Nga Orgen Peci
Një javë pas vendimit për shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, kryeministri Edi Rama mblodhi Asamblenë e socialistëve të kryeqytetit për të nisur riorganizimin e strukturave në prag të zgjedhjeve të 9 majit. Takimi u shoqërua me një përplasje të drejtpërdrejtë në distancë, ku palët artikuluan akuza të forta ndaj njëra-tjetrës lidhur me drejtimin e partisë, administrimin e Bashkisë së Tiranës dhe fatin e punonjësve të saj.
Akuzat e Erion Veliajt nga paraburgimi i Fierit
Pak para nisjes së punimeve të Asamblesë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau një mesazh publik drejtuar anëtarësisë socialiste nga paraburgimi i Fierit, të nënshkruar me fjalët “Socialisti juaj me duar të lidhura”.
Në letrën e tij, Veliaj vuri në pikëpyetje kursin aktual të Partisë Socialiste, duke pretenduar se kontributi i bazës dhe socialistëve të vjetër po zëvendësohet nga individë pa meritë
– Veliaj deklaroi se ndihet i pikëlluar kur sheh një parti ku kryetari “u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye”, ku sakrificat dhe votat “fshihen me një klithmë të tij” dhe ku “besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve”.
– Ai u bëri thirrje socialistëve të Tiranës të shohin se kush i rrethon, duke akuzuar se vendin e socialistëve të betejave e kanë zënë “ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje”, dhe duke theksuar se PS-ja u ndërtua si një “parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh”.
– Duke iu referuar organizimit të PS-së së Tiranës që prej vitit 2015, Veliaj theksoi se fitoret janë arritur me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e kryeqytetit, dhe jo falë “bandave, krimit apo të fortëve”.
Kundërpërgjigjja e Edi Ramës në Asamblenë e Tiranës
Gjatë fjalës së tij para strukturave të Tiranës, kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë drejtpërdrejt ndaj deklaratave të Veliajt nga qelia, duke e cilësuar qasjen e tij si të gabuar dhe duke vendosur vija të kuqe për funksionimin e Bashkisë së Tiranës.
– Duke u shprehur se nuk mund ta gjykojë Veliajn për ato që thotë e bën në kushtet ku ndodhet, Rama tha se uron që ai të kuptojë se “është në gabim ditë e natë” në raport me kryeministrin dhe Partinë Socialiste. Kryesocialisti e cilësoi situatën e krijuar nga Veliaj si një narrativë të “burgut imagjinar politik”.
– Pika kryesore e ndarjes, sipas Ramës, lidhet me largimin nga puna të drejtueses së Policisë Bashkiake, Erjona Lalaj, si dhe të punonjësve të tjerë të Bashkisë së Tiranës. Kryeministri akuzoi se këto largime po bëhen thjesht sepse punonjësit “nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit” ose sepse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij.
– Rama lëshoi një paralajmërim të prerë për drejtuesit e bashkisë që zbatojnë porosi të tilla, duke deklaruar se PS-ja do të gjykojë “me ashpërsinë më të madhe politike” këdo që ndjek këtë “kuturisje qorre” kundër punonjësve, përfshirë socialistë, qytetarë apo demokratë të punësuar në institucion. Po ashtu, ai kritikoi avokatin e Veliajt, Plarent Ndreca, i përjashtuar së fundmi nga PS, duke e akuzuar se i adresohet shkresërisht Bashkisë duke firmosur ende si drejtues politik.
Përplasja mes dy figurave qendrore të socialistëve të kryeqytetit vjen në një moment kur Bashkia e Tiranës ndodhet prej dy vitesh pa kryetar në detyrë, një situatë që kryeministri Rama e quajti sërish një “absurd të drejtësisë”, duke shtuar se zgjidhja e këtij ngërçi do të vijë vetëm përmes fitores në zgjedhjet e 9 majit.
Për të menaxhuar procesin e riorganizimit dhe fushatën elektorale në kryeqytet pas largimit të Veliajt nga ky funksion, drejtimi organizativ i Partisë Socialiste të Tiranës u është besuar Ervin Demos dhe Albana Koçiut.
DITA
