Edhe pse filozofi gjerman jetoi dhe shkroi në shekullin e XIX, një epokë shumë ndryshe nga kjo e sotmja është e padiskutueshme se dy nga veprat e tij, “Manifesti komunist” (bashkë-autor me Friedrich Engels) dhe “Kapitali”, në një periudhë të caktuar të historisë patën një ndikim të madh politik dhe ekonomik në shumë vende dhe miliona njerëz.
Krijimi i Bashkimit Sovjetik pas Revolucionit Rus ishte një shembull i kësaj. Askush nuk e mohon që blloku socialist ka shënjuar një pjesë dërrmuese të historisë të shekullit XX.
Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se komunizmi nuk u materializua ashtu siç u paraqit nga Marksi dhe Engelsi, dhe përfundoi duke u bërë një projekt i dështuar. Në fund, blloku sovjetik u shemb dhe kapitalizmi mbizotëroi pothuajse në të gjithë planetin.
Por a mund të thuhet se mendimi i Marksit është vjetëruar? Apo mund të shpëtohen disa nga idetë e tij që u bënë realitet dhe vazhdojnë deri në ditët tona?
- Aktivizmi politik
Në “Manifestin Komunist” dhe vepra të tjera, Marksi përshkruan luftën e klasave në shoqërinë kapitaliste dhe se si proletariati në fund do t’u marrë pushtetin elitave dominuese në të gjithë botën. “Kapitali”, kryevepra e tij, është një përpjekje për të mbështetur këto ide me fakte të verifikueshme dhe analiza shkencore. “Kapitali” në atë kohë ishte një mesazh i fuqishëm në një botë ku shtypja dhe pabarazia ishin të shumta.
“Përvoja personale e tjetërsimit të Marksit, i cili jetoi në varfëri, i dha intensitet të madh në analizën e tij, e cila fitoi staturën e filozofisë kundër përbindëshit kapitalist që skllavëronte njerëzit”, shpjegon një nga biografët më të njohur të tij, britaniku Francis Wheen.
Gjatë shekullit të XX, idetë e Marksit do të frymëzonin revolucionet në Rusi, Kinë, Kubë dhe shumë vende të tjera. Marksizmi shkoi edhe më tej dhe u bë një mënyrë për të interpretuar botën në përgjithësi: ideja e thjeshtë se historia është një luftë klasash antagoniste ndikoi gjithashtu në letërsi, art dhe arsim.
“Sot Marksi është ende relevant, si filozof politik. Brez pas brezi, shumë kërkojnë frymëzim tek ai për betejat e tyre”, thotë Albrecht Ritschl, historian gjerman i specializuar në marksizëm dhe kreu i Departamentit të Historisë Ekonomike të “London School of Economics” në Mbretërinë e Bashkuar.
“Njerëzit vazhdojnë të flasin për çështjet që Marksi fliste, shton eksperti. Për shembull, globalizimi. Marksi ishte një nga kritikët e parë të ndërkombëtarizimit të tregjeve. Ai gjithashtu iu referua pabarazisë, duke paralajmëruar për rritje të pabarazisë në botë”.
“Mund të thuhet se Marksi vazhdon të jetë tërheqës dhe është pjesë e diskursit politik aktual”, përfundon Ritschl.
Ndërsa rënia e Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991 shënoi një goditje të madhe për teorinë marksiste (për një kohë të caktuar partitë e majta dhe universitetet i dhanë më pak rëndësi), kriza financiare globale e 2007-2008 i dha sërish rëndësi.
Ky kolaps ishte një shembull klasik i krizave të përsëritura të kapitalizmit që mendimtari gjerman kishte parashikuar. Që atëherë shitjet e “Manifestit Komunist” dhe “Kapitalit” sa vijnë e rriten në të gjithë botën.
- Përsëritja e krizave ekonomike
Marksi vuri në pikëpyetje idenë se kapitalizmi ishte vetë-rregullues. Për të nuk kishte një “dorë të padukshme” që vinte rregull në forcat e tregut, ashtu siç pohonte Adam Smith, “babai” i kapitalizmit, në “Pasuria e Kombeve”.
Përkundrazi, Marx argumentonte se sistemi ishte i dënuar të përjetonte periudha krizash të përsëritura (sot ekonomistët do të flisnin për recesionet) që ishin të natyrshme për të.
“Edhe pse ai nuk ishte i vetmi që foli në lidhje me këtë, ideja origjinale ishte që çdo turbulencë do të çonte në një tjetër më të keqe e kështu me radhë deri në shkatërrimin e kapitalizmit”, thotë Albrecht Ritschl.
Kolapsi i bursave të vitit 1929 dhe krizat pasuese arritën kulmin në 2007-2008, kur bota përjetoi një kolaps financiar si kurrë më parë përsa i përket ashpërsisë, impaktit dhe vazhdueshmërisë.
“Është e vërtetë që aspektet e pazgjidhura të kapitalizmit çojnë në kriza të reja, por ideja deterministe e Marksit se sistemi do të shembej për shkak të gabimeve të tij të brendshme është e pabesueshme”, paralajmëron Ritschl.
“Megjithatë, sot ne jemi më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm se kurrë përballë turbulencave, pjesërisht falë tij”.
Edhe pse, në kundërshtim të asaj që ai parashikoi, krizat nuk kanë ndodhur në industrinë e rëndë, por në sektorin financiar, sqaron eksperti.
- Fitimet e tepërta dhe monopolet
Një aspekt i rëndësishëm i teorisë së Marksit është e ashtuquajtura “mbivlera”: vlera që një punonjës krijon mbi vlerën e fuqisë së tij punëtore. Problemi, sipas mendimtarit gjerman, është se pronarët marrin për vete “mbivlerën” dhe përpiqen të maksimizojnë fitimet e tyre në kurriz të proletariatit.
Kështu, kapitali ka tendencë të përqendrohet dhe centralizohet në disa të pasur, gjë që çon në papunësi dhe zhvlerësim të pagave të punëtorëve.
Kjo mund të shihet edhe sot.
Për shembull, një analizë e kohëve të fundit e revistës britanike “The Economist” tregon se ndërsa në dy dekadat e fundit pagat e punëtorëve në vende si Shtetet e Bashkuara kanë qenë në stanjacion, pagat e drejtuesve të lartë është rritur ndjeshëm nga 40 – 110 herë më shumë.
“Kritika e Marksit për akumulimin është e vlefshme edhe sot, sepse vazhdon të jetë një nga pikat e dobëta të kapitalizmit”, thotë Ritschl.
“Sot e shohim qartë në akumulimin e tepruar të pushtetit nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe gjithashtu në formimin e monopoleve dhe duopoleve. Marks na paralajmëroi për rreziqet e gjithë kësaj”.
- Globalizimi dhe pabarazia
Biografët e Marksit si Francis Wheen dhe studiues të tjerë të veprës së tij pajtohen që filozofi gaboi me idenë e tij deterministe se kapitalizmi do t’i bënte varrin vetes duke krijuar varrmihësit e tij. Përkundrazi ndodhi e kundërta: me rënien e komunizmit, kapitalizmi jo vetëm që u forcua por u përhap edhe në të gjithë botën.
Askush nuk e shpreh më mirë këtë ironi të historisë se mendimtari marksist Jacques Rancière, profesor i filozofisë në Universitetin e Parisit VIII.
“Proletariati, në vend që të varroste kapitalizmin, e mban në jetë. Punëtorët e shfrytëzuar dhe të keqpaguar, të çliruar nga revolucioni më i madh socialist në histori (Kinë), janë në prag të vetëvrasjes në mënyrë që Perëndimi të vazhdojë të luajë me iPad-ët e tyre. Ndërkohë, paratë kineze financojnë Shtetet e Bashkuara që në një rast tjetër do të ishin të falimentuara”.
Por nëse Marksi dështoi në këtë parashikim, ai nuk gaboi në kritikat e tij ndaj ndërkombëtarizimit të kapitalizmit.
Në “Manifestin Komunist”, ai thotë se zgjerimi global i kapitalizmit do të bëhet burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në sistemin ndërkombëtar, siç do ta tregonin një sërë krizash financiare në shek. XX dhe XXI. “Nevoja për të zgjeruar vazhdimisht tregjet që produktet të shkojnë tek borgjezia në të gjithë sipërfaqen e globit –thotë Marksi dhe Engelsi -ajo duhet të strehohet kudo, vendoset kudo, e të krijojë lidhje kudo. Ajo detyron të gjitha kombet, të adoptojnë mënyrën borgjeze të prodhimit”.
Kjo është arsyeja pse marksizmi është shpëtuar dhe përligjur në debatin aktual mbi problemet e globalizimit.
“Sot ka shumë njerëz në botë që shqetësohen për shkatërrimin e tregjeve lokale, pasigurinë në punë dhe humbjen e vendeve të punës”, thotë Albrecht Ritschl. Globalizimi, për shembull, ishte një nga temat kryesore në zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara.
Është e qartë se përkundër disa parashikimeve të dështuara dhe ideve të vjetra, Marks ngriti në shekullin e XIX disa çështje të debatit mbi politikën dhe ekonominë që mbeten në fuqi më shumë se një shekull më vonë.