Policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar i cili gjendet në arrati pasi kanosi me armë për motive të dobëta një 32-vjeçar dhe i mori automjetin.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dubrav” në kërkim u shpall shtetasi me inicialet E. P.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:15, në aksin rrugor Bajram Curri-Fierzë, në vendin e quajtur “Dubrav. Gjatë ndjekjes nga Policia, 22-vjeçari braktisi automjetin e 32-vjeçarit dhe duke përfituar nga errësira, mundi të largohej.
“22-vjeçari, kur ka konstatuar se po ndiqej nga Policia, në vendin e quajtur “Kalata e trageteve”, Fierzë, ka braktisur automjetin tip “Lançia” dhe duke përfituar nga errësira, ka mundur të largohet.
Policia vijon kontrollin e zonës, për kapjen e 22-vjeçarit dhe sekuestrimin e armës së zjarrit pistoletë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë shpallën në kërkim, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, shtetasin E. P., 22 vjeç, banues në fshatin Breg Lumë, Tropojë”, thuhet në njoftimin e policisë.
m.b./dita
