Nga e enjtja e kësaj jave deri më 13 janar, të gjithë banorët e Tiranës që nuk kanë një banesë në pronësi, janë në marrëdhënie pune, por nuk mund të blejnë dot një shtëpi në kushtet e tregut të lirë, mund të aplikojnë për të përfituar kredi me interes 3 për qind.
Bashkia e Tiranës hapi dje aplikimet për fazën e parë, të cilat do të zgjasin për një muaj rresht. Gjithë çfarë duhet të bëjnë të interesuarit fillimisht është aplikimi ‘online’, ku plotësohet formulari i strehimit, i cili do të verifikohet me imtësi në fazën e dytë në rast se ata kalojnë këtë “sitë”. Shanset këtë vit janë më të mëdha, pasi nuk do të jenë vetëm 300 përfitues, por 1200 të tillë.
Fituesit do të mund të blejnë një shtëpi me kredi të subvencionuar nga qeveria (programi zbatohet përmes bashkive) duke paguar vetëm 3 për qind të interesit për blerjen e saj, pasi pjesa tjetër paguhet nga shteti. Si çdo herë tjetër, do të ketë disa kategori prioritare që kanë më tepër potencial për të qenë në mesin e përfituesve. Çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 40 vjeç, individët apo familjet e minoritetit rom dhe egjiptian, si dhe gratë kryefamiljare apo të dhunuara.
Aplikimi
Aplikimi për kredi të butë realizohet përmes portalit qeveritar “e-Albania” brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur bashkia do të bëjë njoftimin publik për hapjen e thirrjes. Në portal, qytetarët duhet të aplikojnë duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”. Vetëm ata që kalojnë me sukses fazën e parë, duhet të depozitojnë pranë zyrave të Bashkisë Tiranë, formularin e strehimit të plotësuar elektronikisht në portalin “e-Albania”.
Kjo duhet të bëhet brenda 30 ditëve kalendarike, shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar. Në lidhje me këto të fundit, të vlefshme do të konsiderohen dokumentet që janë lëshuar nga institucionet kompetente jo më herët se 3 muajt e fundit. Individi/ familja që ka paraqitur të dhëna të pavërteta ose të pasakta, ose në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligjin në fuqi për strehimin social dhe aktet nënligjore për zbatim të tij, i hiqet e drejta për të përfituar.
Të ardhurat
Kriteri kryesor ekonomik që duhet të përmbushin aplikantët, përpos faktit se nuk duhet të kenë banesë në pronësi, është niveli i të ardhurave që duhet të kenë. Konkretisht, sipas vendimit, për një familjare me 1-2 anëtarë, të cilët aplikojnë për një strukturë apartamenti garsoniere, niveli maksimal i të ardhurave duhet të jetë deri në 79.575 lekë/muaj. Për një familje me 3 anëtarë dhe apartament 1+1, niveli i të ardhurave që duhen plotësuar arrin në 117.398 lekë/ muaj.
Për një familje me katër anëtar dhe strukturë apartamenti 2+1, niveli i të ardhurave është 137.758 mijë lekë/muaj, dhe për familje të mëdha 5 – 6 persona, me strukturë apartamenti 3+1, niveli maksimali të ardhurave duhet të jetë deri në 146.535 lekë/muaj. Për të gjitha kategoritë, niveli minimal i të ardhurave është 35.520 lekë/ muaj. Sistemi i pikëzimit në total përmban 100 pikë dhe ndahet në katër kategori, siç janë kushtet e strehimit, kushtet familjare, kushtet sociale dhe kushtet ekonomike, ku secila prej tyre ka një nivel prej 25 pikësh.
Një formulë pikëzimi me 100 pikë në total do të përdoret për secilin aplikues. Ata që mbledhin më shumë pikë do të përzgjidhen bazuar në kriteret ekonomike, familjare, kushtet e strehimit dhe kushtet sociale.
j.l./ dita