Nga Orgen Peci
Në këtë foto të publikuar nga CNN shihet një burrë i shoqëruar nga forcat e sigurisë kineze. Ai mbahet fort nga dy oficerë.
Kjo pamje përfaqëson fundin e një epoke për atë që autoritetet ndërkombëtare e kanë quajtur industria globale e mashtrimeve kibernetike. Bëhet fjalë për një sistem kriminal që për vite me radhë ka zhdukur miliarda dollarë nga qytetarë të zakonshëm në mbarë botën.
CNN flet për të ashtuquajturat “katër familje”, klane kriminale me bazë në Azi, kryesisht në zonën e Azisë Juglindore, të cilat kontrollonin rrjete të gjera mashtrimi online. Këto struktura funksiononin si mafie moderne me hierarki të qarta, ndarje rolesh, disiplinë të brendshme dhe dhunë ndaj atyre që tentonin të largoheshin.
Si funksiononte skema
Mashtrimet nuk ishin primitive. Përkundrazi, ishin produkte të sofistikuara të epokës digjitale: investime të rreme në kriptomonedha, mashtrime romantike përmes rrjeteve sociale, platforma false tregtimi, call-centers kriminale që operonin 24 orë në ditë.
Viktimat ishin qytetarë në SHBA, Europë, Australi dhe Azi, njerëz të zakonshëm që besonin se po investonin, po dashuroheshin apo po ndihmonin dikë në nevojë. Në realitet, përballë kishin një industri kriminale të organizuar.
Ajo që e bën këtë rast të veçantë është fakti se figurë kyçe të këtyre rrjeteve janë arrestuar dhe ekspozuar publikisht. Për vite me radhë, krimi kibernetik shihej si i pakapshëm, pa fytyrë dhe pa territor.
Arrestime të tilla tregojnë se edhe kjo formë e krimit ka emra dhe përgjegjësi. Sipas CNN, presioni ndërkombëtar, bashkëpunimi mes shteteve dhe interesat e sigurisë kombëtare kanë detyruar disa qeveri në rajon të veprojnë, duke çmontuar struktura që më parë toleroheshin ose injoroheshin.
Mesazh për epokën digjitale
Krimi digjital është virtual por nuk është i tillë në pasoja. Ai shkatërron jetë reale dhe zhduk kursimet reale të njerëzve.
Megjithatë, rënia e “katër familjeve” nuk do të thotë fundi i mashtrimeve online, por është një paralajmërim i qartë se epoka e pandëshkueshmërisë absolute në këtë fushë po mbyllet.
Po jetojmë në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Për fat të mirë, edhe krimi që na vjen “nga ekrani” nuk mund të fshihet pafundësisht pas tyre.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
