Aplikimet për pranimet e reja, në ciklin e tretë të studimeve universitare “Doktoraturë” tashmë kanë nisur edhe për programet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Strukturat përgjegjëse të këtij institucioni të arsimit të lartë, kanë konfirmuar afatet, procedurat dhe kriteret që duhet të përmbushin të gjithë kandidatët për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të “Doktoraturës” në këtë universitet për vitin akademik 2022-2023.
Pesë janë fushat e studimeve për të cilat do të zhvillohet gara e pranimeve të reja të ciklit të tretë. Sipas autoriteteve të këtij universiteti, aplikantët do të mund të konkurrojnë për studimet “Doktoraturës” në këto fusha: “Ekonomi dhe Agrobiznes”, “Shkencat Bujqësore”, Shkencat Mjedisore”, Shkencat Veterinare”, si dhe “Shkencat dhe Bioteknologjia Ushqimore.
Në garë për këtë cikël studimesh do të mund të përfshihen jo vetëm kandidatët që plotësojnë kushtet e përcaktuara dhe që janë nga Shqipëria, por edhe ata nga Kosova, si dhe Maqedonia e Veirut, ndërkohë që pranimi i aplikimeve do të jetë i mundur deri në datën 28 shkurt.
“Afati i fundit i dorëzimit të dosjeve është data 28 shkurt. Dorëzimi i dosjeve do të bëhet tek personat e kontaktit në fakultete. Ftohen të aplikojnë kandidatët nga Shqipëria, Kosova dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut”, konfirmojnë autoritetet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Aplikimet që nuk përmbajnë dokumentet e përcaktuara nuk merren në konsideratë. Dokumentat e dorëzuara gjatë këtij aplikimi, nuk mund të tërhiqen nga aplikanti, por arkivohen në institucion.Për aplikantët që nuk janë staf akademik i njësive përbërëse të UBT-së, përveç pagesës së tarifës zyrtare, kërkohet konfirmimi/dokumentimi që vërteton përballimin e të gjitha shpenzimeve dhe kostove të studimeve të doktoraturës, nëpërmjet depozitimit të projektit shkencor të fituar apo ndonje kontrate financiare të vlefshme, sipas përcaktimeve të bëra nga strukturat e UBT-së.
Për të kryer regjistrimin në programin e studimit të doktoraturës aplikantët duhet të plotësojnë këto kritere: Të jenë në angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo të jenë personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar, të kenë përfunduar studimet e larta dhe të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, ose një diplomë ekuivalente me MSc në fushat përkatëse ku aplikojnë, ose në fusha të përafërta me këto degë.
Kriter i rëndësishëm aplikimi është edhe mesatarja e studimeve të kryera deri në momentin e aplikimit për ciklin e tretë. Kështu, për të aplikuar për këto fusha, kandidatët duhet të kenë një vlerësim mesatar të përgjithshëm me notë mesatare mbi 8, si dhe të kenë të mbrojtur një nga gjuhët e huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht. Për kandidatët që kanë fituar një diplomë pas përfundimit të një programi studimi të kryer në një nga pesë gjuhët e lartpërmendura, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e kriterit të gjuhës së huaj. Po sipas kushteve të përcaktuara, duhet të keni edhe dy rekomadime nga personel akademik që kanë titullin akademik “Profesor i Asocuar” ose “Profesor”, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit. Për të qenë pjesë e garës duhet që ndaj aplikantit të mos jetë marrë masa disiplinore, apo të mos jenë gjetur shkelje të rregullave të etikës së kërkimit shkencor, të të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale apo të shkelje të rregullave kundër plagjaturë, si dhe të bëjë vetëdeklarim se është në gjendje të zbatojë standardet shkencore dhe etike.
Studimet e ciklit të tretë do të zhvillohen në këto fusha:
- Doktoraturë në “Ekonomi dhe Agrobiznes”, e cila ofrohet nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit.
- Doktoraturë në “Shkencat Bujqësore”, e cila ofrohet nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit.
- Doktoraturë në “Shkencat Mjedisore”, e cila ofrohet nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit.
- Doktoraturë në “Shkencat Veterinare”, e cila ofrohet nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.
- Doktoraturë në “Shkencat dhe Bioteknologjia Ushqimore”, e cila ofrohet nga Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit.
Në dosjen e aplikimit për studimet e ciliklit të tretë duhet të përfshini:
- Kërkesë personale drejtuar njësisë bazë ose kryesore, përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e studimeve të ciklit të tretë.
- Curriculum Vitae.
- Kopje të noterizuar të diplomave, të shoqëruara me suplementet e diplomës ose listën e notave me kreditet përkatëse. Diplomat e fituara jashtë vendit duhet të shoqërohen me vërtetimin e njohjes/ekuivalentimit nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
- Çertifikatë lindjeje, si dhe fotokopje të kartës së identitetit/pasaportës, si dhe 2 fotografi.
- Dy rekomadime nga personel akademik që kanë titullin akademik “Profesor i Asocuar” ose “Profesor”.
- Dëshmi origjinale ose të noterizuar të gjuhës së huaj (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht ose spanjisht). Dokumenti i njohjes së gjuhës së huaj mund të jetë një çertifikatë, diplomë ose dëshmi e lëshuar nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin për ofrimin e testimeve ndërkombëtare, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se dy vjet nga koha e lëshimit të tyre.
- Një deklaratë nëpërmjet së cilës pranohet shlyerja e të gjitha detyrimet financiare, lidhur me koston e studimeve sipas përcaktimeve të bëra nga strukturat e UBT-së.
- Një propozim në të cilin të përcaktohet fusha me interes për ndjekjen e studimeve të ciklit të tretë se bashku me emrin e udhëheqësit shkencor.
- Për aplikantët që nuk janë staf akademik i njësive përbërëse të UBT-së, përveç pagesës së tarifës zyrtare, kërkohet konfirmimi/dokumentimi që vërteton përballimin e të gjitha shpenzimeve dhe kostove të studimeve të doktoratës, nëpërmjet depozitimit të projektit shkencor të fituar apo ndonjë kontrate financiare të vlefshme, sipas përcaktimeve të bëra nga strukturat e UBT-së.
- Vërtetim që është personel akademik në njërën prej njësive bazë të UBT-së, ose që kandidati ka angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë, apo është personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.
- Mandat pagese për tarifën e aplikimit 2000 lekësh.
- Vetëdeklarim i aplikimit se do të zbatojë standardet shkencore dhe etike.
DOKTORATURA NË “SHKENCAT MJEDISORE”
Qëllimi themelor i programit të doktoraturës në “Shkencat Mjedisore” është thellimi i njohurive shkencore dhe përvetësimi i metodave bashkëkohore të kërkimit shkencor nga kandidatët që vijojnë ciklin e studimeve doktoraturë. Kërkimi shkencor në “Shkencat Mjedisore” do të jetë “përgatitja e ekspertëve në fushën e mjedisit me njohje të thelluara për tema multidisiplinore të lidhura me tokën, ujin, biodiversitetin, mbetjet, etj, të aftë për të zhvilluar analiza duke arritur në përqasje ose përfundime të drejta.
DOKTORATURA NË “SHKENCAT BUJQËSORE”
Qëllimi themelor i programit të doktoraturës në “Shkencat Bujqësore” është thellimi i njohurive shkencore dhe përvetësimi i metodave bashkëkohore të kërkimit shkencor nga kandidatët që vijojnë ciklin e studimeve doktoraturë. Ky program studimi synon ta pajisë kandidatin me njohuritë më të larta në disiplinat e agronomisë, mbrojtjes së bimëve, hortikulturës dhe arkitekturës së peizazhit, akuakulturës dhe peshkimit, prodhimit shtazor si dhe me aftësitë e kompetencat e nevojshme për të ushtruar pranë universitetit, institucioneve publike ose private, aktivitetin e kërkimit ose aktivitete të tjera profesionale me kualifikim të lartë.
DOKTORATURA NË “SHKENCAT VETERINARE”
Qëllimi themelor i programit të doktoraturës në “Shkenca Veterinare” është thellimi i njohurive shkencore dhe përvetësimi i metodave bashkëkohore të kërkimit shkencor nga kandidatët që vijojnë ciklin e studimeve doktoraturë. Kërkimi shkencor në Veterinari në fushën Shkencat Veterinare sipas standardeve ndërkombëtare të kërkimit/shkencës, fokusohet në studimin e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve dhe dëmtimeve te kafshët, dhe kujdesi i tyre i përgjithshëm shëndetësor, në drejtimet kryesore, Kujdesi shëndetësor i kafshëve, Mirëqenia e kafshëve, Mjekësia veterinare parandaluese, Shëndeti publik dhe Siguria ushqimore dhe Shkenca e riprodhimit të kafshëve. Numri maksimal i studentëve që do të pranohen në Programin e Doktoraturës në “Shkenca Veterinare” për vitin akademik 2022-2023 është 10 studentë doktorant, kryesisht nga Shqipëria, Republika e Kosovës dhe kandidatë me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
DOKTORATURA NË “SHKENCAT DHE BIOTEKNOLOGJIA USHQIMORE”
Për t’u pranuar në programin e studimit të ciklit të tretë doktoraturë, kandidati duhet të ketë përfunduar studimet e larta cikli parë në Inxhinieri Agroushqimore, profilet: Teknologji Agroushqimore, Vreshtari-Enologji, Shkencat e Ushqimit dhe të Ushqyerit, në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, programe të tjera studimi në UBT (Prodhim Bimor, Agromjedis, Zotekni, Akualturë, Mjekësi Veterinare), programet e studimit të Fakultetit te Shkencave të Natyrës (degët: Biologji, Kimi Industriale, Kimi e Përgjithshme dhe Kimi Ushqimore) dhe degë të ngjashme në universitete të tjera brenda dhe jashte vendit, me notë mesatare të përgjithshme 8 e lart.
DOKTORATURA NË “EKONOMI DHE AGROBIZNES”
Për të konkurruar në këtë program, aplikanti duhet të ketë përfunduar dhe të zotërojë diplomë të studimeve të larta universitare, të ketë përfunduar dhe të zotërojë një diplomë Master i Shkencave (M.Sc.) ose ekuivalente me të. Diplomat e fituara në një nga institucionet e arsimit të lartë jashtë Republikës së Shqipërisë duhet të jenë të njësuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aplikanti duhet të ketë notë mesatare 8 e lartë për çdo njërin prej cikleve të studimit (cikli i parë i studimeve Bachelor dhe cikli i dytë i studimeve Master i Shkencave ose të diplomave ekuivalente me to), si dhe të jetë personel akademik i një universiteti.
