhjen që kemi me Zenel Nezën.
Duke mos patur asnjë plan për të taku Azemin dhe duke mos e pritur që ai ose Saliu do organizonin ndonjë pritë-kurth në afërsi të PD-së kundër tij, atë natë në atë vend ka ndodhur dhe fatkeqësia me shokun e Fatmirit dhe shokun tonë Naim Çangun.
Momentin kur Fatmiri ka dalë nga makina, u ka thënë Naimit dhe Jahos të mos lëvizin nga makina, por kur Fatmiri ka qëllu mbi Azemin, ata kanë dalë nga makina. Naimi ka qenë i ulur në sediljen prapa, ka dalë nga dera e pasme dhe ka shku drejt Fatmirit, por nga pas shpine. Fatmiri ka dëgju hapa nga mbrapa dhe ka kujtu që erdhi dikush tjetër dhe do t’i qëllonte.
Fatmiri ka dëgju hapat, ka kthy shpejt dhe ka qëllu Naimin, shokun e vet. Kjo ka qenë edhe fatkeqësia jonë e madhe atë natë, ajo e Azemit ka qenë vetëmbrojtje e Fatmirit. Në momentin që Fatmiri kishte qëlluar dhe plagosur shokun e vet, e sheh bodigardin tjetër të Azemit, Besim Çerën të cilin nuk e njihte, dhe ai kishte sulmuar Jahon.
Jaho sapo kishte dalë nga vendi i shoferit ashtu siç ishte, fatkeqësisht i paarmatosur, se atëherë nga krenia kishte merak se po i njollosej këmisha nga ndryshku i revoles që Jaho thuajse asnjëherë s’e mbante në brez, por në makinë. Në këtë moment Fatmiri e ka fut grykën e armës në mes të Jahos dhe Çerës me drejtim nga Çera dhe ka qëllu Çerën.
Jaho Mulosmani nuk ka përdorur fare armë dhe nuk ka qëllue as mbi Azemin dhe as mbi bodigardët.
Mira Kazhani: Pra, kush ka qëlluar?
Hamdi Haklaj: I vetmi person që ka qëlluar me armë ndaj Azemit, Zenelit, Besimit dhe ndaj shokut të vet Naimit natën e 12 shtatorit ka qenë Fatmiri. Sikur të ishte bërë një hetim i pandikuar dhe shkencor, ka qenë shumë e lehtë të vërtetohej autorësia.
Kontrolli i gëzhojave do të vërtetonte që është përdorur vetëm një armë. Autopsia e 3 personave të vdekur si dhe ekzaminimi i plagëve të Zenel Nezës, do të vërtetonin që janë vra nga e njëjta armë.
Jo se unë jam eksperti, dhe as nuk po pretendoj që t’u jap mend gjykatësve e prokurorëve se shumica e tyre, përjashto Plepat, janë shumë të aftë profesionalisht. Por ka qenë Sali Berisha personi i implikuar direkt në vrasje që nuk i ka interesu të zbardhet ngjarja dhe ka përdorur drejtësinë e korruptuar, të frikësuar dhe të detyruar që të zbatojë vetëm porositë e tij.
Në vitin 98-2005, Saliu ishte shtet brenda shtetit. Një ndër arsyet e tij ka qenë që të implikojë me çdo mënyrë Jaho Mulosmanin dhe vëllezërit Haxhia. Të cilët nuk janë aspak të implikuar në vrasjen e 12 shtatorit.
Mira Kazhani: Plumbat u shkrehën. Si vijoi ngjarja?
Hamdi Haklaj: Në kushtet e krijuara Fatmiri dhe Jaho kanë marrë makinën me të plagosurin e rëndë, shokun e vet Naim Çangun dhe e kanë dërgu në spital, ku dhe ka vdekur.
Vdekja i ka ardh se plagët kanë qenë shumë të rënda, por në fakt i ka munguar edhe shërbimi i duhur mjekësor nga situata që ka krijuar Saliu, i cili ka përdorur vrasjen e Azemit për të marrë pushtetin me dhunë të cilin aq shumë e dëshironte, e aq shumë po i mungon edhe tani.
Kjo për vrasjen e Azem Hajdarit, të Çerës dhe plagosjen e Zenel Nezës, se vrasjen e Naim Çangut nuk e kanë gjyku asnjëherë, as hetue ish gjykata dhe ish prokuroria, dhe kjo tregon shumë. Janë akuzu Jaho Salih Mulosmani, vëllezërit Ismet dhe Izet Haxhia dhe ishte edhe Isamedin Haxhia.
Nëqoftëse flasim për Jahon, ai mund të ishte gjykue dhe mund të gjykohet si shoferi i vëllait tim, flas për natën e 12 shtatorit. Me aq sa mund të gjykohet shoferi i cili nuk vret njeri, por e çon vrasësin në vendin e krimit. Gjë të cilën Jaho nuk e ka bërë as si shofer, se vëllai im Fatmiri nuk ka shkuar atë natë në atë vend për të vra Azemin.
Asnjë gjykatë e pavarur në botë, nuk i jep burg të përjetshëm një shoferi i cili nuk vret. Këtë vendim vetëm gjykatat shqiptare e japin. Po të krahasojmë vendimet e gjykatave të Shqipërisë, rezulton se shoferi që ka transportu vrasësin e Gani Malushit, mesa kam dëgjuar, është dënuar tre vjet burg.
Po të krahasojmë Gani Malushin me Azem Hajdarin rezulton se Gani Malushi në momentin e vrasjes nuk ka patur revole me silenciator në dorë të gatshëm për të vra. Nuk ka qenë kriminel. Nuk ka qenë kontrabandist, dhe as në shërbim të spiunazhit serb. Ndërsa po të flas për Azemin, ai ka patur të gjitha këto të cilat nuk i ka patur Ganiu.
Ndërsa vëllezërit Haxhia, nuk kanë qenë farë të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit.
DITA: Fjalët sikur ata janë takuar…
Hamdi Haklaj: Me Fatmirin ato ditë në Tiranë janë takuar, janë shoqëruar me të dhe kanë ndenjur e kanë pirë kafe shumë persona. Është Sali Berisha, qenia e të cilit i ka interesue të implikojë, të dënojë, mundësisht t’i eleminojë vëllezërit Haxhia dhe Jaho Mulosmanin.
Nuk është Izet Haxhia personi që ka thirrur në telefon Azemin. Së pari, nuk ka patur ndonjë kërkesë të tillë nga Fatmiri ndaj Izetit. Së dyti, Fatmiri nuk ka pas asnjë plan që të takojë Azemin atë natë. Dhe e treta është se Fatmiri në asnjë mënyrë nuk do të shkonte e të priste i qetë para PD-së për të kryer ndonjë krim, për arsye se aty ka qenë shumë i rrezikum.
Arsyeja është se brenda selisë së PD-së, është mbajtur dhe mbajnë edhe sot armë të të gjitha kalibrave. Dihet tashmë botërisht, ne e dinim dhe atëherë, që Sali Berisha ka qenë shefi i krimit të organizuar në Shqipëri dhe akoma guxon e bën thirrje çdo ditë që t’i lyejë shqiptarët prapë në gjak dhe vetëm fëmijët e tij të pasurohen.
Është Sali Berisha personi që ka thirrur në telefon Azemin. Dihet tashmë se datën e vrasjes së Azemit, gjatë ditës ai kishte qenë në disa takime të PD-së. Azemin e kanë kërkuar të vijë urgjent në Tiranë. A kishte fuqi Izet Haxhia ta kërkonte dhe të vinte urgjent në Tiranë?
Përgjigjja ime është: Jo! Vetëm Sali Berisha kishte fuqi ta kërkonte të kthehej urgjent, se Saliu, e kishte marrë vesh që Fatmiri është në Tiranë. Dhe i duhej patjetër Azemi. Saliu ishte ai që bënte organizimin e krimit. Pasi Azemi u kthye dhe erdhi në klubin para PD-së, është Saliu që e ka thirr të shkojë në zyrën e tij. Nuk ka as zero probabilitet që ta ketë thirrë Izeti Azemin e t’i thojë shko në zyrën e Saliut.
Pasi Azemi ka dalë nga takimi me Saliun, në korridor i ka thënë malësorit tjetër, i dihet edhe emri: Merre kallashin se është një makinë e rrezikshme para PD-së. Pra kallashët ishin legalë brenda selisë së PD.
Është Sali Berisha që e ka bërë të gjithë këtë organizim dhe besoj që ka qenë duke i pa nga dritarja veprimet dhe ngjarjen. Të njëjtën gjë bëri Saliu më 21 janar; ka parë nga dritarja e kryeministrisë vrasjet të cilat vetë i ka urdhërue.
Është Sali Berisha i cili ka bërë i pari hetuesin, prokurorin e gjykatësin për vrasjen e Azem Hajdarit. E njëjtë edhe për 21 Janarin. Është po Saliu i cili nuk e ka përmendur fare si autor apo si prezent emrin e Fatmirit. Jo se Fatmiri i dhimbsej, por kishte frikë prej tij dhe që herët kishte porosit, urdhërue e organizue, vrasjen e tij dhe tonën.
Kush e mori telefonin e Azemit? Pse u zhduk telefoni i Azemit? Kush ishte i interesuar që ta merrte telefonin e Azemit? Dihet mirë edhe nga dëshmitarët, që Izet Haxhia nuk ka qenë në vendin e ngjarjes as para vrasjes së Azemit dhe as pas vrasjes.
Atëherë janë njerëzit e besuar të Saliut ata që e kanë marrë telefonin, që të mos bie në dorën e ndokujt tjetër që mund ta përdorte në dëm të Saliut. Në telefonin e Azemit kanë qenë thirrjet e Saliut dhe bisedat e tij me të. Sikur të kishte patur hetues, prokuror apo gjykatës të cilët do të zbatonin vetëm ligjin, telefonin e Azemit do ta kishin gjetur në zyrën ose në xhepin e Saliut.
Saliu ka patur edhe kasetën në të cilën ka qenë intervista që ai i ka marrë Zenel Nezës natën e ngjarjes, në kohën që Zeneli ka qenë në spital i plagosur. Por Saliu nuk ka qenë i interesuar që atë kasetë t’ja jepte drejtësisë, pavarësisht çfarë drejtësie bënin. Në atë kasetë ka qenë sqarimi sesi ka rrjedhur ngjarja dhe implikimi i Saliut.
Azemi u ka thënë bodigardëve një pjesë të porosive që ka marrë nga Saliu në kohën kur i ka thirrur ta shoqëronin për tek makina ku ishte Fatmiri. Pra, në kasetë ka qenë emri i Saliut. Nëse do të dorëzohej kaseta, do të dilnin të pastër Jaho Mulosmani, si dhe vëllezërit Ismet dhe Izet Haxhia, të cilët nuk janë aspak të implikuar në vrasjen e Azemit.
Zenel Neza e ka njohur Fatmirin dhe me siguri i ka thënë Saliut se mbi të gjithë personat ka qëlluar Fatmiri, por Saliut nuk i ka interesuar e vërteta.
Atij i ka interesue që me atë ngjarje të përlyejë dhe të dëmtojë sa më shumë persona, edhe duke shpifur se në vrasjen e Azemit ishin 100 deri në 150 persona të organizuar dhe të gjithë sipas Saliut, të angazhuar për të vrarë Azemin. I vetmi njeri i angazhuar për të vra Azemin atë natë ka qenë Sali Berisha.
I cili si agjent i ish UDB-së e sot agjent i spiunazhit serb, ka përvetësuar edhe teorinë serbe që thonë: gënje, gënje, gënje! Shpif, shpif se diçka ngelet. Të njëjtën gjë bën Saliu këto 23 vjet çdo ditë e çdo orë.
Saliu ka qenë në dijeni që Fatmiri ishte në Tiranë, edhe për arsye se vëllai im ka taku e ka bisedu me disa figura me peshë në PD, disa prej të cilëve janë edhe sot deputetë. Me ta ka bisedu edhe rreth vrasjes së vëllait tonë Shkëlqimit. Në bisedë me disa prej tyre, dhe që nuk janë përmendur fare, Fatmiri ka biseduar edhe për Saliun.
Shumë është spekuluar, se Fatmiri natën e vrasjes së Azemit ka qenë para PD për të vra Saliun. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Fatmiri nuk ka shkuar para PD-së për të vra asnjë njeri natën e 12 Shtatorit. Fatmiri është vetmbrojt!
Ne e kemi diskutuar dhe gjykuar me aq sa kemi patur mundësi, edhe Saliun pas vrasjes të vllaut tonë Shkëlqimit. Dhe veç kësaj kemi folur publikisht disa herë, se personi urdhërues për vrasjen e Shkëlqimit është Saliu. Por asnjëherë Fatmiri nuk ka marr vendim që të bëjë përpjekjen më të vogël për të vrarë Saliun.
Arsyeja është se për fatin tonë të keq, si dhe për fatkeqësinë e shumicës së shqiptarëve, Saliu u quajt lider dhe kishte nga ata që i besonin si në Shqipëri por edhe në Kosovë. Duke mos e ditur, dhe më e keqja, duke mos u bindur as pas gjithë atyre veprimeve konkrete antikombëtare.
Që Fatmiri të arrinte e të vendoste qëllimin për eleminimin e Saliut, do t’i bëhej një nder shumë i madh shqiptarëve, por ai dhe ne do të quheshim tradhtarë. Kjo ka qenë arsyeja që nuk është bërë asnjë tentativë kundër kriminelit Sali.
Fatmiri ka shkuar në Tiranë vetëm me një makinë policie. Ismet Haxhia ka patur shërbimet dhe punët e veta dhe nuk ka qenë shoqërues apo ndihmës i Fatmirit. Nuk ka qenë fare i implikuar jo vetëm në vrasjen e Azemit por në asnjë veprim të 12 shtatorit. Ai dhe shumë të tjerë kanë takuar, ndenjur dhe pirë kafe me Fatmirin ato ditë në Tiranë, por për asnjë minutë Ismeti nuk i ka shërbyer për asgjë Fatmirit.
Fatmiri ka qenë punonjës policie në Bajram Curr dhe makinën e policisë nuk e ka marrë për të kryer ose bërë asnjë veprim të kundraligjshëm, por vetëm për të qenë pak më i mbrojtur, sepse na ishte vra një vlla dhe kishin ndodhur ngjarje deri në atë periudhë. Saliu për vrasjen e Azemit ka akuzue Fatos Nanon, Fatos Klosin etj, sikur ata kanë qenë porositësit, e lloj-lloj shpifjesh që Saliu është mjeshtër t’i bëjë.
Më vonë e ka la dhe pastru Fatos Nanon. Se Saliu ka të drejtën të ndyejë kë të dojë dhe të pastrojë kë të dojë dhe kur t’i nevojitet intrigave të tij. Pasi Fatosi ja drejtoi pushtetin në 2005, Saliu e shpërbleu Fatosin me rehabilitim, por ndoshta edhe me para, sepse Saliu ka vjedhur e grabitur pasuri të shqiptarëve të Shqipërisë.
Vëllai im Fatmiri, ne, nuk kemi patur asnjë njohje personale dhe asnjë lidhje të asnjë lloji me Fatos Nanon apo Fatos Klosin. Për Nanon nuk po e zgjas, se tash janë shok partie me Saliun. Kanë një dallim shumë të madh mesveti: Saliu është kriminel vret edhe që mos ti prishen zyrat, e mos ta lëshojë karrigën, ndërsa Fatosi nuk ka pranue të vras për karrige.
Ndërsa Fatos Klosi e kemi njohur si shef SHIK-u përmes lajmeve, por asnjëherë nuk e kemi takuar takuar dhe kurrë nuk kemi patur bisedë apo ndonjë lidhje me ndonjë të tretë, një ndërmjetës me të.
As Fatmiri dhe as ne, vllezërit e tij. Pas vrasjes së Azemit, kemi dëgjuar përmes shtypit se Fatos Klosi kishte paralajmëru Azemin, të bënte kujdes s’më kujtohet direkt apo përmes Perikli Tetës; informacionet që mund të ketë marrë Klosi nga bashkëpunëtorët e tij nuk kanë qenë fare sekret, sepse Fatmiri dhe ne kemi folur hapur për autorësinë e Saliut dhe dyshimet për Azemin që ka qenë organizator i vrasjes së vllaut tonë Shkëlqimit.
Ka patur shumë aludime dhe gënjeshtra, sikur Saliu ka premtuar apo e ka paguar Fatmirin të vrasë Azemin, apo të mos flasë për vrasjen si dhe të tjera, sikur Fatmirin e kanë paguar Fatos Nano apo Klosi. Të gjitha janë shpifje!
Fatmiri ka qenë pengesa kryesore për Saliun në Tropojë në vitin ‘97, kur Saliu bënte të gjitha përpjekjet që të grumbullojë sa më shumë vullnetarë nga Tropoja e ti dërgojë për të shtypur revoltat popullore në jug të Shqipërisë.
Fatmiri nuk është mjaftuar me pengimin që shumë tropojanë të mos shkojnë për të luftuar për interesat personale të Saliut kundër vëllezërve të jugut, por ka kundërshtuar dhe penguar forcërisht oficerët e Gardës që kishin ardhur në Tropojë për të siguruar forca vullnetare, me të cilat Saliu synonte luftë civile kundër jugut. Saliu është organizatori i vllavrasjes në Shqipëri. Saliut i ka interesu lufta jo vetëm për të mbajt pushtetin, por edhe për t’u shërbyer padronëve të tij serbë.
Saliu haptaz ka qenë kundër luftës për çlirimin e Kosovës. Ka qenë kundër UÇK-së dhe liderëve të saj. Saliu ka furnizu me karburant makinerinë gjakatare të Millosheviçit i cili ka vra shqiptarë të Kosovës, boshnjakë e kroatë. Saliu i ka shit armë Radovan Karaxhiçit.
Saliun e ka falenderu për ndihmën Momir Bullatoviçi, ish president i Malit të Zi, dhe kushëriri i Sllobodan Millosheviçit, nanat motra i kanë pas. Saliu është vrasësi i Remzi Hoxhës.
DITA: Më konkretisht?
Hamdi Haklaj: Është shumë e vërtetë, se Remzi Hoxha ka përgjue takimin e fshehtë të Saliut, Sllobodan Millosheviçit dhe Kiro Gligorovit në Ohër të Maqedonisë. Vëllai im Halili ka qenë i njohur me Remzi Hoxhën.
Vëllai im Halili i përkiste grupit të rezistencës dhe ka qenë i dënuar në mungesë me 8 vjet burg nga gjykata serbe e Pejës në vitet 93-94. Krimet dhe të këqijat që na ka bërë Saliu janë pafund. Saliut nuk dëshiroj që t’ja përmend emrin shumë, ose më mirë nuk dëshiroj t’ja përmend mbiemrin.
Berishat si fis kanë patur dhe kanë burra të mirë atdhetarë e patriotë të shquar që nuk kanë asnjë lidhje me krimet e Saliut. Saliu me krimet e tij, me bashkëpunimin serbo-grek, ja kalon të gjithë tradhëtarëve të të gjitha kohërave. Kam qëndruar me Dem Berishën, siç ju tregova shumë në vitet ’80, dhe Dema mburrej në atë kohë me të drejtë me Hasan Prishtinën.
Pavarësisht mbiemrit, Hasan Prishtina i përket fisit Berishë, por besoj që Demës kurrë nuk i ka shku mendja që pikërisht kushëriri i tij Sali, do t’ja ndërtonte momumentin në mes të Tiranës dhe do t’ia inaguronte me nderime shtetërore vrasësit të Hasan Prishtinës.
Saliu e ka bërë për një grusht vota se nuk e ka dasht Ahmet Zogun, as të birin Lekën, dhe as të birin e Lekës. Ka qenë vëllai im Ylli me shokë që i kanë dalë në mbrojtje në Tropojë, prej një prite me armë të organizuar nga Saliu. E di dhe e njoh personin të cilin ka dërgu Saliu të bëjë organizimin kundër Lekës.
Jo se kemi ndonjë lidhje me Lekën apo partinë e tyre, por as ai i pari dhe as i dyti nuk janë fajtorë për çfarë ka bërë Ahmeti….
******
Kjo intervistë AUDIO ka disa pjesë. Aty flitet pse Haklajt janë të bindur për fajësinë e Sali Berishës, pse gjyqi ndaj Jahos dhe Haxhiajve, ishte i manipuluar dhe tuteluar. E vërteta e një nipi të Haklajve që kërcënon jetën e Berishës, etj. Me kërkesën e të intervistuarit nuk lejohet riprodhimi i saj nga faqe të tjera online dhe nuk do postohen reagime lexuesish.