Shoqata Kombëtare e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë në mbështetje të hartës së re gjyqësore.
Përmes një reagimi zyrtar, Shoqata bën të ditur se ka ndjekur me vëmendje dhe me interes të gjithë procesin e hartimit e dokumentimit të hartës së re gjyqësore.
Shoqata vlerëson punën 3-vjeçare të udhëhequr deri më tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me analizën dhe projektimin e hartës së re gjyqësore. Gjithashtu, Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë.
Gjyqtarët mbështesin dhe inkurajojnë miratimin sa më parë të këtij dokumenti që për to ka rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë.
Reagimi:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me mjaft vëmendje dhe interes të gjithë procesin e hartimit të dokumentit analitik të hartës së re gjyqësore të përgatitur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në konsultim dhe bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të procesit. Reforma në sistemin e drejtësisë, e mbështetur që në krye të herës nga ana e Shoqatës me mendime dhe nisma propozuese, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike.
Për ta realizuar këtë lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt. Edhe pse procesi i vettingut krijoji boshllëqe të mëdha në pushtetin gjyqësor kjo nuk e zbehu aspak, përkundrazi e shtoi vendosmërinë e subjekteve të angazhuara në procesin e skicimit të hartës së re gjyqësore, e cila do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen.Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson maksimalisht punën gati tre vjeçare të udhëhequr deri më tani nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me analizën dhe projektimin e hartës së re gjyqësore. Gjithashtu, Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë. Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument. Për këtë shkak, ajo mbështet dhe inkurajon miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë. Së fundi, Shoqata shprehet e angazhuar që, si gjithmonë, të mos e kursejë ndihmën e saj për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë.
Kundër hartës së re gjyqësore ka dalë dhoma e avokatisë, e cila ka bojkotuar seancat gjyqësore prej disa ditësh. Sipas tyre, Hartës së Re Gjyqësore po sjell shkrirjen e institucioneve të drejtësisë.
Konkretisht, 18 gjykata që kanë një numër shumë të vogël prokurorësh dhe gjyqtarësh janë shkurtuar. Përveç gjykatave të shkallës së parë në zona me numër të ulët popullsie, Ministria e Drejtësisë propozoi edhe shkurtimin e pesë gjykatave të apelit, duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.
Gjykata administrative janë lënë dy: një në Tiranë (që përfshin Veriun) dhe një tjetër në Lushnjë (që përfshin Jugun), ndërsa Apeli Administrativ është vetëm një në Tiranë.
Më hartën e re në total vendi ynë do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, dy administrative dhe një apeli. Kjo gjë sipas Minsitrisë së Drejtësisë sjell një sistem më cilësor dhe ul korrupsionin. Por nga ana tjetër, rrit distancën mes qytetarëve e gjykatave si dhe vështirëson punën e avokatëve.
j.l./ dita
