Para se të hyjnë në provimin final të licencës, të gjithë kandidatët për mësues, duhet të ndjekin praktikën e detyruar profesionale, pranë shkollave të arsimit parauniversitar për të paktën një periudhë mësimore prej tre muajsh. Duke nisur nga ky vit shkollor, ashtu sikundër ndodh me profilet mjekësore, edhe për mësuesit e rinj, ndjekja e detyrueshme e praktikës është kthyer në 3 mujore nga nëntë që ka qenë gjatë viteve të shkuara. Kështu brenda çdo viti shkollor, janë përcaktuar tre periudha, në të cilat kandidatët e rinj të mësuesisë mund të zgjedhin për të zhvilluar praktikën e detyruar profesionale.
Aktualisht ka nisur aplikimi për periudhën e tretë, që është edhe e fundit për këtë vit shkollor 2022-2023. Autoritetet e strukturave rajonale të arsimit parauniversitar në vend, bëjnë me dije se aplikimi për periudhën e tretë mësimore, do të vijojë deri në datën 16 mars. Kështu, të gjithë kandidatët e diplomuar për mësuesi, duhet të bëjnë regjistrimin online për zhvillimin e praktikës në një nga shkollat e arsimit të detyruar 9-vjeçar, ose gjimnazeve, për muajt e mbetur të këtij viti shkollor. Sikundër ndodhi në dy fazat e para, edhe për periudhën e tretë, regjistrimi do të bëhet në portalin online “e-albania”, sipas hapave të përcaktuar. Çdo kandidat duhet të bëjë kujdes me afatet. Kjo pasi aplikimi mund të bëhet vetëm nëpermjet portalit qeveritar në afatet e percaktuara, çka do të thotë se jashtë portalit dhe afateve nuk do të procedohet. Kush nuk arrin të regjistrohet deri në datën 16 mars, do të duhet të presë nisjen e vitit të ri shkollor për të aplikuar sërish.
“Kanë të drejtën për të zhvilluar praktikën profesionale kandidati, që ka fituar diplomën universitare në fushën e mësuesisë sipas ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbështetur në nenin 57 të ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar,si dhe referuar shkresës së MAS me Nr .5559 prot datë 30.08.2022 “Për zhvillimin e praktikes profesionale në profesionin e rregulluar të mësuesit për vitin mësimor 2022-2023”, sqarojnë autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Për të bërë aplikimin, çdo mësues fillimisht do të duhet që të hyjë online në portalin “e-albania” në adresën www.e-albania.al, ku duhet të zgjëdhë shërbimin e listuar, si: “Aplikim për zhvillimin e praktikës profesionale (kandidatët për mësues). Më pas do të duhet që të klikoni butonin “Përdor” dhe të plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular dhe të ngarkoni dokumentacionin e kërkuar. Për të bërë një regjistrim të vlefshëm, çdo kandidat duhet që të ngarkojë online me korrektësi gjithë dokumentacionin e kërkuar si në vijim: Cv e kandidatit për praktikën profesionale, fotokopje të noterizuara të diplomave të ciklit të parë “Bachelor” me listë notash dhe master i mësuesisë “Profesional ” ose “Shkencor” me listë notash të noterizuara, si dhe raportin mjeko-ligjor. Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati për praktikant duhet të pajiset nga fakulteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi
Pasi të plotësoni me kujdes të dhënat e kërkuara në këtë formular dhe të shtoni edhe dokumentet e përmendura më lart, duhet që të klikoni butonin “Dërgo”. Do të jetë personi përgjegjës në zyrën vendore të arsimit parauniversitar që do të bëjë shqyrtimin e aplikimit tuaj, i cili më pas do të bëjë edhe njoftimin nëse jeni përzgjedhur apo jo për të ndjekur praktikën në shkollën përkatëse për të cilën keni bërë edhe aplikimin.
Praktika profesionale synon sigurimin e cilësisë së mësimdhënies nga mësuesit e rinj dhe performancë të lartë të profesionit të mësuesit, përvetësimin e mëtejshëm të njohurive teoriko-profesionale, të aftësive e shprehive praktike dhe normave të etikës e të sjelljes së mësuesit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm për një përshtatje më të mirë ndaj ndryshimeve të kurrikulës, mësimdhënies si dhe komunikimit me fëmijët dhe të rinjtë.
Gjatë ndjekjes së praktikës, çdo praktikant do të mbikëqyret nga një mentor, mësues me përvojë në lëndën përkatëse për të cilën praktikanti është diplomuar. Më herët është përcaktuar edhe norma e orëve mësimore që çdo praktikant do të duhet të zhvillojë gjatë ndjekjes së praktikës së detyruar. Sipas kushteve të përcaktuara, praktikanti që ka munguar në më shumë se 30 për qind të orëve mësimore të kohës së përcaktuar për realizimin e praktikës do të duhet që të përsërisë të plotë nga e para praktikën profesionale. Në rastet e tjera kur rezulton se praktikanti ka munguar 20–30 për qind të orëve mësimore të kohës së përcaktuar për realizimin e praktikës, ndjekja e saj do i shtyhet edhe me 1 muaj më shumë. Kur praktikanti ka munguar më pak se 20 për qind të orëve mësimore të kohës së përcaktuar për realizimin e praktikës, do i nënshtrohet vlerësimit sipas rregullores së përcaktuar.
Si do të zhvillohen orët mësimore të praktikës?
- Praktikanti kryen praktikën profesionale për një periudhë mësimore të detyruar 3 mujore.
- Sipas kushteve të përcaktuara mësuesi praktikant, e ka normën e praktikës profesionale sa norma e mësuesit të profilit përkatës.
- Praktikanti jep mësim 1/4-ën e normës javore të mësuesit përkatës.
- Pjesa tjetër e normës ndahet: 1/2 e orëve si mësues ndihmës dhe 1/2 e orëve për vëzhgime të procesit mësimdhënës.
- Praktikanti ka detyrime profesionale të njëjta me ato të mësuesve të institucionit arsimor, përfshirë pjesëmarrjen në mbledhjet e ekipit lëndor e të këshillit pedagogjik, si dhe detyrën e mësuesit kujdestar.
