Nga Artan Xh. Duka
Botuar në DITA
Si për rastin e zgjedhjeve në Himarë ashtu edhe për ujdinë me Italinë për qëndrën e emigrantëve fjalën e ka marrë tanimëdrejtësia e dalë nga reforma që e mëkoi dhe e mbikqyr BE e SHBA e ku qëllimi kryesor është pavarësia nga politika. Janë dy zhvillime që tregojnë sërisht, jo për herë të parë, njëreagim krejt ndryshe të fqinjëve tanë ndaj nesh. Italia mirëkupton e shfaqet më shumë se një fqinj, ndërkohë që Greqia sillet si të ishim botë!
Një metër, dy lexime!
As nuk bëhet fare fjalë për barazpeshë mes këtyre dy rasteve, e megjithatë është sërisht buja e kuja greke ajo që bie në sy duke trazuar jo vetëm marrëdhëniet mes nesh por dhe hapur debat edhe brënda vetë BE.
Qëndra e emigrantëve nuk është thjesht një “bast” apo“votbesim” politik për Melonin por një sfidë e përbashkët me interes për vetë BE sepse rregullimi i dyndjeve migratore nuk është krizë e Italisë por e gjithë BE ku ndër më të interesuarat është dhe vetë Greqia. Ndërkohë, rasti Beleri është thjesht një dosje rutinë e drejtësisë ndaj një qytetari, pavarësisht pasaportave që mban, as më shumë e as më pak por si çdo shqiptar me letra që akuzohet për shkelje ligji në shtetin fqinj grek por që nuk shkon kush nga qeveria shqiptare t’a takojë pale të ushtrojë presion ndaj sistemit e politikës më pas.
Sot përballë të njëjtës drejtësi kemi dy raste me pesha të ndryshme, përcjellë me komente e sjellje të ndryshme nga dy shtete të ndryshme pjesë e së njëjtës BE. Ndërsa Italia respekton sovranitetin e fqinjit, pavarësinë e institucioneve tona të drejtësisë për gjykimin dhe bën durim e nuk paragjykon ndonëse është një çështje jetike për strategjinë e emigracionit në BE, Greqia zyrtare e ajo mediatike hedh shashka e hije dyshimi ndaj pavarësisë së drejtësisë, kapjen e saj nga politika, përflet kontributin e BE e SHBA për shtet të ligjit në Shqipëri deri aludon për naivitet perëndimor!
Të gjitha pretendimet greke që marrin për kapital llogjet e fushatave zgjedhore apo mburrjet e Ramës për autorësinë e reformës në drejtësi, nuk janë argumenta për kapje të drejtësisë nga Rama sepse ai vetë ndjehet sot më i brishtë se kurrë ndaj saj. Janë thjesht alibi e me sa duket jo për Belerin por për integrimin tonë në BE që, si “agimi” largon fantazmat e së shkuarës nga një rajon ku Greqia ka marrë nga tjetri e vuan prej një shekulli makthin makbethian.
Ka fqinjë, ka dhe fqinjësi!
Si shtet i BE, Greqia duhet të reflektojë standartet e BE edhe në sjelljen ndaj të tretëve, aq më tepër me fqinjin mijravjeçar. Nuk ka pse shkon larg, ka Italinë pranë! Janë dy fqinjë por njëri kaq i madh e kaq pranë e tjetri kaq i vogël e kaq larg!
Për dallim kemi një Itali që komunikon si e barabartë me fqinjin dhe një Greqi që sheh nga lart poshtë, një Itali të zhveshur nga komplekset që gjen lajmin e mirë tek zhvillimi e begatimi i tjetrit dhe një Greqi që e ka bërë huq të pretendojëe shantazhojë në rajon, një Itali e pasur se sheh nga e ardhmja e arbëreshët i ka thesar dhe një Greqi e mbetur pas në tëshkuarën që popullsinë shtetformuese arbëreshe e sheh si intimidim për identitetin e stisur e të sforcuar të saj, një Itali që mirëpret emigrantët e mban derën hapur dhe një Greqi që e ka makth konvertimin e asimilimin e të huajve ndryshe nuk bën rehat, një Itali që njeh e punon me Kosovën dhe një Greqi “delja e zezë” në rajon ndaj saj etj.
Janë dy vijimësi qëndrimesh të ndryshme në kohë nga dy fqinjë që ndikojnë e lënë gjurmë edhe në partneritetin mes nesh. Dëshira e dora e shtrirë e jona për partneritet strategjik lexohet ndryshe në Romë e Athinë. Ndërsa Italia e respekton dhe e vlerëson, Greqia e sheh ndoshta si dëshpërim e brishtësi të tjetrit që ndjell më tej arrogancë e karshillëk.
Binjak historik!
Me publicitetin e stisur lidhur me zgjedhjet në Himarë ku vetë “fitorja” është nën akuzë, Greqia nuk ekspozoi Shqipërinë nëBruksel por vetveten sepse tha fjalën e fundit të parën dhe ndërhyri brutalisht në punët e fqinjit. E mësuar të shantazhojënë rajon, deri në ndërrim emri shteti e Kushtetutë, ngutet tëngulë “gozhdën” e Nastradinit edhe në murin tonë para hyrjes në BE.
Me të drejtë BE ngulmon që mes Kosovës e Sërbisë tëmos ketë mosmarrëveshje pa të hyjnë në BE; nuk duan sherrin e tjetrit sepse boll kanë të tyret brënda mes vetes. Ajo qënënvlerësohet por që do nxjerrë kokën dikur, është antagonizmi konstant që Greqia, e kapur nga e shkuara,provokon mes nesh. Mbi të gjitha është “Muri” që ka ngritur Greqia me Ligjin e Luftës e pasojat e tij, një sfidë serioze kjo për vetë qasjen e BE për paqtimin e rajonit si kusht për në BE.
Është për të ardhur keq që me Greqinë e popullin atje,me të cilin na lidh një det me gjak e histori mbi dymijravjeçare, mirëbesimi nuk është kurrsesi afër asaj që kemi me Italinë e përtej detit që ndonse më e largët në gen,është shumë më tepër vëllazërore në përkushtim e respekt reciprok.
Por, përtej sjelljes së fqinjit, është i zoti i shtëpisë ai qëduhet të sillet si i tillë. Greqia do të hapë rrugën drejt BE kur ne t’i vëmë përpara dosjet e së shkuarës në tryezë, me njëkopje për dijeni BE e SHBA. Sebepet nuk zgjojnë më interes kur gjërat bëhen fakt!
Kërkimi i të drejtave historike nuk është sjellje që bie ndesh me ndonjë standart të BE, as anomali demokratike qënë për këmb integrimin por virtyt i vetë demokracisë. Ajo që bën dallimin demokratik nuk është kërkesa e së drejtës por mënyra se si e kërkon atë. Duke mos u ndjerë për padrejtësitëe anomalitë historike, nuk ndihmojmë as veten dhe as Greqinë për t’ia dalë së shkuarës së saj.
Vetëm duke u paqtuar si vëllezër historik të një gjaku që jemi nga gjeneza, do të jemi së toku më të zotë për sfidat përpara dhe rajoni bashkë me ne. Me Greqinë jemi “binjak” historik. Dy shekuj trazira e kufi mes nesh nuk zhbëjnë dot dymijë vjet bashkësi ndaj dhe e shkuara dhe e ardhmja e secilit duhet të na dhëmbi po njësoj e nuk duhet të bëjmë dallim. Sikurse ndodh mes Irlandës e Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht jashtë apo brënda BE, kufiri mes nesh e Greqisëduhet të jetë relike historike. Mund të jetë për të tjerë por jo mes vëllezërve nga kufijtë e legjendave. Mbase kuriozitet për ndonjë turist që e do për ndonjë selfie. Nëse e dallon dot!
——
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.