Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka shmangur në dy mbledhjet plenare të fundit, më datat 11 dhe 16 korrik, të shqyrtojë kërkesën e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli për ta mbrojtur ndaj sulmeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj saj, lidhur me mosfillimin e hetimit për një kallëzim të kryer për ndërtimet në Theth, megjithëse ishte parashikuar të trajtohej në axhendën e mbledhjes së parë – shkruan faqja Reporter e rrjetit BIRN.
Po ashtu nuk është parashikuar asgjë lidhur me këtë çështje as për mbledhjen plenare që u njoftua se do të zhvillohet të premten, më 25 korrik.
Pas publikimit të kërkesës së Gjelit drejtuar KLP-së më 11 korrik, reagoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se kishte bërë ankim për fillim të procedimit disiplinor ndaj prokurores.
Kjo deklaratë e Manjës drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, po përdoret nga KLP si një rrethanë ku po bazon hamendësimin se, ndaj Gjelit mund të kërkohet në të ardhmen fillimi i procedimit disiplinor, e për rrjedhojë justifikohet mosmbajtja e një qëndrimi për kërkesën e magjistrates për mbrojtje.
I pyetur për mosmbajtjen e një qëndrimi lidhur me kërkesën e Gjelit, KLP i tha BIRN të enjten se, në referim të shkresës së Manjës, përmes së cilës i është kërkuar ILD-së të fillojë procedurën disiplinore lidhur me çështjen përkatëse, çmon se “anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mund të mbajnë qëndrim, apo të komentojnë mbi një çështje konkrete, e cila më pas mund të jetë objekt i një procedimi disiplinor, që merret në shqyrtim pikërisht nga ky këshill”.
Lidhur me faktin se ILD nuk ka njoftuar ende nisjen e ndonjë hetimi disiplinor apo kërkimin e fillimit disiplinor ndaj Gjelit, KLP u shpreh se nuk dinin ende diçka dhe se kjo gjë është në vlerësimin e ILD-së.
“Po nëse e bënë, ne duhet të përjashtohemi se i bie kemi mbajtur qëndrim”, argumentoi kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani lidhur me pyetjen që BIRN i drejtoi, se nga e dinte KLP se në të ardhmen ILD do të inicionte një procedim të tillë.
Prokurorja Elsa Gjeli i tha BIRN gjatë një bisede telefonike të enjten, se nuk kishte ndonjë koment lidhur me mosmbajtjen e qëndrimit nga ana e KLP për kërkesën e saj.
Prokurorja Elsa Gjeli u sulmua nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale ndaj një ndërtimi të pretenduar pa leje në fshatin Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, për të cilat tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
Kryeministri deklaroi atëherë se inspektoriati dhe policia e shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.
Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se, ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
Në vijim, prokurorja Gjeli depozitoi në KLP kërkesën kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit. Sipas Gjelit, kryeministri e kishte ekspozuar ndaj një linçimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv – shkruan Reporteri.

Çna gjeti me llogjikën juridike dhe politike në Shqipëri! Drejtësia është e pavarur nga pushteti ekzekutiv, por kritikat janë të lejuara dhe nuk janë ndërhyrje në vendimarje, sikurse shprehet kjo prokurore. Politikanët e tipit Berisha sulmojnë Drejtësinë dhe nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre! Rama kritikon me të drejtë një prokurore që nuk bën detyrën dhe kjo e fundit ankohet se po ndërhyn në pavarsinë e saj! Hajde dhe mere vesh këtë punë. Zgjidhja është gjithmonë te ligjet, të cilat duhet të jenë të qarta dhe jo me dy kuptime, që t’a « dredhësh » sipas situatës. Prokurorja është vërtetë e « pavarur » nga ekzekutivi, por nuk mund të shkelë ligjet dhe të mos bëjë detyrën, për të cilën mirë paguhet nga taksat tona. Kritikë mund të bëjë kushdo, aq më shumë që Rama është Kryeministër.
Eshte mentaliteti islam Shqiptar! Nuk jemi njerez te pavarur, jemi pjese e sekteve te zakoneve te vjetra! “Nuk kishte themele” tha Gjeli,maje plehut!