Toleranca dhe tirania e shumicës, marrezite e opozites, shkaterrimi i funksionimit te institucioneve janë disa nga temat e prekura në një shkëmbim emailesh, shumica të pabotuara mes akademikut të ndjerë Moikom Zeqo dhe kryeredaktorit të gazetës DITA, Adrian Thano.
“I shtrenjti Thano, meqënëse kam shkruar në analizën e fundit në DITA për keqkuptimin e ideve demokratike dhe demokracinë e deformuar, dua t’i referohem sot një prej filozofëve më të mëdhenj, Karl Poperit, një ndër ata që ka sfiduar tezën “e vdekjes së filozofisë” – thotë Moikomi në një prej maileve të shkëmbyera.
“Kjo nuk është aspak një formulë e skajshme dhe e pafajshme. Pragmatizmi ka spostuar librat, simbolet e studimit rigoroz, prirjet arsyetuese, apo dyshuese, domethënë gjithçka që përcakton klinikisht substancën e problematikës filozofike. Ata që mohojnë filozofinë, vetëkuptohet që janë të mohuar prej saj“.
Po kush ishte (është) Karl Poper? Çfarë përfaqëson Karl Poper-i? Dhe pse Moikomi i është referuar shpesh?
Me origjinë austriake, i lindur në 1902, Karl Poper u bë një filozof i madh anglez dhe në 1945 në Londër ai konsiderohej si një patriark i filozofisë.
Poper ka synuar me vetëdije një pozicion specifik të neopozitivizmit, por me elementë të racionalizmit kritik, gjë që shpjegohet edhe me njohjen e tij të shumëfishtë dhe të pazakontë të dijeve dhe të shkencave ekzakte, fizike e përgjithësisht natyrore.
Karl Poper dallon tri botë: Botën fizike (materien), botën përjetuese (vetëdijen), botën e ideve, teorive (si realitet objektiv).
Mendimi i Poperit kundër shoqërive totalitare spikat.
Karl Poper kundërshton kuptimet “utopike”, duke vënë në dukje se “përpjekja për të krijuar qiell në tokë, prodhon përherë ferr”. Ky deduksion, është substancial për dështimin e komunizmit totalitar.
Karl Poper në 1945 boton kryeveprën e vet “The open society and its enemyes” (Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj) në dy vëllime. Në këtë shtjellim pretencioz, në këtë suma-sumarum, filozofia shkrihet si sociologjia e antropoligjizuar, jepet si sens zhvillimi i ngadalshëm, një lloj katekizmi mendor për popujt si dhe një eksorcizëm, -një antidot ndaj ideologjive ndarëse, kundërshtuese, përplasëse, përjashtuese.
Karl Poper ka synuar një universalitet të një kuptimi të ri të botës, ndonëse pa shpjeguar dot deri në fund dhe bindshëm kontradiktat e saj, ai bën një apel madhështor: Duke huazuar idetë e europianistëve të Konvergimit, duke hequr kufijtë politikë, që paraqiten edhe si kufij etnikë etj, si një Sen Simon i ri, flet për një të ardhme të përbashkët të bashkësisë joantagoniste të kombeve dhe të njerëzve.
Poper ngrihet kundër teorive dhe praktikave që veçojnë njerëzit, mbifuqizojnë “in extremis” nacionalizmat, apo teoritë raciste, por edhe ato politike dhe vë në qendër të optikës filozofike, idenë e një bashkësie e një matrice antropologjike të përbashkët të Shoqërisë së Hapur.
Karl Poper me projektin e Shoqërisë së Hapur, realizon përvojat totalitare si edhe të ngujimit kufitar, duke i quajtur këto si Vrima e Zezë e Historisë. Një marrëzi e instrumentalizuar, që të rikthen në të kaluarën dhe e bën edhe të tashmen, edhe të ardhmen thjesht një tautologji.
Demokracia autentike dhe demokracia alibike stimulojne Karl Poper, qe arsyeton rrugët dhe mundësitë e Shoqërisë së Hapur, duke thënë rregullat e një demokracie të ëndërruar, që ai e mbiquan Demokraci Autentike dhe jo një Demokraci Alibike, gjë që bën të mundur faktin që shoqëria civile të bëhet dalëngadalë dhe përfundimisht më e plotfuqishme sesa vetë koncepti i vjetër i shtetit.
Kjo mund të arrihet, sipas Karl Poper ndërmjet një sistemi institucionesh, pra nëpërmjet institucionalizimit të vetë institucioneve.
Sipas Karl Poper, krijimi i institucioneve është kryevepra madhështore e demokracisë, shumë më substanciale sesa qarkullimi i emrave të administratave, apo ciklimi i zgjedhjeve politike. Krijimi i çdo mazhorance të re, nuk është domosdoshmërisht një atu, për të rikompozuar çdo institucion sipas vizionit të fitimit të mandatit.
Këto teza të Karl Poper, kanë një aktualitet të habitshëm dhe janë gati inkadeshente, për realitetin, shoqërinë dhe demokracinë e brishtë shqiptare.
Mazhorancat qoftë të PD, qoftë të PS në keto 30 vite nuk kanë patur aspak ndërgjegjshmërinë historike për institucionet demokratike, por kanë përcaktuar politikën dhe shoqërinë shqiptare sipas modelimeve të tyre të fitoreve të përkohshme politike.
Kuptimshmëria konvencionale e “shumicës” është një keqkuptim kolosal. Ky keqkuptim i “shumicës”, është ndoshta vatra apo matrica e marrëzive politike më të llahtarshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Shqipëri.
Ky problem, kaq i mprehtë dhe delikat është analizuar shkëlqyeshëm nga Karl Poper. Ai shkruan:
“Demokracia nuk mund të karakterizohet e kryer vetëm si qeveri e shumicës. Në një demokraci, pushtetet e qeveritarëve duhet të kufizohen dhe kriteri i demokracisë është ky: Qeveritarët, domethënë qeveria, duhet të hiqen prej pushtetit të shpërdoruar në çdo kohë prej atyre që ata qeverisin, pa derdhur gjak.
Nëqoftë se njerëzit në pushtet nuk ruajnë ato institucione që sigurojnë mundësinë për një shndërrim paqësor të qeverisjes, atëherë kjo qeveri është një tirani.
Duhet të realizojmë, të zgjedhim vetëm mes dy formave të qeverisjes, domethënë midis asaj, që ka institucionet e demokracisë dhe asaj që ka institucionet e tiranisë. Një kushtetutë demokratike, e qëndrueshme duhet të përjashtojë vetëm një tip të shndërrimit të sistemit legal, vetëm atë lloj ndërrimi, që rrezikon karakterin e tij demokratik”.
Përralla “Mbreti lakuriq” e Andersenit per Karl Poperin është tepër e qartë.
Djali i vogël tha të Vërtetën e Mbretit pa rroba, ndërsa shumica e sugjestionuar në aluçinacione shihte rrobat më ceremoniale e të shkëlqyera në trupin e Mbretit. A nuk ndodh kështu edhe me politikanët tanë në Shqipëri? A nuk janë shumicat e sugjestionuara në të dy krahët që i shikojnë liderët e tyre jo lakuriq, kur ata janë në shumicën e rasteve lakuriq?
Djali i vogël ishte një, shumica janë të tjerët. Por e vërteta i takonte djalit të vogël.
Ky shembull parabolik, tregon qartë sesi një shumicë parlamentare dhe politike që pretendon monopolin e së vërtetës dhe të gjithçkaje, të jetë vetëm e sugjestionuar dhe të ndërmarrë veprime nga më të çuditshmet, nga më delirantet.
E thënë thjeshtë, filozofia politike e Karl Poper përshkohet nga humanizmi. Filozofia politike e Karl Poper e rrëzon kultin e qeveritarëve dhe synon për të krijuar kushtet e një demokracie konceptuale. Kushtetuta si substancë juridike nuk bie në kundërshtim me ekzistencialitetin e njeriut dhe njeriu nuk bëhet një posterior i politikës, por njeriu i referohet vetëm njeriut, duke bërë kështu humanizim të politikës dhe të historisë.
Karl Poper me këtë koncept të përparuar të demokracisë, nuk mund të parapëlqehet, aq më tepër nga ana që preferojnë bajraktarizmin bjeshkëtar shqiptaro-ballkanik, si edhe totalitarizmin demokratist, apo rilindas.
Ky konfrontim e ballafaqim i ideve të Karl Poper me jetën e sotme politike shqiptare, do të çonte në mendimin se Karl Poper është një mendimtar i rrezikshëm, madje tepër i dëmshëm dhe heretik për pushtetarët e sotëm. Për pushtetarët problematikë të ditës, opozicioni është një koncept i përjashtuar, kritika nuk ka asnjëherë të drejtë sepse nuk ka “shumicën”.
Kështu, dikur mazhoranca berishiane e PD-së, personalizonte gjithçka dhe mund të bënte gjithçka. A nuk po ben kështu dhe mazhoranca rilindase ?
Teza e Poper për demokracinë e emancipuar i alarmon politikanët shqiptarë, sepse botëkuptimi i tyre është paternalist, përjashtues dhe purist. Në të vërtetë, jemi të gjithë qytetarë të të njëjtit vend, të të njëjtit komb, përbëjmë shoqërinë e cila nuk mund të dualizohet në mënyrë absurde dhe pambarimisht.
Prandaj, sipas Karl Poper kryeinstitucioni i Shoqërisë së Hapur, është toleranca. Këtu nuk bëhet fjalë për tolerancën si një sjellje etike vetjake, si një kulturë të sjelluri në shoqëri, si një respekt formal dhe hipokrit, por për tolerancën konceptuale, në kuptimin filozofik politik dhe antropologjik, për tolerancën që bashkon dhe nuk ndan, që ndërthur dhe nuk përçan, për tolerancën që ndërton “së bashku” dhe nuk bën vetëvrasje “së bashku”.
Kundër postulatit “Kam gjithmonë të drejtë” Karl Poper polemizon me etatizimin e shoqërisë, si edhe me karakterin e privilegjuar të administratës së mazhorancës, që simbolizon tek vetvetja postulatin “kam gjithmonë të drejtë”, duke manipuluar opinionin publik, duke rrafshuar mendimet debatuese dhe standartizuar në mënyrë të mjerueshme individin dhe shoqërinë.
Karl Poper shkruan:
“Në qoftë se demokracia shkatërrohet, atëherë të gjitha të drejtat janë shkatërruar, madje edhe nëse ato arrijnë t’i mbajmë me disa avantazhe “të dhuruara” prej qeveritarëve. Në raste të tilla, zgjidhja bëhet ndërmjet dorëheqjes”.
“Demokracia ofron një fushë të çmueshme beteje për çdo reformë të arsyeshme. Por në qoftë se në këtë fushë lufte, mbrojtja e demokracisë nuk bëhet preokupacioni kryesor, tendencat e fshehta dhe të dhunshme antidemokratike (që i kuptojnë fare mirë ata pjesëtarë të shoqërisë që i vuajnë në kurriz), do ta shkatërrojnë demokracinë.
Në këtë rast, kur kjo ndodh, sepse kuptimi i koncepteve për këtë shoqëri të lirë, nuk është zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme, duhet lëvizur më shpejt për të nxitur përvetësimin e tyre. Një linjë politike e kundërt mund të rezultojë fatale. Ajo mund të sjellë si pasojë humbjen e betejës më të rëndësishme, domethënë të betejës për vetë demokracinë”.
A nuk e keni vënë re sesi partitë dhe liderët e mazhorancave fituese sapo bëhen pushtetarë, nuk flasin më për demokracinë, por vetëm për mekanizmin administrativ? Harrohen frazat e bukura dhe demokratike e pragmatizmi i pushtetit bymehet dhe bëhet instrument kërcënues, duke krijuar psikozën e frikës dhe të ndëshkimit.
Këtu nuk bëhet fjalë për emra të caktuar, apo për figura të korrupsionit që bën kërdinë në Shqipëri dhe që për fat të keq, do të bëjë kërdinë edhe në të ardhmen.
Interesi për demokracinë e vërtetë zbehet dhe humbet, sepse burokracia administrative fetishizon vetveten dhe kështu administrata bëhet më e plotfuqishme sesa vetë institucionet e Parlamentit, Kryeministrit, të Presidentit, apo të institucioneve të tjera të pavarura të shtetit, si edhe të institucioneve të tjera që kanë status autonomie.
Pakica e shumicës gjithashtu fuksionon. Një pakicë e vogël e Njësh-it të Ekzekutivit, e stafit të tij të klonuar pyetet për gjithçka dhe përcakton në hollësi gjithçka në shoqëri, në institucione etj. Kjo situatë e rëndë, përvijohet në ditët tona kur një pakicë e “shumicës”, nuk e pyet as vetë shumicën e saj.
Kjo shpjegon pse pakica e stafit ka një autoritet të papërballueshëm, kurse deputetët-përfaqësuesit e shumicës parlamentare nuk kanë gati asnjë autoritet, as kriticizëm dhe as kundërvënie ndaj pakicës së stafit.
Përvetësimi i ideve të drejta, mund të materializojë një shoqëri të drejtë. Megjithë konvencionalitetin që mbart cilësimi i drejtësisë sociale, duhet të paraprijë ajo më e madhja dhe më supremja, drejtësia njerëzore. Manipulimi bizantin i koncepteve të mbrapshta, gjoja demokratike, është në kundërshtim vdekësor me shoqërinë e hapur të Karl Poper.
Mendimet e Karl Poper janë të gjalla dhe e bëjnë të mbijetojë sistemin arsyetues tek secili, ato bëjnë një katharsis mendor dhe shmangin kultin e marrëzive, të deformimeve konceptuale që po bëjnë kërdinë sot në shoqërinë dhe jetën kontradiktore shqiptare.
—-
Nga arkiva e Moikomit në DITA. Botuar në rubrikën Këndi i Kryeredaktorit
