Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet vendore të 2023. Në një intervistë për Fax Neës, Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës është e fokusuar te puna e saj përditshme. Ai nënvizoi se pret që periudha e zgjedhjeve të mos jetë një fushatë me sharje e shpifje, por një fushatë civilizuese, ku njerëzit diskutojnë se cilat janë idetë për ta çuar qytetin më përpara.
“Puna që bëjmë ne është një punë e përditshme, jo vetëm kur vjen fushata. Në këto kohë, fokusi ka qenë kryesisht te shkollat, kopshtet, çerdhet dhe konviktet. Sigurisht, ka gjëra që mund të bëhen më mirë, ndaj unë pres që kjo të mos jetë një fushatë me sharje, me shpifje, me goditjet nën brez, por të jetë një fushatë civilizuese, ku njerëzit shprehin se cilat janë idetë për ta çuar qytetin më përpara. Kushdo që kandidon, nga disa fraksione të opozitës, nuk është armiku im. Përkundrazi, është një kontribuues gjithashtu, se si mund ta bëjmë më mirë këtë punë. Unë fushatën e kam marrë seriozisht edhe në vitin 2019, kur nuk kishim një kandidat zyrtar të opozitës sepse unë besoj se fushata merret seriozisht jo për kundërshtarët, por për njerëzit që thonë: Të kam vënë aty, që të bësh maksimumin, me sa ke fuqi dhe sa ke mundësi”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se çdo fatkeqësi është edhe një mundësi, sikurse koha tregoi se shkollat që u dëmtuan nga tërmeti u rindërtuan shumë herë më të mira dhe më të sigurta se të vjetrat. “Për shkollën “Sami Frashëri” tërmeti ishte fatkeqësi që e dëmtoi, por ishte edhe një mundësi që shkolla sot është më bukura në Republikën e Shqipërisë, ndoshta në gjithë Evropën Juglindore. Fushata e përditshme është ajo që na nderon të gjithëve. Është si të thuash: Ju si televizion, punoni vetëm kur ka fushatë? Jo, ju përditë jeni në një përpjekje për të transmetuar, për të thënë të vërtetën, për të dhënë të dyja anët e medaljes dhe unë besoj se kështu duhet të funksionojmë si shoqëri. Njerëz që punojnë, përveshim mëngët përditë dhe jo vetëm kur vjen vakti i fushatës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar sot edhe akuzat e opozitës për largimin e të rinjve nga Shqipëria. Duke folur për Fax Neës, ai theksoi se opozita që klith sot për ikjen e të rinjve, vetë jetojnë në vila te Gjiri i Lalzit. Veliaj nënvizoi se Shqipëria është i vetmi vend ku opozita jeton më mirë dhe për këtë mjafton të shihet stili i jetës së drejtuesve të opozitës.
“Kur dëgjoj opozitën që klith për largime, them: Si nuk ikën nga Shqipëria asnjë nga opozita? E keni vënë re Ilir Metën dhe gjithë grupin e Lalzit të largohen nga Lalzi dhe të thonë “nuk jetohet këtu; Lalzi është bërë tmerr?” E keni vënë re Lulzim Bashën të largohet nga Long Hill dhe të thotë Shqipëria është një tmerr, unë do iki? E keni vënë re Sali Berishën të thotë ‘unë këtu në breg të detit nuk jetoj dot?’ Pra, për opozitën ky vend është shumë i jetueshëm. Në Gjirin e Lalzit nuk ikën njeri nga Shqipëria, kështu që këta që inkurajojnë ikjet dhe klithin duhet të thonë: Dakord, qeveria ka përgjegjësi, se sigurisht ne duhet të punojmë përditë që vendi të jetë më i jetueshëm, pagat më të larta – po indeksohen rrogat minimale, Tirana është bërë një super kantier në teknologjinë digjitale – patjetër, ne duhet të bëjmë detyrat tona, por pyetja që kam unë është: Po këta që drejtonin Hasin, Tropojën, Kukësin dhe në 2019 thanë hajt shëndet, se për hir të partisë ne nuk do shkojmë në zgjedhje? Këta që vetë jetojnë në Lalz, nuk ikin nga Shqipëria se Shqipëria u sjell kaq shumë të mira, që t’i kenë fëmijët jashtë, të bëjnë operacione plastike – nuk i shoh këta të ikin nga Shqipëria. Po të ishte e padurueshme Shqipëria, do kishte ikur Monika dhe Iliri, do ikte edhe Saliu me Shkëlzenin, do ikte edhe Luli me vilat e tij. Po këta nuk ikin nga Shqipëria. Pra, qartazi, për opozitën Shqipëria është një super vend, ky është një vend ideal për të qenë në opozitë se jeton si pasha”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Per cfare civilizimi flet Kryehajduti? Civilizim quhet kur shantazhon popullaten ose perdor parate e vjedhura nga taksat tona per te fituar ne zgjedhje? Nese do ishte per popullin,jam i bindur qe surratin tend nuk do donte ta shihte me aty ku je.Edhe kundershtaret e tu ,njelloj hale si ti jane.Fatkeqsisht nuk ka alternative serioze per popullin por vetem sherbetore te oligarkeve te pangopur.
vetëm partia komuniste e shpëton popullin shqiptar