Nga Orgen Peci
Kryeministri Rama tha gjatë prezantimit të buxhetit në Kuvend:
“Refuzoj çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin dhe kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot edhe Kina, edhe vendet naftëmbajtëse edhe të gjitha vendet e Evropës janë në konkurrencë të egër kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’mund të jemi vendi që kur dera hapet nga investitorët të sillemi sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet Kjo është kundërhistorike dhe vetëvrasje ekonomike, që nuk kemi për ta pranuar kurrën e kurrës”.
Kryeministri e ka bërë zakon që çdo kritikë ndaj procedurave, koncesioneve apo tjetërsimit pa precedentë të pronave dhe pasurive publike, e shpall “luftë kundër investimeve të huaja”.
Ai po e përdor këtë populizëm banal si mburojë për të shmangur edhe debatin mbi fatin e ishullit strategjik ushtarak të Sazanit, edhe praktikat e dyshimta dhe mungesën e transparencës në Zvërnec, edhe për tenderat apo partneritetet publike-private, rezultatet rrënuese të të cilave tashmë janë provuar në terren, etj.
Në thelb, kritikat e atyre që i duan prosperitetin afatgjatë këtij vendi janë kundër korrupsionit, jo kundër investimeve serioze. Ato synojnë të kundërtën e asaj që thotë z.Rama, dmth jo si të bllokojnë investimet, por si të jemi një vend i hapur dhe tërheqës për kapitalin e huaj.
Kërkesat janë për transparencë, llogaridhënie, konkurrencë të ndershme dhe zbatim të ligjeve. Ky presion brenda kufijve të demokracisë liberale synon që standardet e transparencës dhe të integritetit institucional të mos jenë ato që kemi parë deri tani.
Edhe vetë investitorët perëndimorë kërkojnë pikërisht një terren ku sundon ligji dhe ku rregullat janë të qarta dhe të barabarta për të gjithë. Po flasim për investitorët seriozë, jo ata që fshihen në zonat ofshore. Deri tani kemi parë që edhe investimet e huaja që tërhiqen nuk janë gjithmonë nga tregjet perëndimore me standarde të larta llogaridhënieje, por përfshijnë praktika ose struktura që nuk do t’i kalonin dot kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian.
Për të mos folur për ata që fshihen pas emra “investitorësh të huaj” që në letra sapo janë formuar dhe prapa të cilëve janë paratë e trafikut të drogës që kanë mbytur vendin, mbi dhe nën tokë.
Sa për Sazanin, këtyre kërkesave normale për çdo vend normal u shtohet edhe ruajtja e dinjitetit shtetëror, mbrojtja e interesave afatgjata mbi asetet tona strategjike për brezat që vijnë. Jo çdo gjë blihet e shitet dhe kryeministrat venë e vijnë.
DITA
